Veliaj: Më shumë kujdes mjekësor dhe punësim për komunitetin rom

redaktor

Ditën Ndërkombëtare të Romëve Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z Erion Veliaj, e kaloi në Qendrën Tranzitore të Emergjencave në Tufinë me familjet rome që u shpërngulën muaj më parë nga ish-Dekori në Tiranë. Veliaj u shoqërua nga zv.Ministrja e Shëndetësisë, Milva Ikonomi, koordinatorja e PNUD-it në Shqipëri,  Zineb Touimi-Benjelloun, si dhe përfaqësues të organizatave rome në vend.

Pasi u takua me disa nga familjet e zhvendosura në këtë qendër dhe uroi festën e 8 Prillit, ministri Veliaj tha se prezantimi i saj është një histori suksesi dhe tolerance midis komuniteteve dhe shenjë e bashkëjetesës së barabartë mes tyre. “Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, institucionet rajonale të kësaj ministrie, si dhe me spitalet private, kemi arritur të kemi një kontroll mjekësor të përgjithshëm, që asnjë fëmijë dhe i moshuar të mos ngelet pa u vaksinuar, asnjë grua shtatzanë të mos ngelet pa u trajtuar me ndihmë mjekësore, në komunitet apo në qendrat spitalore”, tha  Veliaj.

Ai vuri në dukje se nën kujdesin e Shërbimit Social Shtetëror është kryer një trajtim model i emergjencave dhe problemeve me komunitetin rom. “Lajmi i mirë është se ka pasur një lëvizje edhe nga Bashkia e Tiranës, kryesisht nga Këshilli Bashkiak nën drejtimin e Aldrin Dalipit, i cili ka filluar lëvrimin e dokumentacionit për banesa sociale për komunitetin rom dhe egjiptian. Kjo nismë duhet të shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit”, shtoi z. Veliaj.

Prej më shumë se një jave, ekipit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i janë shtuar edhe dy të rinj nga komuniteti rom dhe egjiptian për të dhënë shëmbullin edhe për ministritë dhe institucionet e tjera. Duke u fokusuar tek punësimi i komunitetit rom, Veliaj u shpreh se ka përpjekje për punësimin e tyre në institucione, si dhe janë dhënë mikrokredi për 4 familje që jetojnë në qendrën tranzitore të Tufinës për hapjen e bizneseve të vogla, në mënyrë që ato të rimëkëmben ekonomikisht për t’ua liruar hapësirën familjeve më në nevojë. “Shqipëria e bukur është një Shqipëri me diversitet”, tha ministri Veliaj.

Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Milva Ikonomi, premtoi shërbim dhe kujdes shëndetësor më të mirë ndaj këtij komuniteti, ndërsa përfaqësuesja e PNUD-it në Shqipëri, Benjelloun, vlerësoi për iniciativën dhe nismat qeveritare ndaj komunitetit rom.

Në 8 Prill 1971, u mblodh kongresi i parë ndërkombëtar i Romëve në Londër ku u vendos që data 8 Prill të jetë, “Dita ndërkombëtare e Romëve”. Aty u vendos që ky minoritet të njihet me termin Rom, të ketë flamurin dhe hymnin Rom “Gelem Gelem”, që së bashku me gjuhën rome e bëjnë këtë minoritet qartësisht të dallueshëm për nga vlerat e tij të pasura etno-kulturore.

Në Shqipëri romët kanë ardhur rreth 6 shekuj më parë nga India. Kërkesat kryesore të kësaj shtrese janë për integrimin në jetën sociale ekonomike të vendit, mundësitë për punësim, strehim e arsimim.

Share This Article
1 Comment
  • Ne nje vend si ky i joni ku gezojne te gjithe te drejta, dicka e tille eshte mese e drejte dhe per komunitetin Rome. U la ne harrese nga paraardhesit por Z Veliaj ka bere nje pune te shkelqyer dhe te gjithe e mbeshtesim ne kete nisme!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *