Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili deklaron se do të ketë një konfigurim të plotë e të shpejtë të KQZ-së.
Vasili është i mendimit se mazhoranca duhet që të plotësojnë vakancat për të pasur mundësi që komisioni të ketë ekipin e plotë. “Do ketë një konfigurim të plotë e të shpejtë të KQZ, sigurisht duke plotësuar vakancat që janë atje, për të pasur mundësi që komisioni të ketë ekipin e plotë. Do realizojmë një model të pushtetit vendor të ri. Kemi marrë një angazhim të madh, jemi në momentin që të fillojmë ta formësojmë. Kandidatët do jenë thellësisht të mbështetur, sepse është një sfidë e përbashkët jo sfidë e një kandidati. Do kemi kandidatë fitues me skuadra fituese. Nuk ka për të patur një njeri të vetëm që do të drejtojë në mënyrë të hatashme pa patur një ekip. Ndarja e re territoriale e bën akoma më të tejkaluar një ide të tillë”, deklaroi Vasili.
Vasili sqaron se brenda mazhorancës nuk kanë nisur ende negociatat për kandidatët e zgjedhjeve lokale, duke theksuar se PS dhe LSI janë përqendruar kryesisht në garantimin e standardeve zgjedhore.
