Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca e 16-të.
Aranit Çela: Darka në banesën e oficerit Ismet Isufi, alibi e Kadri Hazbiut për vizitën e fshehtë që bëri tek Mehmet Shehu pak orë para vetëvrasjes!
(Vijon nga numri i kaluar)
Në pohimet e dëshmitarit Veli Llakaj, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në seancën e 16-të të gjyqit kundër Kadri Hazbiut, konfirmohet se natën e 17 dhjetorit, Hazbiu ka qenë në ditëlindjen e oficerit Ismet Isufi, së bashku me disa shokë e shoqe të ministrisë. Por për Aranit Çelën, kryesuesin e trupit gjykues dhe prokurorin Rrapi Mino, ‘Darka në shtëpinë e oficerit Isufi, është alibi e Kadri Hazbiut kundër akuzës e dëshmive se ai ka qenë pak orë para vetëvrasjes së Mehmetit në shtëpinë e këtij të fundit’. Në këtë seancë kanë dëshmuar gjithashtu dhe Eli Kokushta dhe mikpritësi Ismet Isufi….
Kryetari(Aranit Çela):- Në orët e vona të 17 dhjetorit kur u vetëvra Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu ka qenë në një darkë, ditëlindje të një punonjësi të tij. Fiqret Shehu atribuon se atë natë, Kadri Hazbiu ka takuar Mehmet Shehun dhe u ka sjellë porosinë-ultimatum të agjenturave të huaja për të vrarë Enver Hoxhën në Mbledhjen e Byrosë Politike. Në atë darkë kanë qenë Veli Llakaj, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Eli, sekretare në ministri e disa të tjerë… Eli Kokushta, emri mbiemri….
Eli Kokushta:-(Jep gjeneralitetet). Emri i babait Pandi, i nënës Stefani, lindur më 1950, kandidate Partie, e pa dënuar….
Kryetari:– Të kemi thirrur si dëshmitare lidhur me këtë çështje që po gjykohet këtu dhe që u përket të pandehurve Mihallaq Ziçishti, Xhavit Ismailaga, Ali Çeno, Llambi Peçini, Feçor Shehu, Kadri Hazbiu e Gani Kodra… I njeh apo s’i njeh… Kadri Hazbiun e njeh?
Eli:- E njoh, kam punuar me atë.
Kryetari:– Të kemi thirrur ty Eli të na tregosh vetëm për këtë fakt: Kur ka ardhur Kadri Hazbiu natën e 17 dhjetorit të vitit 1981 në shtëpinë e Ismet Isufit….
Eli:- Po.
Kryetari:– E di ti këtë?
Eli:- E di kështu. Që Ismeti, më 17 dhjetor të vitit 1981 kishte 35-vjetorin. E dija para disa ditësh që ai do të festonte ditëlindjen edhe kishte mendimin që të thërriste edhe Kadri Hazbiun. Erdhi data 17 dhjetor. Ismeti u përgatit që të festonte ditëlindjen. U bë një ceremoni e vogël aty në sallën e kolegjiumit me shokët e drejtorisë dhe kaq. Pastaj Kadri Hazbiu iku në mbledhje. Ismeti deri pasdite, ishte në siklet se nuk e dinte nëse do të vinte apo nuk do të vinte ai. E mora në telefon pasi shkova në zyrë, pasi kisha dal e kisha blerë një dhuratë për Ismetin. Dhe Ismeti më thotë që nuk e di a do të vijë apo jo. I thashë, se me sa mora vesh unë, siç më tha Veli Llakaj, Kadriu vazhdon të jetë në mbledhje… Mora në telefon unë dezhurnin e Komitetit Qendror, aty tek dera, dhe më del ai shoqëruesi, Ymeri. I them nëse i kanë thënë gjë Kadri Hazbiiut që Ismeti e pret për darkë. Më tha, që unë(Ymeri), nuk i thashë gjë. I thashë unë, të lutem, meqenëse Ismeti është përgatitur, kur të dalë në pushim Kadriu, i thuaj që ai e pret. Mirë, më tha. Në pushim Kadri Hazbiu më merr në telefon në zyrë dhe më thotë që ju ikni se unë do të vonohem. Edhe unë i thashë, mirë, por Ismeti ju pret se është përgatitur. Tha ai, Kadriu, unë do të vonohem, po nëse mbaroj shpejt do të vij. Ne u nisëm rreth orës 20:00. Unë isha me makinë. Vajta me makinë me Veli Llakajn, me Diftir Hysin dhe me Çerçiz Xhelon. Aty vajtëm, po rreth orës 20:00. Kaloi një orë e ca. Tani, që t’u them ekzakt orën, nuk kisha pse ta shikoja me vëmendje. Por Kadriu ka ardhur rreth orës 22:00. Mund të ketë qenë pa 10, pa një çerek tani, po rreth orës 22:00 ka qenë. Që ta kem parë me saktësi kështu, s’e kam parë se nuk kisha pse, domethënë, të isha shumë e vëmendshme që qe kaq apo aq. Ra telefoni. Doli e kapi Ismeti dhe tha që do të vijë. E doli Ismeti e priti poshtë, e ai erdhi. Për të qëndruar, kemi qëndruar mbi tre orë e ca. Se kur kam vajtur në shtëpi e kam parë orën, ishte një pa dhjetë. Atëherë më bëri përshtypje e thashë: Ua sa shumë paskemi qëndruar?!
Kryetari:– Po lidhur me atë se kur ka ardhur Kadri Hazbiu, kishte filluar pija?
Eli:- Kishim filluar.
Kryetari:– Këndonit?
Eli:- Po, këndonim.
Kryetari:– I pandehur Kadri Hazbiu, ke pyetje?
Kadri Hazbiu:- Kam posi. Nëse është e sigurt kur thotë që unë nuk i vura vëmendje orës. Është e sigurt në atë që thotë se vajta rreth orës 22:00? Domethënë, është e sigurt, në këtë kuptim e kam?
Eli:- … Unë them nga ora 22:00, se kishim vajtur aty nga ora 8 e ca dhe kishim, domethënë, kohë që kishim filluar. Prandaj them që ka qenë kaq. Unë thashë që nuk e pashë orën, qe 9 e gjysmë, pa njëzet e pesë, a qe…..
Kadriu:- Po në qoftë se është kështu, pse cakton orën 22:00? Mund të thotë që nuk e pashë dhe vajti…
Kryetari:– S’ke tjetër. Shko, të vijë Veli Llakaj. Emri, Veli…
Veli Llakaj:- Mbiemri Llakaj. Emri i babait Muhamet, i nënën Naile. Datëlindja 1925. I përjashtuar nga Partia…
Kryetari:- Të kemi thirrur si dëshmitar lidhur me këtë çështje që po gjykohet këtu dhe që u përket të pandehurve Mihallaq Ziçishti, Xhavit Ismailaga, Ali Çeno, Llambi Peçini, Feçor Shehu, Kadri Hazbiu e Gani Kodra… I njeh apo s’i njeh… I njeh?
Veliu:- I njoh.
Kryetari:- … Gjykata kërkon që ju të flisni të drejtën, të vërtetën… Ju kemi thirrur për çështjen e darkës që është bërë më 17 dhjetor tek Ismet Isufi. Të na thuash lidhur me këtë se në ç’kohë ka ardhur Kadri Hazbiu atje?
Veliu:- Në datën 17 dhjetor 1981, oficer Ismet Isufi kishte përvjetorin e lindjes. Përveç tre-katër shokëve të organizatës bazë kemi shkuar në këtë darkë që do të vinte dhe Kadri Hazbiu. E kemi pritur Kadri Hazbiun rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Në orën 22:00 ka ardhur ai. Ka ardhur shumë i lodhur, i djersitur dhe shumë impulsiv. Sa ka ardhur ka kërkuar falje se kishte qenë në një mbledhje të Byrosë Politike e prandaj ishte vonuar. Kemi qëndruar atje deri rreth orës 24:30 ose deri në 01:00 të ditës së nesërme. Pas kësaj ore, jemi larguar në shtëpitë tona. Unë kam ikur së bashku me makinën e Kadri Hazbiut, së bashku me një shoqe tjetër, me atë Elin, deri tek shtëpia ime. Pastaj ai ka çuar atë shoqen tjetër më lart, se kështu i kishim rrugët. Dhe u ndamë…
Kryetari:- Në kohën që ka ardhur Kadri Hazbiu, kishte filluar pija, kënga gjë?
Veliu:- Jo, prisnim Kadri Hazbiun…
Kryetari:- Eli Kokushta pretendon se është kënduar. Thotë që kishit filluar?
Veliu:- Jo, jo, nuk ka…
Kryetari:- Nuk keni filluar?
Veliu:- Jo. Ne e prisnim këtë, se kishte thënë që do të vij….
Kryetari:- Keni ndonjë pyetje?…
Kadriu:-… Po kam. Është i sigurt, apo e jep me për afërsi Veliu atë orën 22:00?
Veliu:- Tani, saktë nuk e kam, po rreth orës 22:00 ka qenë… Rreth orës 22:00.
Kadriu:- Ç’domethënë rreth orës 22:00? Si ta kuptojmë, një çerek ore prapa, apo përpara?
Veliu:- Mund të ketë qenë ora 21:45, mund të ketë qenë 22:05, e 10 ndoshta… Po rreth kësaj ore ka qenë…
Kadriu:- Kërkoj të evidentohet kjo çështja që thotë Veliu se nuk këndohej, se nuk kishte filluar darka…
Kryetari:- Mirë. Mund të largohesh. Ismet Isufi. Emri, Ismet…
Ismeti:- Po, Ismet Isufi. Babai Selim, nëna Bedrije, lindur më 17 dhjetor 1946, anëtar Partie….
Kryetari:- I njeh këto të akuzuarit?
Ismeti:- (Përgjigjet se njeh Kadriun, Feçorin, nuk njeh Llambi Peçinin, njeh Mihallaq Ziçishtin, njeh Gani Kodrën, njeh Xhavit Ismailagën, njeh Ali Çenon….)
Kryetari:- Të kemi thirrur ty rreth një fakti, rreth darkës që është bërë në shtëpinë tënde, rreth orës që ka ardhur Kadri Hazbiu atje..?
Ismeti:- Në shtëpinë time, me rastin e ditëlindjes, kisha ditëlindjen më 17 dhjetor të vitit 1981, erdhën shokët Diftir Hysi, Veli llakaj, Eli Kokushta, Çerçiz Xhelo, etj… Dhe kishin biseduar përpara në telefon me armikun Kadri Hazbiu dhe i kishin thënë nëse do vish në ditëlindjen që ka Ismeti. Ai kishte thënë, ju ikni, unë mund të vij, mund dhe të mos vij, po karrigen time lëreni bosh. Ne, rreth orës 20:00 filluam darkën në shtëpi. Pritëm, nuk erdhën, e filluam….
Kryetari:- Çfarë bëtë ju që filluat?
Ismeti:- Filluam të këndonim, të hanim e të pinim, të gëzonim për ditëlindjen. Kishte Kaluar një orë. Më merr në telefon radisti Ymer Toçi dhe më thotë që ne do të vijmë. U vonua, domethënë, nga ora që ai mori në telefon, një çerek ore. Unë, orën nuk e pashë në fakt, se edhe kishim pirë, por kishte kaluar mbi një orë e ca. Domethënë armiku Kadri Hazbiu mund të ketë ardhur para orës 10 pa njëzet, ose 10 pa një çeke, në atë kohë… Erdhi më uroi atje për ditëlindjen. Filluam të pinim, kishim gëzim domethënë. Por unë me që kishim pirë shumë, dola përjashta, por isha i dërsirë dhe u sëmura. U shtriva në dhomën time dhe isha në gjendje jo të mirë, domethënë, i dëgjoja muhabetet të gjitha, por nuk mund të qëndroja dot në dhomë. Nga sa kam biseduar edhe me njerëzit e mi, edhe duke analizuar në dritën e fakteve që hedh sot partia më bën përshtypje diçka. Më bën përshtypje mua, dhe njerëzve të mijë, fakti që ky, Kadriu, erdhi i lodhur në darkë. Nuk kishte më karakterin e atij humori e muhabeti që ky e bënte, që kishte aftësi ta bënte. Por mbajti qëndrim disi zyrtar e filloi të pinte e këndonte…. Se kishim mësuar me shokët, se ai nuk e pinte shumë rakinë se thoshte i bënte dëm. Po pastaj, atë natë ka pirë mirë raki e ka kënduar dhe mendoj se ky është sikleti që kishte nga Mbledhja e Byrosë Politike. E nxirrte duke kënduar e duke pirë raki. Kaq kisha për këtë…
Kryetari:- Kaq kishe. Ka ndonjë pyetje?
