Veliaj në Vorë: E ardhmja është e atyre që dinë të bëjnë diçka me duart e tyre

redaktor

“E ardhmja është e njerëzve që dinë të bëjnë diçka me duart e tyre”. Me këto fjalë u është drejtuar saldatorëve të rinj Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, në vizitën e tij në Qendrën e Saldimit të Institutit WIFI Albania në Tiranë. Duke ndjekur nga afër punën e tyre, Veliaj tha se qeveria është e vendosur për ta orientuar tregun e punës drejt zanateve të tilla.

“Shqipëria ka shumë projekte të rëndësishme si TAP-i, në infrastrukturë apo ndërtimin e hidrocentraleve, ku nevojiten zanatçinj të tillë. Por, shumë kompani nënkontraktojnë punëtorë të huaj duke qenë se sistemi ynë i trajnimit në zanate të tilla ka qenë plotësisht i amortizuar. Prandaj, i jam mirënjohës WIFI Albania dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit që kanë marrë përsipër trajnimin e 300 të papunëve shqiptarë dhe po investojnë me inteligjencë në këto zanate”, nënvizoi ministri Veliaj.

Ai theksoi se sistemi i arsimit profesional duhet të kalojë nga klasat ku mësohet vetëm teori, drejt kantiereve të tilla ku gjërat praktikohen konkretisht. “Kemi kaluar nga sistemi sovjetik i mësimit të gjërave përmendësh, në teori, në një sistem kapitalist i cili kërkon njerëz që kanë dije të kohës. Sistemi ynë vazhdon ende të na mësojë se si bëhen autotraktorët, kur dihet se Shqipëria nuk prodhon më autotraktorë!”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, ai përmendi bashkëpunimin e shkëlqyer me palën austriake për hapjen e një shkolle të teknologjisë së informacionit. “Kemi një histori mjaft të suksesshme me shkollën e mesme profesionale “Peter Mahringer” në Shkodër, të cilën duam ta përsërisim edhe në Tiranë, sepse indrustria e informacionit është industria e së ardhmes”, vijoi ministri Veliaj.

Drejtorja Ekzekutive e Institutit të Trajnimeve WIFI Albania, znj. Bianka Duro, tha se “ky trajnim u jep mundësinë profesionistëve shqiptarë në fushën e saldimit të përfitojnë dhe zbatojnë të njëjtën teknologji ashtu si çdo specialist kudo në Evropë”. Në përfundim të aktivitetit, Ministri Veliaj shpërndau certifikata për 18 praktikantë, të cilët tashmë janë të kualifikuar sipas standardeve në fushën e saldimit.

Duke u bazuar në eksperiencën shumëvjeçare të kurrikulave europiane të Institutit WIFI në Austri, Qendra e Saldimit e WIFI Albania-s, në bashkëpunim me Trupin Çertifikues të WIFI Austrisë, ka bërë të mundur trajnimin dhe çertifikimin e mbi 100 saldatorëve nga kompani private të industrisë metal-punuese. Gjithashtu, gjatë vitit 2013 janë trajnuar mbi 120 punëkërkues, 18 prej të cilëve, pas përfundimit me sukses të proçedurave të testimit, sipas standardeve europiane për metalin, u çertifikuan nga Trupi Çertifikues i WIFI Austrisë.

Deri në fund të vitit 2016 do të trajnohen dhe çertifikohen gjithsej 300 punëkërkues dhe të paktën 70% e tyre, do arrijnë çertifikimin duke përfituar liçensën europiane të saldatorit. Ky program do të përfshijë rreth 20 nën-kategori punësimi, me formim të standardeve europiane në industrinë e përpunimit të metaleve, duke filluar nga metodat më të thjeshta të saldimit deri në nivelet më të larta profesionale si: Supervizor Europian Saldimi, Teknolog Europian Saldimi dhe Inxhinier Europian Saldimi.

Qendra e Trajnimit WIFI është një risi për tregun e punës në Shqipëri dhe ndihmon në përmirësimin dhe rritjen e shanseve për punësim në investimet e ardhshme në Shqipëri dhe Kosovë.

Share This Article
7 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *