Ilaçi që mund t’i shpëtonte jetën 11-vjeçarit Denis Alimadhi që gjeti vdekjen nga nderhyrja kirurgjikale në qepallën e syrit nuk gjendet në vendin tonë. Nëndrejtori i Qendres Spitalore Universitare “Nenë Tereza” në Tiranë, Besim Boçi, sqaron se ai është një medikament i shtrenjtë dhe përdoret në raste të rralla prandaj kompanitë farmaceutike nuk e fusin në tregun shqiptar. “Vdekja e të ndjerit ka ndodhur në mes të operacionit si rrjedhojë e një hipertermie malinje.
Fillimisht fëmija kaloi në vdekje klinike dhe nga aty ne e dërguam në reanimacion, por nuk u rikthye më në jetë. Theksoj se ekziston një medikament i cili mund ti shpëtonte jetën, por spitali nuk e disponon”, deklaroi Boçi. Për denoncimin e familjarëve të viktimës, mjeku sqaroi se ata ishin njohur me rrezikshmëritë e ndërhyrjes kirurgjikale dhe se kishin firmosur para se 11-vjeçari të hynte në sallë. Ai kujton se janë kryer edhe dy ndërhyrje të tjera të ngjashme dhe se kanë dalë me sukses.
Sa i përket shkaqeve që çuan në humbjen e jetës, mjeku Boçi tregon se anestezia mund të ketë ndikuar, por nuk është shkaku kryesor, duke theksuar se ndikim vendimtar kanë pasur anomalitë e trashëguara te fëmija.
Por megjithatë, Shoqata Shqiptare e Anestezi Reanimacionit hedh poshtë ekzistencen e një antidoti specifik që mund ta luftonte këtë komplikacion. Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, tha se mjekët kanë zbatuar rregullat dhe se nuk është faji i tyre për një aksident spitalor.
Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo reagoi nga qyteti i Shkodrës lidhur me vdekjen e 11-vjeçarit Denis Alimadhi gjatë një operacioni në sy. “Komplikacioni erdhi si rrjedhojë e një hipertermi malinje. Operacioni në fjalë u krye bashkë me mjekët e QSUT. Është ngritur një grup pune që po merret me këtë rast, por drejtësia duhet të bëjë pjesën e saj”, tha Tavo.
Familjarët e të miturit denoncuan në polici rastin duke e cilësuar si të papranueshme humbjen e fëmijës si shkak e një operacioni në sy, i cili ishte deklaruar më se normal për t’u kryer. 11-vjeçari i ishte nënshtruar operacionit për rënie të qepallës e njohur në gjuhën mjekësore si “Ptosios palpebral”, por jo vetëm që nuk gjeti sherim, por humbi dhe jetën më duart e mjekëve. Ndërkaq, dje është sekuestruar edhe dosja me kartelën mjekësore të 11-vjeçarit. Grupi hetimor me ekspertë të Prokurorisë po heton rastin, pavarësisht faktit që bluzat e bardha dje kanë mbrojtur me të madhe faktin se ka qenë aksident dhe jo gabim.