Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj thotë se është rikthyer funksionimi normal i ujësjellësit. Sipas tij, uji është i sigurt dhe i filtruar.
Veliaj tha se priten të tjera reshje shiu, por puna vazhdon pa ndërprerë.
“E di që situata do të përkeqësohet sërish sot në darkë, por sidomos nesër, sërish parashikohet shi. I gjithë stafi ynë është në terren. U bëj thirrje qytetarëve që të na ndihmojnë, ndihma më e madhe që mund të japin është të mos hedhin qese dhe shishe plastike nëpër kanalizime. Vetëm dje kemi hequr sërish 50 tonë qese nga kanalizimet e Tiranës”, deklaroi ai.
Sipas kryebashkiakut, qeset dhe shishet plastike nëpër puseta nuk i ka hedhur hasmi. “Secili duhet të bëjë detyrën e vet, Bashkia duhet të bëjë të vetën, u kërkojmë gjithë qytetarëve që të na ndihmojnë. Bllokimet, siç i bllokohet çdo familje lavamani po të hedhë një qese, ashtu na bllokohen gjithë kanalizimet e Tiranës, ndaj u kërkoj qytetarëve që të kemi edhe pak përgjegjshmëri”, shton ai.
Veliaj shprehet se situata nuk mund të ndreqet menjëherë, duke shtuar se problemet kanë vite, por kërkoi një sakrificë të vogël nga qytetarët, “të mos hedhin qese dhe shishe plastike që bllokojnë kanalizimet”.

Po c’e harxhon llafin kot o kryetar, duhet te kalojne breza qe barbaret te njohin funksionin e koshit te plehrave. Pse ca jane ata pemethyme t’i mbajne paketimet e produkteve qe kane konsumuar ne dore deri sa te gjejne nje kosh 10-20 metra me tutje?! Jo ore direkt e leshojne ne toke se jane laca dhe jo djem mamaje.