Veliaj: Ja arritjet dhe sfidat e mandatit të parë

Edona Llukacaj

Teksa kandidon për një mandat të dytë, si një mundësi për të vijuar projektin transformues të Tiranës në një qytet të mirëfilltë evropian, Veliaj gjatë një interviste për ERTV na prezanton me disa nga sfidat me të cilat u përball Bashkia e Tiranës në këto 4 vite të para shumë intensive. Por ai gjithashtu me krenari prezanton arritjet e mandatit të parë në krye të Tiranës, si Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës, bulevardi i ri, sheshi “Skëndërbej”, amfiteatri, çerdhet dhe kopshtet, korsitë e biçikletave dhe mensat sociale.

Natyrisht që Pazari i Ri, për të, mbetet një nga projektet më të kontestuara dhe më të suksesshme gjithashtu, modeli i të cilit tashmë është zbatuar edhe te Kalaja e Tiranës, e cila gjithashtu është kthyer në një nga zonat më të frekuentuara në Tiranë.

Në intervistë, Veliaj theksoi: “Kur thua te Pazari Ri nënkupton që je pranë vendit ku ka argëtim, ku ka hotele, ku ka restorante, ku ka muzikë, ku ka shfaqje, kështu që duam ta vazhdojmë ta replikojmë dhe replika e parë që ka ndodhur ka qenë të Kalaja e Tiranës. Jemi duke parë disa zona të tjera të Tiranës ku ky model i Kalasë dhe Pazarit të ketë mundësi të imitohet në kuptimin më të mirë të kësaj fjale”.

Por, sipas tij, beteja më e madhe ka qenë ajo për të ndryshuar mentalitetin e njerëzve për të pranuar ndryshimin dhe për të përqafuar të bukurën.

Veliaj shprehet: “Ajo që unë besoj se ka qenë projekti më i rëndësishëm është vetëm 10 cm e gjatë, që është kjo hapësira nga këtu- këtu dhe unë them ky ka qenë projekti më i rëndësishëm për Tiranën sepse i ka bërë njerëzit më të njerëzishëm më solidarë, duke filluar nga gjëra të vogla, kjo demokracia lokale e një pallati që zgjedh asamblenë e vet, administratorin e vet, duke filluar me fëmijë që mbjell një pemë, duke filluar nga vullnetarët e rinj që shërbejnë një pjatë supë në mensat sociale”.

Veliaj bën të ditur se gjatë këtyre viteve ka patur gjera që ka dashur t’i bëjë më shpejt ose me më shumë vendosmëri, siç është edhe rasti i ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Ai e konsideron shumë të rëndësishme, që një ide të diskutohet dhe debatohet, por është gjithashtu e rëndësishme që pas kësaj kjo të mos pengojë zhvillimin e projektit, si në rastin e Teatrit Kombëtar.

Ai tha: “Për sa kohë që ndalohet puna, siç është rasti i Teatrit, për të cilin jam i keqardhur, kemi humbur kaq shumë kohë. Sot duhej të ishte në të njëjtin stad zhvillimi me stadiumin. Teatri mund të kishte ecur më shpejt dhe një gjërat që nuk dua të ndodhë në 4-vjeçarin e dytë është që të mos prishet raporti midis dëgjesave, demokracisë, të drejtës së secilit për të thënë një opinion por nevojës gjithashtu që pasi kanë mbaruar gjithë konsultimet të merret një vendim”.

Ndërkohë që tek projektet që kërkon të realizojë gjatë këtij mandati të dytë Veliaj rendit: transformimin e Piramidës në qendrën më të madhe të inovacionit dhe teknologjisë në rajon, Kopshti Zoologjik, tregu agro-ushqimor, si dhe projekti i reahabilitimit të 100 blloqeve të banimit.

e.ll./dita

Share This Article
1 Comment
  • Lodhesh kot ti besh gjithe kete publiçita punes tende kur kandidat per kryebashkiak je i vetem por mbi te gjitha keto publicita i tek ERTV nje televizion qe eshte vetem i Rames por i urryer per te tjeret.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *