Ekskluzive / Seanca e VIII-të e gjyqit të Koçi Xoxes. Provat e Prokurorit dhe deponimet e të pandehurve për terrorin e vrasjen e 5 personave të pafajshëm në Shijak me urdhër të Koçi Xoxes. Cilët ishin të burgosurit e ekzekutuar nëpërmjet skenarit të Sigurimit “Tentativë për arratisje”.
“Po me urdhër të Xoxes u vranë nëpërmjet skenarit të parapërgatitur të ‘arratisjes nga burgu’, koloneli gjerman Jager, Aristi Qendro, Andrea Zisi, Qamil Taho, Kel Çoba e Galip Hatibi. U torturua fizikisht nga vetë i pandehuri Xoxe dhe rreshteri i Mehmet Shehut!”.
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e VIII-të të gjyqit kundër Koçi Xoxes e katër bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për veprimtari armiqësore e trockiste kundër vendit, Prokurori Spahiu dhe i pandehuri Vaskë Koleci akuzojnë Xoxen për urdhrat e dhënë për terror ndaj popullsisë, vrasjen e 5 personave në Shijak dhe ekzekutimin e disa të burgosurve nëpërmjet skenarit të “Tentativës për arratisje”. “Pas terrorit masiv, me urdhër të Koçi Xoxes u vranë pesë të pafajshëm në Shijak. Po me urdhër të tij u vranë nëpërmjet skenarit të parapërgatitur të ‘arratisjes nga burgu’, koloneli gjerman Jager, Aristidh Qendro, Andrea Zisi, Qamil Taho, Kel Çoba e Galip Hatibi. U torturua fizikisht nga vetë i pandehuri dhe rreshteri i Mehmet Shehut”, deponon mes të tjerave në këtë seancë i pandehuri Vaskë Koleci.
Prokurori: -Kanë vazhduar të bëhen vrasje e tortura të paligjshme, me gjithë rezistencën e vartësve poshtë?
Vaskë Koleci: -Vrasjet e torturat kanë vazhduar me gjithë rezistencën që bëhej nga poshtë deri në fund të vitit 1947. Në vitin 1948, unë di një rast që jemi njoftuar nga seksionet e brendshme.
Prkurori: -Si e shihte Koçi Xoxe ligjshmërinë?
Vaskë Koleci: -Ligjshmërinë, as që e përfillte fare i pandehuri Koçi Xoxe. Ka qenë parulla e tij “Ligji më i madh është mbrojtja e Republikës dhe kjo vërtetohet se janë marrë masa për reprezalje.” Di një rast që ka ndodhur në vitin 1947 në Shijak që janë vrarë 5 veta në reprezalje për të frikësuar masën, pa pasur dokumente e material të mjaftueshëm. Urdhrin e ka dhënë vetë i pandehuri Koçi Xoxe. Ekzekutimi është bërë pa marrë vendimi formën e prerë. Ky është një rast konkret që di unë, por ka edhe shumë raste të tjera.
Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Koçi Xoxe a është ligjshmëria e tij kështu?
Koçi Xoxe: -Jo, unë nuk i kam thënë kështu të pandehurit Vaskë. Unë, siç kam thënë edhe në hetuesi, kam bërë ndonjë lëshim në vitet 1945 e 1946. Dhe jo kështu, siç thotë ky e Nesti Kerenxhi, që të ketë qenë si rregull në Ministrinë e Brendshme.
(Mbi këtë, shoku Prokuror lexoi një deklaratë të Stavri Papajt, i cili kur ishte në seksionin e Sigurimit të Beratit, i njoftonte Ministrisë së Brendshme se po vërtetohen arbitraritete, se të burgosurit po qëndrojnë një kohë të gjatë në paraburgim dhe nuk kanë mundësi t’i referohen gjyqit sepse edhe personeli është i pakët dhe hetimet nuk mund të plotësohen ashtu siç duhet, por që në lidhje me këto objeksione, i pandehuri Koçi Xoxe i është përgjigjur: “Kur shkelet ligji për të mirën e punës dhe të Partisë, është e lejuar”).
Prokurori: -Ja si përputhet kështu ajo që tha i pandehuri Vaskë Koleci në lidhje me parullën e të pandehurit Koçi Xoxe, se “mbrojtja e Republikës, është ligji më i madh”.
Koçi Xoxe: -Në lidhje me respektimin e afatit të paraburgimit ne kemi dhënë urdhër bashkërisht me Prokurorinë e Përgjithshme.
