Vdes studentja 23-vjeçare që u përdhunua barbarisht disa ditë më parë në Indi. Vajza ishte shtruar në një spital në Singapor, pas plagëve dhe traumës që erdhi pas dhunës seksuale që pësoi teksa udhëtonte me autobus në një nga lagjet e kryeqyteti Nju Delhi.
Ngjarja ndodhi dy javë më parë dhe ndezi zemërim te indianët, të cilët dolën në protesta kundër krimit të shëmtuar, duke kërkuar dënimin me vdekje për dhunuesit e femrave, që ligji aktual i dënon me burgim të përjetshëm. Pas vdekjes së vajzës, e cila u kthye në heroinën e kauzës, policia indiane po merr masat për të tjera protesta.
Përdhunimi
Studentja 23-vjeçare, identiteti i të cilës është mbajtur sekret, u përdhunua barbarisht nga gjashtë persona në 16 dhjetor, teksa kthehej nga kinemaja së bashku me mikun e saj. Përdhunuesit e rrahën djalin që shoqëronte studenten dhe përdhunuan vajzën, duke i futur më pas një shufër hekuri në trup, çka i shkaktoi dëmtime fatale në organet e brendshme. Si pasojë e kësaj, vajza vuajti disa ditë më pas nga infeksioni në mushkëri dhe dëmtimi në tru, ndërsa më pas pësoi një atak kardiak. Trupi i saj pritet të kthehet në Indi, ku do të varroset gjatë ditëve të ardhshme.
/ Përgatiti: Gazmira Sokoli