Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka bërë thirrje për zhbllokimin e situatës së krijuar ditët e fundit në KQZ për ndarjen e mandateve. Vasili theksoi se LSI nuk do të luajë rolin e bllokuesit, pasi zgjedhjet e qershorit janë afër dhe nuk ka kohë për të humbur.
“Jemi këtu për të përcjellë një shqetësim, i cili po bëhet evident ditë pas dite, lidhur me bllokimet dhe obstruksionizmin reciprok që po ndodh në mënyrë të veçantë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku në mënyrë të dukshme një nga elementet kyç të administrimit të zgjedhjeve siç është ai i ngritjes së Zonave të Administrimit Zgjedhor, është bllokuar më së fundi dje duke e shndërruar këtë diskutim thjesht dhe vetëm në një debat politik shterpë. Ndërkohë që lidhur me këtë çështje argumentet kryesore dhe ku administrimi i shpejtë dhe efektiv i zgjedhjeve në njërën anë dhe nxjerrja e rezultatit të tyre me cilësinë e duhur dhe në kohën më të shpejtë të mundshme nga ana tjetër janë pikërisht prerogativat, të cilat duhet të ndërtojnë pikërisht arsyetimin dhe veprimin përkatës politik. Kjo situatë absolutisht duhet të zhbllokohet në mënyrën më të shpejtë të mundshme sepse koha në dispozicion është mjaft e pakët dhe eksperienca e mjaft zgjedhjeve të mëparshme ka treguar se marrja e vendimeve me shumë kohë vonesë ka influencuar drejtpërdrejt në cilësinë e zgjedhjeve të realizuara sepse koha e mundësuar për të trajnuar të gjithë ata administratorë të procesit zgjedhor ka qenë e pakët, e pamjaftueshme ose në momente të caktuara aq inekzistente saqë edhe trajnimi i tyre është kthyer në një trajnim fiktiv”, deklaroi Vasili në një konferencë për shtyp.
Ndërkohë të njëjtin qëndrim në lidhje me bllokimin e situatës në KQZ dhe mosgjetjes së konsensusit për ndarjen e mandateve dhe ZAZ-ve mban edhe PS-ja.