Veliaj: 2016 është viti i fëmijëve, rikonstruktojmë 23 kopshte dhe kënde lojërash në çdo lagje

Elton Tafaruci

Kopshti “Xixëllonjat” në Fushën e Aviacionit në Laprakë ofron kushte dhe infrastrukturë bashkëkohore dhe të sigurtë për të gjithë fëmijët që e frekuentojnë atë.

Kjo falë investimit të kryer nga biznesi në kuadër të nismës së Bashkisë së Tiranës “Adopto një Kopësht”.

Ambientet e rikonstruktura të kopshtit 64 u peruruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se ky kopsht është transformuar plotësisht nga koha e fushatës elektorale një vit më parë.

“Kjo i kushtohet punës së palodhur së të gjithë atyre që iu bashkuan fushatës tonë ‘Adopto një kopësht’. Nuk do të ishte e mundur pa ndihmën që na kanë dhënë tre kompani jashtëzakonisht serioze dhe që e tregojnë seriozitetin e tyre edhe në mënyrën se çfarë i japin komunitetit”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai siguroi se puna e nisur gjatë vitit të shkuar me çerdhet do vijojë gjatë këtij viti me 23 kopshtet e Tiranës, për të bërë të mundur përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurimin e kushteve më të mira për fëmijët e kryeqytetit.

“Dua të theksoj që ky vit do të mbahet mend si viti i fëmijëve ne Tiranë. Jo vetëm se do të mbarohen të gjitha kopshtet, por sepse do të mbarojmë këndin e lodrave te Liqeni, do të mbarojmë gjithashtu këndin e lodrave në të 11 njësitë urbane të Tiranës, aty ku dhe përqendrimi i fëmijëve është më i madh. Kemi filluar tashmë te zona e ‘Mine Pezës’, do të fillojmë shumë shpejt këndin e lodrave tek Materniteti i Ri dhe mbasi të mbarojmë aty, do të vazhdojmë në të gjitha njësitë e tjera”, theksoi Veliaj. Ai shtoi se gjatë këtij viti do të realizohen edhe disa ndërhyrje të tjera në kryeqytet të karakterit social, siç janë rikonstruksioni dhe hapja e bibliotekave të lagjeve, e kampeve verore etj.

Share This Article
1 Comment
  • Po atyre kompanive serioze mos po i jep gje ndonje tender se deri me sot nuk besoj te kete punuar askush gratis per hater te Erjonkes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *