TIRANË – Mjekësia Ligjore publikoi raportin paraprak për vdekjen e 11-vjeçarit, Denis Almadhi, i cili humbi jetën në sallën e operacionit gjatë një ndërhyrje kirurgjikale në sy. Sipas rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore, vogëlushi ka pësuar 8 arreste kardiake gjatë ndërhyrjes.
Mësohet se pas disa ditësh do të publikohet edhe raporti përfundimtar i analizave të fëmijës, ndërkohë që familjarëve u është dorëzuar edhe skeda e vdekjes, ku humbja e 11-vjeçarit cilësohet si aksident mjekësor.
VDEKJA
Denis Almadhi, 11 vjeç ka humbur jetën në sallën e operacionit të mërkurën mbrëma në QSUT, teksa po kryente një operacion estetik. I vogli vuante nga ptosis palpebral që në gjuhë popullore njihet si varje e qepallave të syrit. Familjarët kanë denoncuar në polici ngjarjen, ku sipas tyre, djali ka humbur jetën nga neglizhenca e mjekëve ose nga mbidoza e anestezisë.
Mjekët pohuan se djali vuante nga një sëmundje jo shumë e njohur nga masa, hipertemia malinje, e cila në kontakt me anestezinë ka protokoll të caktuar mbrojtjeje, pasi shkakton vdekje të menjëhershme. Ndërkaq komisariati nr.4 i policisë është duke hetuar ngjarjen, ku si provë materiale ka marrë kartelën e djalit ndërsa është në pritje të ekspertizës së vdekjes.
(Balkanweb)