Brenda vitit Tirana do ketë një markatë të re dhe moderne të mishit dhe peshkut.
Bashkia e Tiranës nisi sot punimet për ndërtimin e saj, e cila është pjesë e projektit të madh për rikualifikimin e Pazarit të Ri në sheshin “Avni Rustemi”.
Të pranishëm në nisjen e punimeve ishin kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe kryetari i bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, të cilët inspektuan edhe ecurinë e punimeve për gjithë projektin e Pazarit të Ri. Ata vlerësuan ecurinë e punimeve në pjesën e parë të zbatimit të projektit dhe u shprehën të bindur për përfundimin e punimeve brenda afateve të përcaktuara.
Sipas Veliaj, markata do të funksionojë dhe menaxhohet sipas modelit të një prej tregjeve më të suksesshme londineze ‘Borough Market’.
“Më vjen mirë që bashkë me ne sot është bashkuar edhe një kompani britanike, e cila menaxhon një treg të ngjashëm në Londër, sepse besoj se investimi është fantastik, por pyetja është: Si do të mirëmbahet e menaxhohet? Kjo është diçka të cilën po e mendojmë që në këtë fazë”, tha Veliaj, duke shtuar se paralelisht po bëhet edhe lyerja e të gjitha fasadave të pallateve rreth Pazarit të Ri.
Në lidhje me afatin e punimeve, ai tha se “deri në fund të këtij vitit do të kemi përfunduar totalisht pjesën e tregut të fruta-perimeve, pastaj bashkë me pjesën e markatës së mishit dhe peshkut, e gjithë kjo hapësirë do të funksionojë si një hapësirë për komunitetin gjatë orëve të pasdites, me restorante, muzikë, artizanët, për aktivitete të ndryshme kulturore, nga të cilat Tirana ka shumë kohët e fundit”.
