Mjeku pediatër Rasim Lusha është pushuar nga puna, pasi nuk ka ndjekur protokollet e mjekimit, duke mos i kryer asnjë analizë laboratorike vajzës 7-vjeçare, Arsela Vladi, e cila ndërroi jetë disa ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Ky ka qenë vendimi i ministrit Vangjel Tavo, ndërkohë që nëpërmjet përfaqësuesve të shëndetësisë ai i ka bërë thirrje prokurorisë të nisë hetimet dhe të bëjë zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Mjeku përgjegjës
Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar ngritjen e 2 grupeve të punës, si në spitalin e Durrësit dhe në atë të QSUT, që të ndihmojnë në hetimin e rastit. “Ministri Tavo urdhëron pushimin nga puna të mjekut Rasim Lusha, për shkelje të rënda dhe mosrespektim të protokolleve për këto çështje. MSH angazhohet për t’u shkuar përgjegjësive deri në fund, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten. Presim që organet e drejtësisë të veprojnë”, deklaroi Pëllumb Pipero, drejtor i politikave në MSH. Pasi grupet e punës bënë verifikimet e duhura, Ministria e Shëndetësisë mohon se shërbimi laboratorik nuk ka funksionuar për faktin që ka qenë dita e Krishtlindjeve. Duke iu referuar konkluzioneve të grupeve të punës, rezulton se mjeku roje nuk ka kërkuar asnjë ekzaminim laboratorik. “Theksojmë se sipas kartelës, fëmijës nuk i është bërë asnjë analizë laboratorike, deri në 08:00 të mëngjesit të 26 dhjetorit, edhe pse spitali rajonal i Durrësit është i hapur dhe funksionon 24 orë në 24. Fëmija nuk është ndjekur sipas protokolleve dhe për pasojë nuk është mjekuar në mënyrë adekuate dhe pa asnjë ekzaminim laboratorik”, nënvizoi Pipero.
Prokuroria
Prokuroria e Durrësit konfirmoi dje se është vënë në dijeni me lajmin nëpërmjet medieve dhe po kështu për kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë. Dje është nisur një hetim kryesisht, pasi familja e vajzës 7-vjeçare nuk kishte bërë denoncim. Prokurorët po mbajnë kontakte me dy grupet e shëndetësisë dhe do pyesin familjarët.