Gjyqtari:- Të nesërmen me shokë të tjerë e biseduat që erdhi mbrëmë, erdhi filani…?
Ismeti:- Ditën tjetër unë nuk kam shkuar në punë se isha i sëmurë.
Gjyqtari:- Po pas dy ditëve. Kjo që erdhi pas orës kaq…!!??
Ismeti:- Jo, jo. Po të më lejojë trupi gjykues për të thënë diçka që më ka bërë përshtypje dhe më vonë…
Kryetari:- Thuaje.
Ismeti:- Pas punimit të Tablosë Sinoptike, kam vërejtur se armiku Kadri Hazbiu ishte i shqetësuar edhe në zyrë. Ishte i tronditur dhe e gjenim shpesh që nuk mbante materiale përpara. Nervozohej për gjërat më të vogla dhe dridhte cigare, e shikonte nga tavani. Një javë para se të bëhej Mbledhja e Byrosë Politike, i kishte kërkuar Elit një material që ky kishte mbajtur në Radiotelevizion në gusht të vitit 1981, lidhur me librin e shokut Enver ‘Kur lindi Partia’. Dhe i thotë, të kujtohet ku e ke atë material, çfarë kam folur unë për armikun
Mehmet Shehu. Ajo i thotë që ‘unë kam ruajtur një kopje’. Edhe ajo i jep këtë kopjen. E shikoi dy apo tre herë ai, dhe e fshiu me stilokalem këtë. Edhe i tha: Po sikur të gjejmë origjinalin? Po mirë, i tha ajo, interesohemi. E kërkon kjo shoqja në Radiotelevizion, po ata shokët nuk ja japin. Ai i thotë disa herë, moj, po si nuk ma gjete atë materialin. Një ditë më lutet kjo Eli dhe më thotë: Të lutem më ndihmo ti se më kërkon ministri këtë material, dhe mua ata shokët nuk ma japin, më thonë ç’e do këtë material. I ka ngelur mendja, tha, çfarë kam folur unë për armikun Mehmet Shehu, sepse unë nuk kam folur sa kam shkruar këtu, por më duket se kam shtjelluar dhe diçka me gojë. U interesuam në Radiotelevizion, por ata shokët nuk na e dhanë se thanë që ne i ruajmë, po mund t’u dërgojmë një fotokopje. Po më vonë u bë mbledhja dhe….
Kryetari:- S’arriti. Të thirret Llesh Rroku, ish-mjek i Mehmet Shehut. Emri Llesh…
Lleshi:- Mbiemri Rroku, emri i babait Tom, i nënës Marrë, datëlindja 1949, kandidat Partie, i pa dënuar…
Kryetari:- Gjykata kërkon të flasësh, të flasësh të vërtetën lidhur me çështjet që do pyetesh… Të pyesim ty lidhur me çështjen e datës 17 dhjetor, natën që u vra kryeagjenti Mehmet Shehu. Duam të dimë, atë natë, me Ali Çenon, je takuar apo s’je takuar. Vetëm lidhur me çështjen e Ali Çanos.
Lleshi:- Qysh nga viti 1979 kam qenë mjek kardiolog pranë kryeagjentit Mehmet Shehu. Ai ishte komplet…., familja e tij ishte një familje gjarpërinjsh, një familje komplet e ashpër me gjithë punonjësit, ne që ishim aty. Pas shtatorit e prapa, pas prishjes së fejesës, u bë tamam si pulë e lagura, sa të gjithëve na bëri përshtypje që ky njeri kaq katil dhe i tmerrshëm, u kthye në një njeri kokë ulur….. Kështu, pas datës 17, pas Mbledhjes së Byrosë Politike, unë e shoqërova në Komitetin Qendror se isha mjek për ndihmën e shpejtë. Kisha për detyrë ta shoqëroja. Kur kërkoi këtë (Aliun), atë e priste e shoqja, agjentja Fiqret Shehu në katin e parë tek studio e tij. Tek dhoma e punës në katin e parë. Aty kërkova të maste tensionin. Tensionin e kishte në shifra të larta dhe i thash që e keni të lartë. Jo, tha, do të pi kafe. Më pyeti kush është me shërbim. I thashë që është Pëllumb Rusto në shërbim. –Po Ali Çeno, aty është?- më pyeti. Po-i thashë. Dhe dola jashtë unë. Dola jashtë dhe vajta tek dhoma e oficerëve, tek Pëllumb Rusta. Morëm në telefon Ali Çenon. Shofer ka qenë Astrit Astriti. Dërguam makinën e grupit, dhe ka ardhur Ali Çeno.
Kryetari:- Kush e thirri Ali Çenon?
Lleshi:- Ali Çenon e morëm në telefon unë me Pëllumb Ruston…
Kryetari:- Mirë, me çfarë erdhi Ali Çeno?
Lleshi:- U dërgua makina e grupit dhe Aliu erdhi për disa minuta.
Kryetari:- Ku fjeti atë natë Aliu?
Lleshi:- Aliu fjeti në grup.
Kryetari:- Në grup ka fjetur.
Lleshi:- Po. Ai doli jashtë. Unë ja shpjegova situatën si ishte puna. Dhe kështu atë natë në darkë me ‘të. I thash se Mehmeti më pyeti për ju(Aliun). Dhe unë u futa tek dhoma e mjekut që kishim pranë grupit.
Kryetari:- Ku ka fjetur atë natë Ali Çeno?
Lleshi:- Ali Çeno ka fjetur me gjithë Niko Kostaqin. Se ajo(godina) e oficerëve, kishte disa dhoma aty…
Kryetari:- Ndërsa ti ku fjete?
Lleshi:- Unë kam fjetur tek dhoma e urgjencës, që kishim tek dhoma e aparaturave. Të rrojë Partia e shoku Enver!
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Më 17 dhjetor 1981, oficer Ismet Isufi kishte përvjetorin e lindjes. Përveç tre-katër shokëve të organizatës bazë kemi shkuar në këtë darkë që do të vinte dhe Kadri Hazbiu. E kemi pritur Kadri Hazbiun rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Në orën 22:00 ka ardhur ai. Ka ardhur shumë i lodhur, i djersitur dhe shumë impulsiv. Sa ka ardhur ka kërkuar falje se kishte qenë në një mbledhje të Byrosë Politike e prandaj ishte vonuar. Kemi qëndruar atje deri rreth orës 24:30 ose deri në 01:00 të ditës së nesërme. Pas kësaj ore, jemi larguar në shtëpitë tona. Unë kam ikur së bashku me makinën e Kadri Hazbiut, së bashku me një shoqe tjetër, me atë Elin, deri tek shtëpia ime”
SOM 2
“Pas punimit të Tablosë Sinoptike, kam vërejtur se armiku Kadri Hazbiu ishte i shqetësuar edhe në zyrë. Ishte i tronditur dhe e gjenim shpesh që nuk mbante materiale përpara. Nervozohej për gjërat më të vogla dhe dridhte cigare, e shikonte nga tavani. Një javë para se të bëhej Mbledhja e Byrosë Politike, i kishte kërkuar Elit një material që ky kishte mbajtur në Radiotelevizion në gusht të vitit 1981, lidhur me librin e shokut Enver ‘Kur lindi Partia’. Dhe i thotë, të kujtohet ku e ke atë material, çfarë kam folur unë për armikun Mehmet Shehu. Por ata të televizionit nuk e jepnin këtë material”
NESËR DO TË LEXONI:
-Akuzat e Llambi Ziçishtit: Kadri Hazbiu i dorëzoi Titos agjentët kosovarë. Dhjetëra prej tyre u eliminuan, të tjerë, nën presion, u vunë në shërbim të UDB-së kundër Shqipërisë.
-Si i ktheu Jugosllavia me dhunë 380 mijë shqiptarë në turq dhe i dëboi në Turqi, mbështetur në situatën e krijuar pas mospranimit nga Shqipëri të të arratisurve kosovarë dhe ndërpreren e punës agjenturore të Sigurimit të Shqipërisë në vendin fqinj.
-Propozimet ‘armiqësore’ të Kadri Hazbiut në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të vendeve të demokracisë popullore në Pragë.