Bashkia e Tiranës nisi sot punën për ndërtimin e një këndi lojërash në zonën përballë maternitetit të ri, i dyti pas atij në rrugën “Mine Peza”.
Veliaj, u shpreh se ky është një tjetër investim që vjen në partneritet me sipërmarrjen private dhe që shkon në favor të më të vegjëlve të qytetit.
“Ashtu siç kemi premtuar, teksa presim 1 qershorin për të hapur këndin e lodrave te Parku i Liqenit, kemi nisur punën te ‘Mine Peza’ dhe ky është sheshi i dytë nga 12 të tilla që do të kemi në të gjitha njësitë urbane të Tiranës. Më vjen mirë sepse kjo është një lagje relativisht e re. Të gjitha pallatet rreth Maternitetit të Ri janë ndërtuar në 20 vitet e fundit. Kjo do të thotë se ka shumë çifte të reja dhe njerëz me fëmijë, të cilët s’kanë ku të luajnë”, tha Veliaj
Ai theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që, ashtu si edhe te Parku i Liqenit, të shtojë hapësirat për fëmijët në çdo lagje.
