Veliaj: Do të ulim moshën e pensionit për minatorët

redaktor

Në takimin e tij me minatorët e Bulqizës, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka përsëritur edhe njëherë vullnetin e qeverisë shqiptare për të ulur moshën e pensionit për ta. Sipas Veliaj, tashmë është ngrirur grupi i punës që do të llogarisë faturën financiare të këtij operacioni dhe kërkoi nga KSSH dhe Shoqata e Minierave një studim për të gjitha minierat.

“Kjo minierë ka qenë burim i lajmeve të këqija për një kohë të gjatë, por sot duam të japim një lajm të mirë sepse është punëdhënësi më i madh në Bulqizë, rreth 600 qytetarë. Më vjen mirë që jemi në një mendje për uljen e moshës së pensionit. Por, një tjetër lajm i mirë për Bulqizën është se kemi vendosur të hapim shkollën profesionale të minierës”, u shpreh ministri Veliaj.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka një plan konkret të përpunuar edhe nga Shoqata e Minierave dhe KSSH, që kjo shkollë profesionale të hapet në një nga katet e gjimnazit të Bulqizës. “Minatori është një zanat shumë i nderuar e i respektuar, por nëse mësohet me trajnimin e duhur mund të jetë shumë i përfitueshëm dhe me një perspektivë të gjatë për ata që angazhohen në këtë zanat”.

Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kolë Nikolla, falenderoi ministrin Veliaj për përkushtimin dhe investimin e tij për hapjen e një shkolle profesionale në Bulqizë, si dhe vuri në dukje vullnetin e mirë të qeverisë për të ulur moshën e pensionit për minatorët. “Kjo është hera e parë që kemi në gjirin tonë një ministër sepse ka vite që kërkojmë që qeveria t’i kthejë sytë nga minatorët dhe komuniteti i Bulqizës. Është e vërtetë se situata tani po përmirësohet, prandaj dua ta falenderoj qeverinë shqiptare për premtimin parazgjedhor për realizimin e pensionit të parakohshëm për kminatorët”, tha Nikolla.

Nga ana tjetër, ministri Veliaj u bëri thirrje bizneseve, veçanërisht ato fasone, që t’i kthejnë sytë nga Bulqiza, duke qenë se një pjesë e krahut të punës në këtë zonë, kryesisht gra e vajza, janë të papuna. “Ka ardhur koha t’i kthejmë syte nga produktet Made in Albania, si kromi shqiptar, dhe të gjejmë një formulë ku sindikatat paguhen dhe respektohen për punën e vështirë që bëjnë, por edhe bizneset shqiptare të kenë mbështetjen e nevojshme të qeverisë për të investuar më shumë, e për të hapur vende te reja pune. Ky është modeli ynë i ri ekonomik, i bazuar në fuqi punëtore shqiptare dhe në produkte eksporti Made in Albania”, përfundoi ai.

Nevojën për një shkollë të arsimit dhe formimit professional e mbështet perspektiva 30-40 vjeçare e zhvillimit të minierës me hapjen në muajt e ardhshëm të pusit të ri, me një investim disa milion dollarë. Kjo shkollë do të ndihmonte edhe për formimin e grave dhe vajzave të Bulqizës, për të cilat nuk ka asnjë front pune.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *