Vdekja e Antonin Scalia, tërmet politik në SHBA

Ornela

Vdekja e gjykatësit ka potencialin që të vërë në lëvizje votuesit e dy partive duke marrë parasysh ndikimin e madh që Gjykata Supreme ka në çështjet e jetës në vend.

Sikur të mos mjaftonte fushata elektorale kaotike në SHBA, një ngjarje e papritur trondit politikat në vend: vdekja e ultra-konservatorit të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, Antonin Scalia.

Në SHBA, Gjykata e Lartë ka pushtet të madh dhe aktualisht ka 5 anëtarë republikanë dhe 4 anëtarë demokratë, të cilët votojnë sipas ideologjisë së tyre dhe jo praktikave ligjore. Vdekja e Scalias i hap mundësinë Barack Obamas të emërojë një demokrat, duke bërë që gjykata të kalojë nga e djathta në të majtë. Gjithashtu, vdekja e gjykatësit ka potencialin për të vënë në lëvizje votuesit e dy partive duke marrë parasysh ndikimin e madh që Gjykata Supreme ka në çështjet e jetës në vend.

Në të njëjtën kohë, republikanët kanë shumicën në Senat, i cili duhet të ratifikojë emërimin.

Për këtë arsye, ka të ngjarë të jetë një betejë e gjatë me muaj, ku opozita do të bllokojë të emëruarin nga presidenti. Kjo është diçka që ka ndodhur në Rezervën Federale, kur fituesi i çmimit Nobel në Ekonomi, Peter Diamond, pa se si Senati e hodhi poshtë propozimin e paraqitur nga Obama për emrin e tij. Në fakt, në një kërkesë absolutisht surreale, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Rafael ‘Ted’ Cruz ka bërë thirrje që emërimin për zëvendësin e Scalias ta bëjë presidenti i ardhshëm, duke shpresuar që atë post ta zërë ai.

Gjyqtari i ndjerë ishte i njohur për sarkazmën dhe konservatorizmin e tij. Siç tha dje partnerja e tij dhe rivalja ideologjike, Ruth Bader Ginsburg , “nuk pajtohesha me pothuajse asgjë nga ato çfarë ai thoshte, por më pëlqente shumë mënyra si e thoshte”. Katolik, i lindur dhe rritur në qytetin industrial të Trentonit, mes Nju Xhersit dhe Pensilvanisë, Scalia ishte i pari italo-amerikan, që u ngjit në Gjykatën Supreme. ‘Nino’, siç e njihnin miqtë e tij kishte punuar me qeveritë  republikane të Nixonit dhe Fordit, dhe u propozua për Gjykatën e Lartë nga Ronald Reagan në vitin 1986.

Gjyqtari ishte një mbështetës i Kushtetutës së SHBA, por duke marrë parasysh ndryshimet mes kohës kur ajo ishte shkruar dhe aktualitetit. Në SHBA, kjo përkthehej si qëndrim konservativ. Në shumë raste, Scalia binte në kontradiktë me veten me vendimet e tij, vetëm për të mbështetur republikanët.

Në thelb, Scalia kundërshtonte çdo gjë që nuk vinte nga republikanët, që përfshinte martesat mes homoseksualëve, aplikimin e dënimit me vdekje tek të miturit, reformën e kujdesit shëndetësor të Obamas, rregullimin e çlirimit të gazrave serrë, apo rregullimin e donacioneve të fushatave politike.

Scalia, i cili ishte 79 vjeç,  vdiq gjatë natës së të premtes në një hotel në El Paso, Teksas, ku ai kishte shkuar për gjueti. Pasioni i gjyqtarit për gjuetinë ishte i njohur dhe shpesh herë shkaktonte debat, si për shembull kur u akuzua për shkeljen e pavarësisë së Gjykatës së Lartë kur shkoi për gjueti rosash në Luiziana në vitin 2003 me mikun e tij zëvendës/presidentin, Dick Cheney . Sipas burimeve, grupi i gjuetarëve me të cilët shoqërohej gjykatësi, u shprehën se ai u largua mbrëmjen e të premtes duke thënë se nuk ndjehej mirë. Të nesërmen në mëngjes trupi i tij u gjet në dhomë pa jetë. /DITA

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *