Vangjush Ziko
Në të gjitha kryeveprat e letërsisë botërore e gjejmë të mishëruar idenë e një realiteti të ri, të një morali dhe arti që e kapërcen kohën e vet.
Edhe vetë filozofi gjerman Hegeli e ka pohuar idenë se arti është morali i shoqërisë së ardhme.
Rindërtimi i një realiteti të ri është një mision filozofik, sociologjik, artistik dhe estetik, mbi të gjitha, një projekt human, i cili nuk është aspak një anatemë ndaj shoqërisë së kohës së vet, por projekt i perspektivës dhe i aftësisësë së vetë shoqërisë njerëzore drejt një hapi të ri të panjohur më parë.
Në një intervistë të vitit 1998 në RTV, Moikom Zeqo shprehet:
“…unë kam një mendim të përcaktuar mbi botën dhe ky mendim i përcaktuar i imi, ndoshta nuk përputhet me këtë shoqëri që jetojmë sot”.
Moikom Zeqo ka krijuar një korpus solid i cili ka sjellë një brendi dhe një filozofi të re krijuese në historinë e letërsisë kombëtare.
Tipari kryesor i saj është kozmogonia poetike e cila nënkupton përvetësimin artistik dhe reformimin e realitetit.
Në themel të saj qëndron metafora konceptuale e cila ka aftësinë të krijojë një realitet të ri, duke vënë përballë koncepte jo adekuate semantike të gjykimit njerëzor.
Nga kjo përballje konfliktuale përftohet një gjykim i ri dhe njohuri të reja mbi botën që na rrethon.
Moikomi vë përballë dukuri të jetës me ato të natyrës, të botës konkrete dhe të asaj abstrakte, të realitetit konkret dhe të atij metafizik, të së tashmes me ato të së kaluarës dhe të së ardhmes, të jetës tokësore me atë kozmike, të ëndrrës me zhgjëndrrën, një kozmogoni poetike fantastike e jashtëzakonshme nga e cila përftohen perceptime krejt të reja mbi jetën dhe botën, një moral dhe një përfytyrim krejt i ri, një univers i ri poetik i paparë më parë në poezinë tonë.
Siç pohon Moikomi në intervistën, që përmenda më lart, një vizion ky, që nuk është aspak mistik, që nuk mund ta emërosh lehtë me një term të huazuar nga filozofia, që nuk është aq i shpjegueshëm deri në fund, është, siç e përcakton ai “një lloj panteizmi i brendshëm shpirtëror i artit”.
Vepra letrare është kështu një përvetësimi artistik dhe riformim i realitetit.
Motivi kryesor mbetet ndërgjegjja krijuese dhe vetëdija e misionit vegimtar mbi rolin mesianik të poetit dhe të poezisë.
Ky mision ka qenë dhe mbetet gjithmonë i tensionuar dhe në konflikt të pashmangshëm me realitetin aktual.
Në letrën shkruar Vasil Vasilit në vitin 2006 ai shkruan:
“Poezia burimsohet nga kriza.
Jashtë krizës nuk ka Poezi.
Pakënaqësia lind vizione të mëdha”.
Poezia e shkruar në vitet ’70 i solli shqetësime serioze Moikomit, “ e dëshpëroi” siç shkruan ai.
E bëri atë që të heshtë për një kohë.
Akuza zyrtare ishte “hermetizmi”.
Që desh të thoshte mospranim i metodës zyrtare të realizmit socialist.
Mospajtimin e tij me gjykimin e kohës Moikomi e shpreh qartë në intervistën e vitit 1998:
“Kontradikta ime qëndron midis pozicionit që unë mbaj, nga thelbi i popullit me “elitën” politike” dhe shton:
“sepse unë jam ai që jam, sepse unë nuk dua të jem ai që më duan të tjerët”.
“Poezia që kam shkruar në vitet ’70 të shekullit të kaluar ka qenë liria ime për të tjerët”.
Sfida e Moikomit për një porjekt të një realiteti të ri ka filluar herët!
Cili është realiteti i ri që mëton Moikom Zeqo të na krijojë me kozmogoninë e tij poetike?
2.
Krijimtaria poetike e Moikom Zeqos është një akt i krijimit të një realitetit të përfytyruar.
Për ta përcaktuar dhe përkufizuar këtë po nisem nga koncepti bazë filozofik dhe estetik i kësaj krijimtarie, i cili, sipas meje, është më kryesori:
Poeti dhe Universi.
Ky koncept ka parasysh lidhjen e ngushtë midis Makrokozmosit dhe Mikrokozmosit, midis Gjithësisë dhe Njeriut.
Njeriun si mikrokozmos e gjejmë si në filozofinë antike edhe në poezinë e shekullit tonë, sigurisht, të rilindur.
Vendosja e njeriut në qendër ndihmon në interpretimin e çdo lloj dukurie, shoqërore, natyrore dhe kozmike.
Duke e pranuar këtë tezë, pohohet dhe shpegohet edhe veprimi tjetër, ai i rikrijimit të realiteti të ri në krijimtarinë poetike.
Duke e paraqitur këtë si një ndërlidhje dhe vazhdimësi të mitologjikes në realen e sotme.
Këtë na e dëshmon më së miri dhe krijimtaria e Moikom Zeqos.
Ai shkruan:
“Poeti e ka
Si oshëtimë në trup
Imagjinatën e mbyllur
Dikur, në një amforë zotash!”
Ai guxon ta ndjejë veten të barabartë me Demiurgun:
“ndiej energjitë e magjepsura të Krijimit!”
Dhe është i bindur se “poetët projektojnë Njerëzimin e Ri!”.
Po të ndalonim deri këtu, do të kishim të bënim me një projekt romantizant.
Të rikrijosh realitetin e ri të premtuar, do të thotë të rishikosh edhe stereotipet religjioze, t’ia përshtatësh ato epokës.
Siç përmenda më lart, Moikomi nuk është aspak mistik, por, në të njëjtën kohë, thotë se e ka të vështirë të përdorë një term të saktë filozofik për ta përcaktuar saktësisht opinionin e vet.
Dhe kjo është e vërtetë.
Ai nuk beson në një Zot.
Por, nga ana tjetër, vazhdimisht përmend Krishtin dhe na e sjell si shembull frymëzues në ligjërimin e tij.
Ky pozicion më sjell ndër mend Naim Frashërin, poezinë e tij “Përpara Krishtit”, që na jep figurën e një martiri të vërtetë për hir të idealit të tij fetar.
Moikomi na flet me admirim në parathënien e librit “Golgotë Fluturash” për këtë Martir të besimit dhe pikërisht për atë që Krishti sakrifikoi anën njerëzore për të ruajtur shenjtërinë e tij.
Moikomi është ateist, por ai, nga ana tjetër, pranon që është “një shenjtor i artit”.
Për artin ai është gati të sakrifikojë gjithçka, përveç Shenjtërisë së Krijimit!
Mbi gjithçka ai vë sublimimin e Poezisë si art i madh i rikrijimit të një realiteti të ri.
Ky është sfondi i mirëfilltë filozofik dhe filozofia e kozmogonisë së tij poetike.
***
Ndërsa sistemi figurativ dhe mjetet e gjuhës artistike, që përdor poeti, përbëjnë sistemin estetik të këtij projekti për rikrijimin e ralitetit të ri vegimtar.
Me një sistem figurash të konsumuara dhe me një ligjërim poetik të vjetëruar nuk është e mundur të vihet në jetë një program i tillë avanguardist.
Për këtë shkrojta më lart.
Tropi kryesor artistik që përdor Moikomi, tropi magjik i tij është Metafora Konceptuale.
Nuk po hyj në hollësi të tjera.
Çdo metaforë e tij është si “Gishtoja, – që jeton, – bëmat e një Gjigandi!”.
***
Do të shtoja vetëm një gjë të re, që nuk e kam thënë.
Për energjinë e lartër të ligjërimit moikomian.
Po bëj një paralele, mbase, të çuditshme.
Ajnshtajni, në vitin 1905 shpalli botërisht formulën magjike kozmike: E=mc2(energjia është e barabartë me masën, shumëzuar me (c2) shpejtësinë e dritës në katror).
Po ta perifrazojmë, shpejtësia e dritës (fantazia e mendimit) përcakton edhe sasinë e energjisë(e potencës që ka vargu).
Të flasësh për një projekt universal të rindërtimit të një realiteti të ri pa një “energji” të re, më e pakta, është një utopi e vjetëruar.
Kjo energji e re është Fantazia Universale Moikomiane, janë “Inteligjencat e fshehta të Fjalëve”, “gjaku” i ligjërimit të tij poetik, që ka “Molekula Planetët”.
“Lexomëni, ju lutem !
Që nga ky çast do t’ju bëj të mendoni
ndryshe, – krejt ndryshe !
Amen !”
(Eshtrat e Zodiakut, f, 292)
