Vdekja e lirikave

Ornela

Jashtë derdhet shiu me rrëmbim,
Nëpër trungje ngjyrë plumbi,
Ndjellë e përhap gjithkund trishtim,
E gjora muzë ku më humbi!

Ç’më tringëllin zemra si tel,
Si tel i artë kur tendoset,
Dergjur përgjumësh në tunel,
Lirika pellgjeve, fundoset!

Pellgje të verdha, pellgje të verdha,
Sikur përpijnë e hanë të gjallë,
Muzën e viseve nga erdha,
Ndjesi e dhembshuri e rrallë!

Dita skëterrë, nata katran,
Sot më mungon një gotë pelini,
Mos vallë u bëra sharlatan,
Sarhosh i mjerë si Esenini!

Dhe ty dashnore që s’të kam,
Jo, gjer këtu nuk mund të vish,
Unë sot u bëra sharlatan,
Me sharlatanin, s’mund të rrish!

Ç’më tringëllin zemra si tel,
Xhindet në lodra më thërresin,
Mes errësirës në tunel,
Lirika porsi vajzat vdesin.

Vajza e valëve

-Qanin dy dete ballë për ballë,
Njëri me lot tjetri me valë-

Qanin dy dete ballë për ballë,
Të dy të helmatisur,
Një shpresë e mjegullt mbante gjallë,
Ah, shpirtin e plagosur.

Po dallëndyshet varg e varg,
E prunë lajmin fundit,
Se mërgimtari diku larg,
S’do ngrihej më prej gjumit.

Vejushë e mjerë, virgjëreshë,
Tani s’ka kë të presi,
Në breg të detit pa një shpresë,
Nga vdekje e tij do vdesi.
….
Qajnë dy dete ballë për ballë
Dhe nuk pushojnë kurrë,
Se s’kish më shpresë ta mbante
Ah, shpirtin e sëmurë.

Një shkëmb i zi në breg ka mbetur,
Që t’iu tregojë të gjallëve,
Dhe njëqind vjet mbasi ka vdekur,
vajton vajza e valëve.

27.4.1995

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *