Veliaj: Fund praktikës së punësimit të të rinjve nëpërmjet shokëve të babit

anazapta

Avokatura e Shtetit shpalli sot fillimin e Programit të parë të Praktikës Profesionale pranë këtij institucioni, për studentët e vitit të fundit në Programet Master në Fakultetin e Drejtësisë. Programi mbështetet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe USAID-i.

Pas procesit të aplikimit, u përzgjodhën 21 studentë të cilët do të përfshihen në përvojën formuese profesionale që do të zgjasë gjashtë muaj.

Ministri Veliaj, u shpreh se ky projekt është fillimi i rekrutimit të një ekipi të ri, të cilët e kanë për krenari profesionale të përfaqësojnë shtetin shqiptar në të ardhmen. Duke u fokusuar tek problematika e punësimit të të rinjve, ai përmendi raportin e fundit të INSTAT-it mbi analizën e tregut të punës për vitet 2012-2013.

“Sipas raportit, në dy vitet e fundit, papunësia jo vetëm që ishte rritur, por ata që janë goditur më shumë janë pikërisht të rinjtë, të sapo diplomuarit, të cilët shihen si të përjashtuar nga tregu i punës”, tha Veliaj. Sipas tij, për një kohë të gjatë, shoqëria shqiptare ka funksionuar si një shoqëri ku baza për të gjetur punë nuk ka qenë një proces transparent si ky, i përzgjedhjes së 21 studentëve më të shkëlqyer në fushën e drejtësisë në Shqipëri, por bazohej tek njohjet fisnore apo shokët e babit.

“Një pjesë e madhe e anomalisë së tregut të punës është edhe mungesa e meritës në procesit e gjetjes së punës”, nënvizoi ministri Veliaj përpara studentëve. Ai përmendi faktin se në databazën e zyrave të punës sot ka rreth 3200 vende të reja pune, por nuk ka njerëz me aftësitë e duhura për këto vende pune. “Pra, kemi shumë pak ekspertë të mirëfilltë. Prandaj, po përpiqemi që t’i orientojmë të rinjtë drejt arsimit profesional”, tha ai.

Nga ana tjetër, ministri Veliaj vlerësoi faktin se shumica e të studentëve të përzgjedhur në këtë program janë vajza. “Për një vend si Shqipëria, e cila ka shumë nevojë të emancipohet, ku është e pranishme dhuna në familje, ku gratë paguhen 30% më pak se burrat, ky është një shembull i mirë që tregon se kur u jepet mundësia, gratë dhe vajzat përformojnë më mirë”, shtoi ai.

Përmes projektit JuST, USAID po mbështet Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në rritjen e mundësive për praktikë profesionale për studentët e tij. Gjatë tre viteve të fundit, USAID ka ndihmuar në krijimin e një programi të edukimit klinik ligjor si dhe ngritjen e ambienteve të një klinike ligjore në FDUT. Programi i Praktikës Profesionale në Avokaturën e Shtetit do t’u japë mundësi studentëve pjesëmarrës që të rrisin aftësitë e tyre praktike, të zhvillohen nga pikëpamja profesionale dhe të orientohen në tregun e punës ku ata përgatiten të hyjnë si profesionistë të rinj të ligjit.

USAID JuST është një projekt pesëvjeçar, i filluar në tetor 2010, i cili synon rritjen e transparencës, paanshmërisë dhe efektshmërisë në gjykata, konsolidimin e rolit mbikëqyrës dhe antikorrupsion të organizatave të shoqërisë civile dhe medias, si dhe forcimin e arsimimit juridik dhe avokatisë në Shqipëri.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *