Vatnikaj: Debutimi, një emocion i veçantë

redaktor

Në barazimin e marrë në Laç, trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro mori disa sinjale pozitive. Përveç sulmuesit serb Stevan Raçiç, një paraqitje të mirë bëri edhe 19-vjeçari Jurgen Vatnikaj, që pas 26 minutave të aktivizuar në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar ndaj Lushnjës ku dhe debutoi me fanellën e kuqe, tashmë shijoi të parën sfidë si titullar. Mesfushori me tipare sulmuese tregon përjetimin e këtij debutimi duke shpresuar që në të ardhmen të japë edhe më shumë.

“Debutimi ishte një emocion i veçantë, ishte diçka e mrekullueshme. Objektivi im është të luaj sa më shumë, por kjo varet nga trajneri”, deklaroi Vatnikaj gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në zyrat e klubit Partizani.

Vatnikaj është një nga elementët e rinj të Partizanit, që në përbërje ka dhe futbollistë të kombëtares shqiptare si Emiliano Vila apo Amir Rrahmani i Shpresave si dhe Cuculi i Maqedonisë. Lojtari thekso se ndjehet mirë me grupin ndërkohë që nuk nguron të falënderojë edhe tifozët.

“E ndjej veten shumë mirë me grupin, pasi ka një frymë të mirë brenda në skuadër. Tifozët ishin të shumtë në mbështetje të ekipit dhe i falënderoj shumë”, thekson talenti i të kuqve.

Fundjava i rezervon Partizanit një tjetër transfertë, atë ndaj Apolonisë. Duke shpresuar për një tjetër ndeshje si titullar, Vatnikaj vlerëson kundërshtarin, që në sfidën e javës së parë i hapi jo pak punë Tiranës në “Qemal Stafa”.

“Apoloninë e pamë ndaj Tiranës. Është një ekip i mirë me cilësi por ne do të shkojmë për fitore në Fier”, vijoi Vatnikaj.

Ndërkohë, një objektiv personal është edhe grumbullimi me përfaqësuesen kuqezi të 21-vjeçarëve të Skënder Gegës.

“Shpresoj që të marr një thirrje nga trajneri Skënder Gega për të luajtur me 21-vjeçarët”, përfundoi Jurgen Vatnikaj deklaratën e tij për mediat.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *