Triathlon te Liqeni i Farkës

Edona Llukacaj

Liqeni i Farkës mirepriti garën e Triathlon-it në Tiranë, për të dytin vit rradhazi, çfarë na bën të besojmë se kjo do të kthehet në një traditë të bukur të kryeqytetit.  Triathlon, si kuptohet nga vetë emir, është një sport që bashkon tre disiplinat sportive më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm dhe vrap.

Në garën e zhvilluar ditën e sotme morën pjesë sportistë profesionistë dhe amatorë. Në nisje të saj, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përshëndeti pjesëmarrësit dhe qytetarët e shumtë të ardhur në Parkun e Farkës, i cili falë investimeve të bashkisë është kthyer në një destinacion turistik e sportiv.

Kryebashkiaku Veliaj tha:  “Një mikpritje shumë e madhe, tipike tiranase, shqiptare, për të gjithë ata që na kanë ardhur nga Kosova, nga Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, madje pashë dikë edhe nga Franca, të tjerë nga Greqia. Është një aktivitet cilësor, i cili jo vetëm e ka futur Farkën në hartën sportive të qytetit, por e ka bërë Tiranën një vend tërheqës edhe për këtë lloj sporti. Një duartrokitje për të gjithë ata që na kanë ndihmuar, e vlerësojmë shumë”.

Kreu i Bashkisë u shpreh se falë investimeve, Parku i Farkës do t’i shërbejë të gjithë brezave të ardhshëm, ndërsa premtoi vijimin e punës për transformimin e kësaj zone.

“Jam i lumtur që një pjesë e itinerarit do të bëhet në këtë investim që kemi bërë për Farkën. Është bërë vetëm gjysma, për të gjithë ju që vraponi tek Liqeni do të shikoni që po hidhet gjurma e një parku që do të jetë si Parku i Liqenit pas 30-40 viteve, kur të jenë rritur kalamajtë tanë. Do të shihni shumë prej pemëve të mbjella dhe me atë rast shpresoj se do të ktheheni edhe në agjentë marketingu të parkut të Farkës”, tha ai.

Duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të ndihmojnë në promovimin e këtyre vlerave, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi se tashmë, edhe agroturizmi po merr një rëndësi të veçantë, duke ndihmuar ekonominë lokale. “Kemi një superdyndje tek Liqeni i Tiranës, me sportistë, me ata që po bëjnë biçikletat e pistat e reja, me familjarë, ndërkohë që na duhet bashkëpunim i secilit, të fillojmë e ta promovojmë pak më shumë Farkën, edhe për ta ulur presionin te Parku i Liqenit, por sigurisht edhe për të ndihmuar ekonominë e zonës. Ashtu si do bëjmë edhe sot, kush vjen për vrap e për sport, do konsumojë edhe një vakt, po do blejë edhe një produkt, ndoshta një ditë do rrijë në bujtinat tona”, theksoi Veliaj.

Vendet e para në garën Triathlon për meshkuj dhe për femra u fituan nga dy atletët serbë, Strahinja Trakiç dhe Vida Medic. Përgjatë gjithë itinerarit ishin të pranishëm Policia Bashkiake, ambulanca dhe vullnetarë, të cilët ndihmuan garuesit në sinjalistikë dhe në pikat e shpërndarjes së ujit.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *