Bashkia e Tiranës ka nisur punën për të realizuar një tjetër projekt të rëndësishëm për komunitetin në sheshin “Lord Bajron”, i cili do të mundësojë mjedise argëtuese e çlodhëse për të rinjtë dhe fëmijët e njësisë nr. 11 në Laprakë.
Nisja e punimeve për projektin e ri u inspektua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili theksoi se bashkia e kryeqytetit respekton moton e saj për të bërë një punë konkrete çdo ditë.
“Për 51 javë kemi zbatuar moton: “Çdo ditë nga një punë konkrete për Tiranën” dhe më vjen mirë që puna konkrete e ditës së sotme, teksa mbyllëm vitin tonë të parë, ka të bëjë me fillimin e një projekti fantastik këtu në njësinë 11, në zonën e Laprakës, që do të përfundojë brenda muajit gusht, me një terren sportiv të cilësisë më të lartë, si fusha basketbolli dhe me një kënd lojërash për të gjithë fëmijët”, deklaroi Veliaj.
“Lapraka do të jetë pjesë e poliqendrave të Tiranës, do të jetë një qendër më vete. Por, që të jetë e tillë, këtu nuk mund të ketë vetëm banka dhe institucione për të rriturit, por edhe terrene sportive e lodra për fëmijët, si dhe mjedise çlodhëse për të moshuarit”, tha ai.
Ndërsa kreu i njësisë administrative nr. 11, Gentjan Arapi, vlerësoi vendimin e bashkisë për t’iu përgjigjur kërkesave të banorëve të Laprakës. “Sot ky komunitet ka një fushë, ka kënde lojërash, hapësira publike, që Laprakës i kanë munguar ndër vite. Ta ruajmë këtë vend, ta ruajmë si pronën tonë, sepse është me të vërtetë një investim i mirë”, tha ai.
