Ekskluzive / Seanca e VI-të e gjyqit kundër Koçi Xoxes e 4 bashkëpunëtorëve të akuzuar për tradhti ndaj Atdheut. Pohimet e dëshmitarëve dhe të pandehurve lidhur me ekzekutimet pa gjyq të të burgosurve me urdhër të Koçi Xoxes
“Me urdhër të Koçi Xoxes, u ekzekutuan nga Sigurimi pa gjyq me inskenime se gjoja tentuan të arratisen nga qelitë, apo vdiqën nga torturat, Koço Kota, Pal Tërova, Hatlije Tafaj, Kolë Kuqali e shumë të tjerë”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e gjashtë kundër tij e bashkëpunëtorëve, i vënë përballë provave të akuzës dhe pohimit të dëshmitarëve dhe të pandehurve për vrasjet pa gjyq, Koçi Xoxes i bie të fikët. Pasi ai e merr veten dhe e ulin në një karrige, rifillon seanca. “Në një deklaratë të Hamdi Sallakut dhe ca shpjegime të Mahmut Sallakut tregohet se çfarë tortura të tmerrshme i janë bërë shoqes Hatlije Tafaj, anëtare partie e cila ishte rreshtuar(arrestuar) që kurrë nuk e mori vesh as ajo, e as pjesëtarët e familjes së saj, se pse. Ajo, për shkak të torturave nga Sigurimi u çmend dhe përfundimisht vdiq. Po për këtë ka një deklaratë Anastasi Dushku, mbi torturat që ka pësuar kjo vajzë 18 vjeçe, së cilës, plagët i kishin zënë krimba” – akuzon në këtë seancë mes të tjerave, Prokurori të pandehurin Koçi Xoxe….
Prokurori: -Vazhdojmë seancën. Të na flasë i pandehuri Koçi Xoxe mbi platformën trockiste të ligjshmërisë.
Koçi Xoxe: -(Nuk përgjigjet)
Prokurori: -Pasi ky, i pandehuri Koçi Xoxe, shtroi çështjen që gjyqi të zhvillohet me një asistencë më të gjerë, trupi gjykues le ta marrë në shqyrtim këtë kërkesë të të pandehurit. Por unë si akuzë publike ju kujtoj se këtu kemi të bëjmë me sekrete shumë të rëndësishme të shtetit, që po të popullohen, do të krijojnë situata të vështira për popullin tonë, për Republikën tonë dhe për tërë kampin e socializmit dhe të demokracisë. I pandehuri kërkon që të vazhdojë deri në fund lojën e rrezikshme e tradhtare duke synuar që t’i vejë thikën pas shpine Republikës dhe popullit tonë, Bashkimit Sovjetik dhe Demokracive Popullore. Sepse ky është armik i betuar, është fytyra më e ndyrë e trockizmit që kërkon t’u japë armë në dorë armiqve.
Ky gjyq, për këto arsye, sidomos me dyer jo të mbyllura, zhvillohet me pjesëmarrjen e një asistence të kufizuar. Këtu asistojnë partizanë të vjetër, udhëheqës të Partisë dhe të Pushtetit, trupi gjykues, akuza publike, sekretarët si dhe shokët avokatë që janë patriotë të ndershëm, të cilët jo vetëm për shkak të profesionit të tyre e ruajnë sekretin, por çmojnë njëkohësisht rëndësinë e këtyre fakteve që do të dalin në këtë gjyq. Prandaj nuk ka asnjë rrezik që në këtë asistencë, gjërat që do të dalin këtu të bëhen armë në dorën e armiqve. Të gjitha këto kërkoj të kihen parasysh kur të marrë vendim gjykata mbi kërkimin që bën i pandehuri.
Koçi Xoxe: -Unë kërkoj të zhvillohet gjyqi para popullit dhe sekretet shtetërore në asnjë mënyrë nuk i them.
Prokurori: -Kërkoj nga trupi gjykues që të marrë në shqyrtim dhe të kihet në konsideratë rrezikshmëria e banditizmit të këtij njeriu dhe të vendoset që t’i hiqet fjala fare, sepse ky njeri nuk ka respekt dhe besim në drejtësinë tonë popullore dhe shprehet me fjalët fyese ndaj akuzës publike.
(Trupi gjykues, pasi u tërhoq në dhomën e veçantë të bisedimit, mori në shqyrtim kërkesën e të pandehurit e të akuzës publike dhe publikisht deklaron këtë vendim):
Vendim:- 1) Gjykata, duke marrë parasysh sekretet me rëndësi shtetërore që mund të dalin gjatë rrjedhimit të gjyqit, vendos që seancat të zhvillohen në një auditorium të kufizuar në bazë të leje-hyrjeve të akorduara nga Kryesia e Gjykatës.
