Në një intervistë për Ora News, nënkryetari I LSI-së, Petrit Vasili, është shprehur se në zgjedhjet e vitit 2009, zgjedhja e LSI-së nuk ishte një zgjedhje pragmatike, por ishte zgjedhje parimore dhe këtë e provuan zgjedhjet e vitit 2011. “Unë mendoj se pesha e LSI-së në politikë i ka bërë mirë vendit. Motoja jonë është të ecim me shpejt dhe kjo do të bëjë që zgjedhjet e qershorit 2013 do të jenë zgjedhje parimore për LSI-në”, tha Vasili.
Ndërsa në lidhje me dështimin për herë të tretë të statusit, Vasili tha se viti që kaloi ishte një vit, i cili shpërdoroi mundësitë në lidhje me mosdhënien e statusit kandidat për në Bashkimin Europian.
“Sjellja e demonstruar, vënia në paralelizëm nga opozita duke vënë votimin e tre ligjeve për statusin baraz me çështjen e Fierit ishte një shpërdorim mundësish. Me humbjen e statusit, Shqipëria humbi dhe një shans ekonomik, i cili nevojitej më shumë se kurrë, pasi ekomomia jonë është shumë e brishtë në këtë periudhë krize botërore që po kalojmë, prandaj unë them se duhet të nxjerrim mësime nga mosmarrja e statusit”, tha Vasili.