Kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan vazhdon betejën e tij me rrjeteve sociale. Edhe pse Gjykata Kushtetuese në Ankara ka hodhur poshtë vendimin e qeverisë për bllokimin e tyre, Erdoan i`u drejtua kësaj gjykate me një ankesë formale kundër rrjeteve Twitter e YouTube. Objekt i ankesës janë regjistrimet e telefonatave të tij, të publikuara në këto rrjete sociale. Kryeministri turk e konsideron publikimin e regjistrimeve telefonike, si dhunim të të drejtave të familjes së tij. Madje ai kërkon prej këtyre rrjeteve sociale një dëmshpërblim prej 23 500 dollarësh. Por megjithë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qeveria turke duket se e ka bërë veshin e shurdhet. As Twitter dhe as YouTube nuk u është hequr bllokada. Erdogan mesa duket po pret edhe përgjigjen nga drejtuesit e kësaj gjykate për apelimin që i ka bërë këtij vendimi. Ai madje akuzon drejtuesit e kësaj gjykate si të korruptuar dhe të përfshirë në çështje politike. Qeveria turke vendosi bllokimin e këtyre rrjeteve sociale më 21 mars, për shkak të zgjedhjeve lokale, ku partia e tij gjithësesi fitoi bindshëm. Pak kohë më parë, të dyja këto rrjete publikuan pjesë të regjistrimeve të bisedave telefonike të kryeministrit turk, me djalin e tij dhe biznesmenë të afërt, ku flitej për përfitime e favore. Erdoan akuzon klerikun në arrati Fetullah Gylen si përgjegjës për regjistrimet, që i konsideron si sulme për të minuar arritjet e mëdha të Turqisë, nën qeverisjen e tij.
