Rigers Pjetrushi humb jetën si shkak i një aksidenti fatal të ndodhur në Gjirokastër, dy kolegë të tij plagosen, por janë jashtë rrezikut
Futbolli shqiptar është në zi pas aksidentit tragjik të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, i cili i mori jetën gjyqtarit Rigers Pjetrushi. Si pasojë e aksidentit ka mbetur i vdekur edhe një person tjerët, ndërkohë që janë plagosur pesë të tjerë, ndër ta dy kolegë të Pjetrushit. Gjyqtari i ndeshjes midis Luftëtarit dhe Kastriotit, Edvin Hoxha, dhe asistenti i tij, Ridiger Çokaj, gjithashtu nga Lezha, kanë mbetur të plagosur. Sipas policisë së Gjirokastrës, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës tre e gjysmë të mëngjesit, në vendin e quajtur kthesa e Kordhocës.
Mjetet e përfshira në aksident kanë qenë një Volkswagen i Lezhës, i drejtuar nga Klodian Vargu, në të cilin ishin edhe gjyqtarët, me një Mercedes taksi, me targa të Gjirokastrës. Si pasojë e përplasjes, automjeti Mercedes ka dalë nga rruga, duke rënë në kanalin anës saj. Nga përplasja e dy automjeteve kanë humbur jetën, pas rreth gjysmë ore në spital, dy nga pasagjerët, konkretisht Ridigers Pjetrushi, 32 vjeç, nga Lezha, pasagjer tek automjeti Volkswagen dhe shtetasi Ilirjan Xhemali, pasagjer tek automjeti Mercedes. Personat e tjerë të përfshirë në aksident janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në vendngjarje ka kryer veprimet e para hetimore dhe nga kqyrja e vendngjarjes ka rezultuar se shkaku paraprak i aksidentit është humbja e kontrollit të automjetit tip Volkswagen, cka ka sjellë për pasojë edhe përplasjen me automjetin tjetër. Drejtuesit i këtij të fundit ka marrë vetëm plagë të lehta, pa pasoja për jetën. Në spitalin e Gjirokastrës ka qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i cili ka vizituar dy gjyqtarët e plagosur.
Ndalon futbolli
Pjetrushi ishte gjyqtar i katërt i takimit të luajtur në Gjirokastër, fituar 2-0 nga Luftëtari. Ai ishte bërë gjyqtar futbolli prej disa vitesh, duke çuar përpara traditën e një familjeje të njohur, e cila ka nxjerrë “bilbila” të tillë si Prek Pjetrushi dhe Engjëll Pjetrushi. Ky i fundit është babai i të ndjerit. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar shtyrjen e tri ndeshjeve të së dielës, për javën e dhjetë të Kategorisë Superiore. Dy prej takimeve, Kukësi-Besa dhe Laçi-Tomori, do të luhen të mërkurën në orën 14:00, ndërsa për ndeshjen kryesore të javës, midis Skënderbeut dhe Flamurtarit, nuk është lënë ende ndonjë datë. Ajo nuk mund të luhet të mërkurën si dy ndeshjet e tjera, për shkak se Skënderbeu dhe Flamurtari kanë lojtarë në kombëtaren shqiptare, e cila në mbrëmjen e asaj dite do të jetë e impenjuar me miqësoren kundër Kamerunit.