Për Partinë Socialiste përforcimi i tezave nacionaliste nga kryeministri Sali Berisha ka vetëm një emër, strategji elektorale për ti bërë ballë rrjedhjes së votave.
Sekretari për rininë dhe emigracionin në PS-së, Erion Veliaj deklaron se kreu i PD-së po përdorë nacionalizmin si kartë elektorale për ti paraprirë humbjes së votave nga PS-ja, AK-ja dhe FRD-ja në zgjedhjet e 2013-ës.
“Berisha ka një rrjedhje të votave tek Bamir Topi dhe Fryma e re Demokratike, kësisoj ai po bëhet akoma më shumë antikomunist. Ka një rrjedhje të votave të Aleanca kuqezi, kësisoj ai po bëhet me shumë nacionalist. Dhe ka një rrjedhje masive të votave te partia më e madhe në Shqipëri që është partia Socialiste, kësisoj ai po mundohet të bëhet edhe më shumë anti opozitë. Por anti opozitë, anti Aleancës Kuqezi, anti Frymës së Re Demokratike prodhon një njeri që është kundër gjithçkaje por nuk është pro asgjëje”, u shpreh Veliaj.
Një ditë pasi kryesia e PS-së ngriti një grup pune për strategjinë e forcës më të madhe opozitare për zgjedhjet e ardhshme, sekretari për emigracionin zbulon shtyllat mbi të cilat selia rozë do kërkojë mbështetjen edhe të shqiptarëve jashtë kufijve.
“Oferta jonë për emigrantët është një ofertë e vazhdueshme dhe jo një ofertë elektorale. Unë besoj që ndihma më e madhe në terma votuesish do të jetë nga emigrantët e Greqisë dhe diçka më pak nga ata të Italisë. Për emigrantët e tjerë që jetojnë jashtë vota e tyre nuk do të materializohet fizikisht por vetëm kur ne të kemi kaluar ligjin që e mundëson votën e emigrantëve që mund të votojnë në vendin ku banojnë”, përfundoi Veliaj.