Sekretari për Rininë në Partinë Socialiste, Erion Veliaj ka zhvilluar një takim të zgjeruar me studentë të fakulteteve të ndryshme të qytetit të Korçës, në të cilin është diskutuar gjerësisht lidhur gjendjen aktuale të arsimit në Shqipëri, si dhe atë çfarë parashikon programi për një “Rilindje Shqiptare”, për këtë sektor jetik për të ardhmen e vendit. “Është shumë e rëndësishme që ne ta mundim çdo ditë atë mentalitetin që “ të gjithë janë njësoj”. Sepse idetë tona për arsimin në radhë të parë nuk janë njësoj. Por mbi të gjitha sepse ju nuk jeni njësoj. Kështu që kjo ide që na ka futur Saliu në kokë që thotë ‘shiko unë tmerr jam, po më mirë tmerri që njihni se ky tmerri që se njihni se të gjithë njësoj janë’. Dhe ju thoni, po unë jam njësoj si Saliu. Jo nuk jam! Secili mund ta thotë këtë. Por, ama nuk mjafton. Ne duhet të themi pse s’jemi njësoj edhe tek idetë dhe sidomos për lidhur me Programin tonë për Rilindjen e Arsimit”, ka nënvizuar sekretari Veliaj.
Ai ka theksuar se programi i PS, parashikon një reformë thelbësore për arsimin, duke i kushtuar atij një vëmendje shumë të veçantë, pasi vetëm kështu mund të rikuperohet shkatërrimi në arsim që i ka shkaktuar sistemit politika antikombëtare që ka ndjekur qeveria e PD.
“Ne duhet të themi pse s’jemi njësoj tek arsimi. Sot e gjithë qeveria i çon fëmijët në shkolla private dhe jashtë shtetit. Gjithë shqiptarët e bëjnë shkollën këtu ku problemet me cilësinë dhe shpesh edhe me kushtet e mësimdhënies janë madhore. Të thuash që unë dua të harxhoj 2% të GDP për arsimin, ndërkohë që gjithë vendet e tjera e kanë 5%, dhe Partia Socialiste thotë do ta bëjmë 5%, nuk jemi njësoj. Të thuash sot që 96% e qytetarëve shqiptarë në moshë shkollore do bëjnë arsim të përgjithshëm dhe pastaj do të bëhen të gjithë kamerierë dhe të thuash si Partia Socialiste që jo duhet të shkojmë më shumë tek arsimi profesional, nuk jemi njësoj tek as te kjo pikë. Të thuash ata që marrin diplomë bravo ju qoftë, po tani le të rrinë të papunë dhe të propozosh siç propozon Partia Socialiste që ne të krijojmë korpusin e të rinjve, ku të rinjtë të fillojnë qoftë edhe me mësuesi nëpër fshatra ose në vende të tjera, po të paktën për të pasur një punë dhe ca të ardhura, nuk jemi njësoj. Të thuash atë që themi ne që klasa duhet të ketë 28 nxënës dhe më pak dhe atë që bën Saliu sot ku ka klasa me 60 nxënës këto nuk janë njësoj. Të thuash sot që ne duam që të japim mikrokredi për të rinjtë, nuk jemi njësoj. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që ne nuk jemi njësoj, por ama t’u themi njerëzve kjo është oferta jonë politike. Që gjërat janë keq të gjithë biem dakord, por gjërat mund të bëhen më mirë, ta garantojmë ndryshimin së bashku, mund ta garantojmë së bashku Rilindjen në Arsim”, është shprehur sekretari për Rininë, Erion Veliaj.