2) Në lidhje me kërkimin e Prokurorit që t’i hiqet fjala të pandehurit Koçi Xoxe për shkak të ofendimit të akuzës dhe mungesës së respektit kundrejt trupit gjykues, Gjykata nuk e çmon të nevojshme të marrë një masë të tillë ekstreme, por porosit të pandehurin Koçi Xoxe që të mbajë respektin e duhur kundrejt përfaqësuesve të akuzës dhe trupit gjykues.
(Pas deklarimit të këtij vendimi, i pandehuri Koçi Xoxe tha se: Unë nuk flas, vetëm do të dëgjoj akuzën).
Kryetari(Frederik Nosi): -Shoku Prokuror, vazhdoni me akuzën.
Prokurori: -Grupi trockist që po gjykohet ka pasur një platformë ligjshmërie trockiste dhe ai që ka dhënë këtë platformë arbitrariteti ka qenë banditi Koçi Xoxe. Të këndohet, ju lutem, në procesin e tij, deklaratat e bëra në faqet 65-66. (U kënduan deklaratat e bëra nga i pandehuri koçi Xoxe në faqet e mësipërme të proces-verbalit hetimor).
Dhe ja se si shprehet ligjshmërisht mendja trockiste, e cila në gjuhën e saj, përdor flamurin e Drejtësisë. Në një radiogram të drejtuar seksionit të III-të të Sigurimit në Shkodër, urdhërohet që një person të dërgohet në gjyq dhe të dënohet me vdekje. Kësaj i thonë ligjshmëri trockiste.
I pandehuri nuk mundet të flasë sepse ky nuk është vetëm një kriminel ordiner, por është diçka më tepër. Është perfeksioni, stërhollimi i tërë reaksionit, është trockizmi vetë. Këtij banditi, vetëm një rrugë i mbetet, ajo që të ofendojë trupin gjykues hapur, në mënyrë që ta provokojë për ta nxjerrë jashtë.
Shihni se çfarë rezulton nga një dosje e mësuesit Vasil Vaska, të cilin Sigurimi i Korçës e raportonte për djegien e shkollës së fshatit. Dhe në këtë raport, i pandehuri Koçi Xoxe ka shënuar me dorën e tij një ‘Po’. Ja, të pyesim të pandehurin Vaskë Koleci se i kujt është ky shkrim?
Vaskë Koleci(I pandehur): -Ky shkrim(shënim) është i të pandehurit Koçi Xoxe.
Prokurori: -Vazhdojmë. Dhe Sigurimi i Koçi Xoxes, për rastin e mësuesit, në vend që të thoshte që t’i referohet gjyqit dhe të veprohej sipas ligjit, kërkon që mësuesi në fjalë të dënohet me vdekje. Kur përgjegjësi i Sigurimit në Korçë i raporton se gjykata nuk mund ta dënojë kaq rëndë se nuk ka fakte, Ministri i Brendshëm, banditi Koçi Xoxe, i përgjigjet se jeni urdhëruar të dënohet me vdekje dhe pse Gjykata e ka dënuar kaq lehtë. Ja, të thërrasim këtu për këtë rast dëshmitarin Behxhet Mema, Kryetarin e Gjykatës Ushtarake të Korçës.
Behxhet Mema(Dëshmitar, vjeç 34, oficer me gradë Major): -Në këtë kohë, unë kam qenë Kryetar i Gjykatës Ushtarake të Korçës. Na është rekomanduar nga Sigurimi që Vasil Vaskën ta dënonim me vdekje, kurse ne nuk kishim material jo vetëm për dënim me vdekje por as për dënim më të vogël. Ata të Sigurimit na thanë se Koçi Xoxe insistonte për dënimin me vdekje dhe se për këtë gjë, është urdhri i Komitetit Central. Ne e dënuam këtë përfundimisht me katër vjet dhe për këtë qëndrim tonin, ne na u kërkua llogari.
Prokurori: -Në këtë, kam për të vënë re se si shpërdorohej emri i Komitetit Central dhe prandaj kemi theksuar se këtu janë thirrur para përgjegjësisë ata njerëz që jepnin frymën e kësaj vije. Nuk ka dyshim se shumë shokë të Sigurimit kanë bërë gabime të rënda, mish njeriu kanë ngrënë, por përgjegjësi për këtë kanë ata që kanë dhënë tonin dhe frymën kësaj vije. Dhe këta janë Koçi Xoxe e bashkëpunëtorët e tij që janë sot në bankën e të akuzuarve.
Ja dhe një letër tjetër e Ministrisë së Brendshme që thotë për Thanas Simonidhin, për të cilin përdoret çdo mënyrë për ta bërë të flasë.
Ja çfarë thotë në një raport Kleanth Andoni nga Sigurimi i Elbasanit, në të cilin përshkruan se pjesa më e madhe e të paraburgosurve është torturuar: ‘Në hetuesi tortura u bë formë pune dhe u rafinua e perfeksionua nga udhëzimet e Koçi Xoxes’. Të këndohet procesi hetimor në faqet 50, 54, 66. Të shihet se çfarë torture i është bërë të burgosurit Myzafer Pipa: Hekur i skuqur futur thellë në mish gjer në kockë, gjë që shkakton dhimbje të tmerrshme gjer në çmendje, të cilës nuk ka njeri që mund t’i rezistojë… Është përdorur tortura e provokimit të vdekjes me pakësimin gradual të ushqimit. Dhe këtë metodë, Koçi Xoxe e ka përdorur tek të burgosurit e burgut të Burrelit. Nga kjo lloj torture ka vdekur i burgosuri Koço Kota.
Është përdorur metoda e zhdukjes së gjurmëve ‘këndoje dhe digje’ kur jepeshin urdhra ilegalë e nuk liheshin gjurmë. (Deklarata e Lefter Lakrorit mbi zhdukjen e Pal Tërovës në Korçë, i cili ishte një nga pjesëtarët e fraksionit të Xhepit në Vlorë). Banditi Koçi Xoxe kërkonte me çdo mënyrë terror dhe nuk donte që të liroheshin ata që vuanin dënimin. I nxirrnin natën nga burgu dhe i vrisnin, e nga ana tjetër, njerëzit e Sigurimit udhëzoheshin që të mashtrojnë dhe ta mbulojnë këtë fakt se gjoja i burgosuri tentoi që të arratisej. Është një rast që e kam parë vetë këtu në Tiranë që një i burgosur që vuante dënimin dhe duhej liruar, është ekzekutuar në afërsi të Tiranës. Dhe kufoma e tij është nxjerrë në shesh nga lopët që kullosnin. Fshatarët kanë thënë: “Të paktën të mos i vrasin në tokën tonë!”
Sekretari:(Përshkruan në proces-verbal një situatë që ndodh në këtë çast në seancë: Ndërsa akuza shpjegon këtë kapitull në lidhje me shkeljen e ligjshmërisë, i pandehuri Koçi Xoxe që po dëgjonte në këmbë pa u përgjigjur, nuk mundi të rezistojë dhe jepte shenja alivanie dhe në fakt u mbajt nga një prej rojeve se desh u rrëzua përtokë duke humbur ndjenjat. Trupi gjykues u tërhoq deri në stabilizimin e tij në gjendje normale, duke e vënë në një kolltuk dhe duke i bërë shërbimet e rastit. Pasi erdhi në vete, duke e lënë gjithnjë ndenjur në kolltuk, prokurori vazhdoi leximin e akuzës)
Prokurori: -Për sa i përket torturave, nuk do të zgjatem shumë por do të vë në dukje duke lexuar një deklaratë të Hamdi Sallakut dhe ca shpjegime të Mahmut Sallakut se çfarë tortura të tmerrshme i janë bërë shoqes Hatlije Tafaj, anëtare Partie e cila ishte rreshtuar(arrestuar) që kurrë nuk i mori vesh as ajo, e as pjesëtarët e familjes së saj. Ajo, për shkak të torturave u çmend dhe përfundimisht vdiq. Po për këtë ka një deklaratë Anastasi Dushku, mbi torturat që ka pësuar kjo vajzë 18 vjeçe, së cilës, plagët i kishin zënë krimba.
Le të thirret dhe të dëgjohet dëshmitari Shaban Zereci, i cili do u shpjegojë me gojën e tij torturat që ka pësuar.
Shaban Zereci(Dëshmitar. 45 vjeç, nëpunës në Tiranë): -Kam qenë partizan që nga viti 1942, kryetar çete, komandant Batalioni dhe kam pasur gradën kapiten. U arrestova më 14.06.1947. Më kanë mbajtur 16 ditë varur prej këmbe. Pastaj më kanë torturuar me sistemin e jelekut, më kanë vënë kripë në gojë, më kanë vënë me nder mut në gojë dhe pasi unë nuk hapja gojën, më kanë thyer dhëmbët me dru deri sa u detyrova ta hap. Nuk e mora vesh asnjëherë pse u arrestova. Më pyesnin nëse kisha ndenjur me Spiro Moisiun, me Islam Radovickën. Më dhanë një letër me 11 pika për ta plotësuar duke më thënë se isha anëtar i qendrorit të organizatës tekniko-intelektuale. Më thoshin se për ty është vendosur dhe është nënshkruar nga Komandanti(Enver Hoxha) dhe prandaj fol. Nga torturat e tmerrshme që më bënin, për të shpëtuar, unë u thashë që shkruani ju si të doni dhe e nënshkruaj. Në kohën e fundit më kanë pyetur edhe tre oficerë jugosllavë të cilët hynin në burg pa pasur asnjë roje. Njëri prej tyre ishte Nënkolonel dhe dy të tjerët ishin Kapitenë. Dhe më pyesnin se çfarë kisha folur unë për uniformën. Atje në burg torturoheshin njerëz deri në vdekje dhe unë kam parë se si ka vdekur prej torturave një kapter si dhe një gjerman. Kanë përdorur ndaj meje edhe tortura morale si për shembull, një aspirant i Sigurimit thoshte se do të të marr sonte për të(…) ç’nderuar gruan tënde…
Prokurori: -E patë, shokë gjyqtarë, se si zihet në gojë për këto vepra arbitrare emri i Komandantit dhe Komiteti Central. Për të gjitha këto tortura ka dhënë urdhër dhe metodën krimineli i dorës së parë, Koçi Xoxe…
Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci a është përdorur tortura si metodë pune në hetuesi?
Vaskë Koleci(I pandehur): -Po, është përdorur tortura dhe për kohën që kam qenë unë, kjo ka qenë metodë pune në hetuesi. Urdhër për këtë ka dhënë i pandehuri koçi Xoxe.
Prokurori: -Po ju i pandehuri Vango Mitrojorgji, çfarë keni për të thënë për këtë?
Vango Mitrojorgji: -Po, është përdorur edhe provokacioni në hetuesi. Di një rast të një procesi fals të bërë gjoja për të burgosurin Kolë Kuqali, i cili kishte varur veten…
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Akuza kundër të pandehurit Koçi Xoxe: Sipas porosisë së Rankoviçit dhe në bashkëpunim me agjentët e tij, Koçi Xoxe urdhëroi një numër të madh arrestimesh në Kukës e rrethe të tjera për llogari të zbulimit jugosllav.
-Dëshmitë në gjyq për urdhrin e Xoxes për ekzekutimin pa gjyq të të dënuarve nëpërmjet inskenimit nga Sigurimi se gjoja tentuan të arratisen.
-Dëshminë e Foni Qirkos: Koçi Xoxe më porositi të kurdis një provokacion kundër Hafiz Haxhi Ali Musajt, kreu i Komunitetit Mysliman, me qëllim goditjen e tij.
Po K. Xoxes pse i binte te fiket ne gjyg? Apo mos kishte urdheruar ai vete, si gjithmone, qe ta torturonin edhe ate ne qelite e burgut.
More po sa terma te medha perdorte prokurori: “Platforme trockiste e ligjshmerise”. Duket qe prokurori ka pasur nje formim juridik te perkryer.S’kishte faj, s’kishte Googel atehere, por termi “Platforme trockiste e ligjshmerise” nuk egziston e mua me duket se ishte nje zbulim gjenial i Bedri Spahise. Megjithate nje “Platforme staliniste-enveriste e ligjshmerise” ka egzistuar dhe konsistonte ne akuza fallco te shoqeruara me denim kapital te bashkepunetoreve te tyre.
Z.Vasil, nuk te shkon ne mendje qe behesh i dyshuar me komentet e tua?
Shoku Dhori, Dyshime per njerzit kishte vetem ne komunizem. Mos je dhe ti ndonje nga ata qe ndiqte njerzit e dyshuar ne regjimin komunist dhe do ti ndjekesh edhe sot. Nuk te ben pershtypje ty ndjekja dhe vrasja e cdo njeriu pa faj. Mos je ti ndonje nga ata qe kerkon te kthesh kohen e ndjekjeve, dyshimeve, grupeve antiparti dhe budallalleqeve te tjera te tilla mesjetare. Enveri dhe Xoxja bene nje krim te madh, instaluan Stalinizmin ne Shqiperi, ku njerzit nuk kishin te drejte per nje mendim te pavarur, se perndryshe u ikte koka. Kurre mos u kthefte ajo kohe per Shqiperine dhe shqiptaret.