Veliaj: Garantojmë votën e emigrantëve pas 23 qershorit

redaktor

Partia Socialiste Dega Itali organizoi mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të strukturave të saj në zyrat qendrore të PS Dega Itali në Rimini.  Në Asamblenë e drejtuar nga Kryetari i PS Dega Itali, Edmond Kumaraku, gjithashtu morën pjesë edhe Sekretari për Emigracionin pranë PS Erion Veliaj dhe Nënsekretari për Emigracionin Genci Kojdheli. Në punimet e Asamblesë u diskutua strategjia e Partisë Socialiste për sjelljen e emigrantëve për të votuar, si dhe u prezantuan nga përfaqësuesit e Sekretariatit pikat kryesore të platformës së Partisë Socialiste në lidhje për emigracionin. Duke folur me përfaqësuesit e rreth 40 degëve të Partisë Socialiste në Itali, Veliaj theksoi se Partia Socialiste i ka qëndruar gjithmonë pranë emigrantëve në Greqi e Itali, dhe kujdesi për ta do të jetë një ndër prioritetet e qeverisë së re. “Sigurisht që për ne si PS emigrantët konsiderohen si një prej shtyllave më të rëndësishme mbi të cilat qëndron sot ekonomia shqiptare, dhe jemi të ndërgjegjshëm që shteti dhe shoqëria shqiptare u ka atyre një borxh shumë të madh, të cilin ne do përpiqemi ta shlyejmë menjëherë sapo të vijmë në pushtet”, tha Veliaj.

Në vijim të aktiviteteve në Itali, përfaqësuesit e Sekretariatit të Emigracionit gjithashtu zhvilluan një takim me përfaqësues të strukturave socialiste në qytetin e Barit. Duke folur në këtë event, Veliaj theksoi se pjesëmarrja e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është jetësore për një fitore të sigurt të Partisë Socialiste. “Edhe para 100 vitesh ishin emigrantët e shpërndarë nëpër botë ata që sollën Rilindjen dhe pavarësinë në Shqipëri”, tha Veliaj “dhe iu takon juve që të bëni të njëjtën gjë; të ktheheni e të tregoni me votën tuaj të papërlyer e të painfluencueshme se Shqipëria ka nevojë për një drejtim të ri drejt një rilindjeje Europiane”.

Erion Veliaj në këto takime u shpreh se Berisha e refuzoi 2 herë  votën e emigrantëve në 2008 dhe në 2012 pasi “Saliu nuk e blen dot me një thes miell votën e emigrantëve, nuk i kërcënon dot me heqje nga puna, nuk ua heq dot bukën e gojës. Emigrantët janë njerëz të lirë që nuk e kanë të lidhur suksesin e tyre me qeverinë.”

Share This Article
1 Comment
  • Ore Rrush po voten e 23 Qershorit kush do na i garantoje,apo e le me nenkuptim qe mos te vijme te votojme se Ju s’na i garantoni!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *