Më shumë se 2 mijë familje të reja kanë krijuar një strehëz të tyren në Tiranë, falë projektit të kredive të buta nga Bashkia e Tiranës, projekt i cili, sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, do vazhdojë edhe gjatë mandatit të tij të ardhshëm.
İ ftuar nga një familje e re që ka përfituar nga kjo kredi dhe banon në Njësinë 4, Veliaj tha: “Kur shikoj familje që i kemi ndihmuar me vendimin për kreditë e buta, më ndihmon edhe mua që jo vetëm të bëj programe të tilla në të ardhmen, por edhe t’u them anëtarëve të Këshillit Bashkiak se kjo nuk është vetëm një ngritje dore, por me atë votë ke ndihmuar çuna dhe goca në të gjithë Tiranën, që të jetojnë pak më mirë. Pra, u ke dhënë dorën disa çifteve të reja”.
Bashkëshortët e falenderuan kryetarin Veliaj për mundësinë për të patur një shtëpi, duke theksuar: “Procedura ishte e thjeshtë. Shkova te njësia bashkiake, bëra aplikimin në bashki dhe pastaj dolën emrat”.
Veliaj theksoi se programi i kredive të buta ka qenë një histori suksesi, pasi u erdhi në ndihmë familjeve që e kanë patur të pamundur të përballojnë interesat e tregut bankar për kredi. Por, teksa ky vendim ka ndryshuar jetën e shumë familjeve të reja në Tiranë, Veliaj kujton se shumica dërmuese e përfaqësuesve të opozitës në Këshillin Bashkiak nuk e kishin suportuar projektin.
“Mbaj mend se kur kemi kaluar vendimin për kreditë e buta nuk ishte as PD-ja as LSI-ja në mbledhje. Më vunë në një siklet sepse njerëzit thonë ky na i premtoi kreditë e buta, ç’më duhet mua i ka apo jo numrat. Si t’ua shpjegosh që ky është program i bashkisë, por lista finale duhet votuar në Këshill, dhe ditën që do votonim listën finale për kreditë e buta, iku nga mbledhja edhe LSI-ja, edhe PD-ja. Pastaj, dolën disa nga këta të LSI-së, thanë që ne kemi thënë se do e ndihmojmë qytetin, do votojmë, kështu që 3 vota nga çamët dhe 3 nga LSI, nga 26 bëra 32, se 31 duhen, bëra 1 votë më shumë që të kaloja kreditë e buta”.
e.ll./dita
