Kryebashkiaku i Tiranës dhe njëherazi kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar këtë të hënë një takim elektoral në njësinë 9.
Para se të fillonte bisedën elektorale Veliaj ka uruar rivalin e tij në garën për Tiranën, Arben Skënderajn, kandidati i partisë Bindja Demokratike. Arben Skënderaj ditën e sotme është bërë baba për herë të dytë.
Duke e uruar për lindjen e djalit të dytë Skënderajn, Veliaj nënvizoi se të majtë e të djathtë duhet të bashkojnë forcat për zhvillimin e Tiranës.
Kryebashkiaku Veliaj tha: “Unë doja që të merrja një moment dhe të bëjmë atë që ne socialistët dimë të bëjmë më mirë, solidaritetin, afeksionin, dashurinë që ne tregojmë jo vetëm për ata që janë pjesë e familjes tonë, por edhe për kundërshtarët tanë. Dhe një nga arsyet pse dua të marr një moment ta uroj është sepse rivali im në këtë garë, Arben Skënderi sapo është bërë me djalin e tij të dytë. Edhe nga të gjithë socialistët e Tiranës ne të urojmë jetë të gjatë për ty, për Denada Toçen bashkëshorten, i urojmë asaj një rikuperim të shpejtë pas lindjes dhe shpresoj shumë që pavarësisht rezultatit në këtë garë, edhe unë edhe Arbeni, edhe një i majtë e një i djathtë do të bashkojmë forcat për Tiranën e fëmijëve tanë”.
e.ll./dita