Prokurori: -Po kjo është e vërtetë. Dhe Prokuroria e Përgjithshme me këtë rast e pranoi se ka rënë në pozita trockiste. Por këtë gjë e bëri duke parë se ndërhyrjet e shpeshta të organeve të Prokurorisë nuk po sillnin asnjë përmirësim të kësaj gjendje. Prandaj ka thënë ta bëj këtë qarkore të përbashkët me besimin se organet e Sigurimit poshtë, duke parë edhe firmën e xhelatit Koçi Xoxe, do të frenoheshin në arbitraritetet që bënin. Me atë qarkore urdhërohej kufizimi i arbitrariteteve. Kurse në realitet, banditi Koçi Xoxe jepte urdhra të tjera në kundërshtim me këtë dhe këto arbitraritete, jo vetëm që nuk u kufizuan, por vazhduan më me egërsi.
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci se a ka qenë tortura një sistem pune në hetuesi?
Vaskë Koleci: -Po, tortura në hetuesi ka qenë sistem pune dhe vetë i pandehuri Koçi Xoxe e ka dhënë sinjalin duke goditur me pëllëmbë rreshterin e Mehmet Shehut për vrasjen e shoferit të shokut Mehmet Shehu. Këtë e ka rrahur me grushte dhe me shkelma në prezencën tonë në Divizionin e Mbrojtjes. Kjo ka qenë rrahja e parë që është përdorur në Sigurim, pastaj kështu ka vazhduar. Di dhe raste të tjera konkrete që ka dhënë urdhër i pandehuri Koçi Xoxe që të bëhen tortura si për Myzafer Pipën dhe Syrja Selfon. Për Syrja Selfon na ka thënë kur ishim të gjithë hetuesit aty se duhet të përdoret çdo torturë. Ka dhënë urdhër gjithashtu për torturimin e Salim Kokolarit, për Jusuf Hysenbegasin, për një Mehmet në Durrës, për Hilmi Hysin e të tjerë.
Prokurori: -Çfarë u bë me Syrja Selfon?
Vaskë Koleci: -Nuk e di se ç’u bë me Syrja Selfon se unë shkova në Bashkimin Sovjetik, por di që për këtë ka dhënë urdhër Koçi Xoxe të torturohet.
Prokurori: -Me urdhër të Koçi Xoxes, a janë nxjerrë njerëz nga burgu dhe janë vrarë?
Vaskë Koleci: -Unë di disa raste që me urdhër të Koçi Xoxes janë nxjerrë nga burgu dhe janë vrarë si për shembull koloneli gjerman i quajtur Jager, Aristidhe Qendro, Andrea Zisi, Qamil Taho, që ishte sa më kujtohet, kunati apo vëllai i vrasësit të Miladinit. Një kapiten i Mbrojtjes së Popullit që ka qenë edhe anëtar Partie është vrarë prapa shpine e pastaj Koçi ka propozuar të dekorohet duke u konsideruar se u vra në ndjekjen e të arratisurve. Këtu afër Tiranës është vrarë një i quajtur Kel Çoba, si dhe Galip Hatibi.
Prokurori: -Po njerëz që mbaronin vuajtjen e dënimit dhe në vend që të liroheshin, nxirreshin nga burgu dhe ekzekutoheshin?
Koçi Xoxe: -Ai që u vra këtej afër Tiranës, ishte agjent i gjermanëve.
Prokurori: -Trockist i ndyrë! Le të jetë si të dojë! Pa gjyq nuk mund të vritet asnjeri.
Koçi Xoxe: -Për të gjitha këto ka pasur aprovim të Sekretarit të Përgjithshëm (Enver Hoxhës).
Prokurori: -Po për njerëz të tjerë që janë vrarë pa gjyq, di të thotë gjë i pandehuri Vaskë Koleci?
Vaskë Koleci: -Kam dëgjuar edhe për Skënder Çelën, edhe për një tjetër nga Durrësi të cilët ishin ushtarë dhe janë vrarë pa gjyq në Korçë.
Prokurori: -Po për arrestime në masë a ka dhënë urdhër i pandehuri Koçi Xoxe?
Vaskë Koleci: -Për arrestime në masë, Koçi ka dhënë urdhër. Për shembull, është rasti i kryengritjes së Shkodrës në shtator të vitit 1945 ku u arrestuan më shumë se 300 vetë. Unë u dërgova me këtë rast atje dhe kur pashë se ishin dhe njerëz fshatarë të thjeshtë e të varfër të arrestuar, me urdhrin tim, janë liruar 150 vetë.
Gjithashtu, kur bisedohej në Konferencën e Paqes, Koçi Xoxe kishte dhënë urdhër të bëheshin arrestime qoftë edhe për ndonjë parullë të vetme. Janë pastaj edhe arrestimet e bëra në vitin 1947 ku një pjesë e madhe janë arrestuar pa ndonjë material. Por Koçi Xoxe thoshte se nga zhvillimi i proceseve do të dilte materiali.
Prokurori: -Po si do të dilte ky material, me anën e torturave?
Vaskë Koleci: -Natyrisht, me metodën e torturave do të dilte materiali se ishte metodë pune në hetuesi.
Prokurori: -Po çfarë konsekuencash kishte nga këto vepra?
Vaskë Koleci: -Prej këtyre veprave, vendi jonë dëmtohej sepse kanë pasur si objekt dëmtimin e pushtetit dhe shkëputjen e masave prej pushtetit të tyre.
Prokurori: -A ishte një vepër armiqësore kjo dhe a përfitonte armiku prej saj?
Vaskë Koleci: -Kjo ka qenë një veprimtari armiqësore e theksuar dhe prej saj, armiku ka përfituar.
Prokurori: -Janë dhënë urdhra për të pushkatuar në vend?
Vaskë Koleci: -Po, janë dhënë urdhra për të pushkatuar njerëz në vend gjatë operacioneve siç ishte ai i vjeshtës së dytë të vitit 1946 kur u bë operacioni i çarmatimit. Me këtë rast, i pandehuri Koçi Xoxe mblodhi shefat dhe u dha urdhër për vrasje e tortura. Ka raste që edhe për një pushkë të vjetër, janë vrarë apo torturuar fshatarë të varfër.
Prokurori: -Di gjë ti të jenë bërë vepra të tilla edhe pas rezolucionit të Inform-Byrosë?
Vaskë Koleci: -Pas rezolucionit të Inform-Byrosë në Dukagjin qe shpallur shtet-rrethim dhe nga Forcat e Mbrojtjes, me këtë rast, janë vrarë 2 gra dhe 2-3 fëmijë.
Koçi Xoxe: -Këto i di vetë i pandehuri, mua nuk më ka raportuar fare.
Prokurori: -Di gjë ti që i pandehuri Koçi Xoxe të ketë dhënë urdhër për formim gjyqesh speciale?
(Me këtë rast, Prokurori i vuri në dukje trupit gjykues se është fjala për gjyqe arbitrare të krijuara nga Koçi Xoxe e jo për gjyqe speciale që mund të krijohen me ligj).
Vakë Koleci: -Të tillë rast di kur është ekzekutuar Galip Hatibi, të cilit ju bë një gjyq special me urdhër të të pandehurit Koçi Xoxe.
Prokurori: -Po cili ishte ky Galip Hatibi?
Vaskë Koleci: -Di që ishte anëtar Partie, ishte arrestuar ilegalisht në kohë nate, duke dalë nga Sekretariati i Rinisë, prej organeve të Sigurimit.
Prokurori: -Metoda të zakonshme për trockizmin që përputhen me ato të gangsterëve, të rrëmbehen njerëz dhe të arrestohen fshehurazi. Prandaj themi, shokë gjyqtarë, se trockistët, për sa i përket kriminalitetit, janë internacionalistë. Të mbahen shënim të gjitha këto sepse këtu është një material i vlefshëm që do i shërbejë jo vetëm Partisë dhe vendit tonë, por edhe proletariatit të përbotshëm për të parë metodat e urryera që përdor trockizmi, ky armik i betuar i kauzës së proletariatit.
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e të pandehurit Vaskë Koleci: Si i grumbullonim informacionet në Sigurim për udhëheqësit, me urdhër të Koçi Xoxes dhe si ja vinim në dispozicion jugosllavit Safet Filipoviç.
-Akuza: Me urdhër të Beogradit, Koçi Xoxe vuri nën kontroll të Sigurimit gjithë korrespondencën ndërkombëtare të Komandantit(Enver Hoxhës) dhe udhëheqësve të tjerë.
-Prokurori: Cilat ishin tri mënyrat e shfarosjes masive të urdhëruara nga Koçi Xoxe dhe pasojat e tyre.
Po Zai Fundon , Anastas Lulon, Mustafa Gjinishin (qe cliroi nga burgu i Peqinit themeluesin e PKSh , Miladin Popovicin), trockisti K. Xoxe i vrau pa gjyq? Po fshataret e Lushnjes dhe te Mirdites K. Xoxe i vrau pa gjyq? Trocki eshte vrare pa gjyq, po nuk e di ne se Trocki vriste pa gjyq apo jo, qe te quhej ky lloj aktiviteti, trockist.