Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Itali, ku u takua me homologun e tij, Ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Giuliano Poletti, dhe Presidentin e Komisionit të Punës në Dhomën e Deputeteve, Cesare Damiano. Në fokus të takimeve, ishte diskutimi i hapjes së negociatave për marrëveshjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, rritja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtes sociale, si dhe mbështetja e biznesit italian dhe punësimit në vendin tonë.
Gjatë bisedimeve dypalëshe, ministri Veliaj i kërkoi homologut Poletti hapjen e procesit të negociimit të një marrëveshjeje për pensionet e emigrantëve shqiptarë dhe të punësuarve italianë në Shqipëri, duke e konsideruar këtë çështje me rëndësi prioritare për të dyja vendet. “Jam i lumtur që së bashku me ministrin Poletti vendosëm për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për të bërë një vlerësim për këtë çështje”, u shpreh Veliaj.
Ai nënvizoi se çështja e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Itali është një çështje e anashkaluar prej 23 vitesh. “Secila palë duhet të përgatisë një raport ku do të përfshihet numri i qytetarëve shqiptarë dhe italianë që punojnë në vendet respektive, si dhe koston financiare të operacionit. Gjykoj se është një hap shumë i mirë që do të na shpinte në hapin tjetër, atë të hapjes së negociatave”, tha Veliaj. Nga kjo marrëveshje do të përfitonin edhe rreth 19.000 qytetarët italianë që aktualisht punojnë në Shqipëri.
Ministri Poletti mirëpriti kërkesën e ministrit Veliaj për ngritjen e një grupi pune në nivel teknik për pensionet dhe shprehu angazhimin e tij për të siguruar në vazhdimësi një kuadër rregullator miqësor për shtrirjen e sipërmarrjes italiane dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Shqipëri.
Në bisedën me Presidentin e Komisionit të Punës në Dhomën e Deputeteve, Cesare Damiano, Veliaj përsëriti rëndësinë e hapjes së negociatave për marrëveshjen e pensioneve të emigrantëve, si dhe shprehu falenderimin për mbështetjen e Italisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Ministri Veliaj zhvilloi edhe disa takime të hapura me studentë dhe komunitetin shqiptar në Itali, si dhe mori pjesë në inaugurimin e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Pistoia.
Në Itali jetojnë më shumë se 500 mijë emigrantë shqiptarë dhe ky komunitet është i dyti ndër komunitetet migratore në Itali, tashmë i integruar mirë në shoqërinë e vendit fqinj. Komuniteti shqiptar në Itali ka një moshë mesatare të re prej 30.5 vite, që është moshë më e ulët se mesatarja e emigracionit në përgjithësi. Nga ana tjetër, ky komunitet zë vendin e parë për numrin e të punësuarve në shtetin fqinj, çka do të thotë se është e rëndësishme sigurimi i mbrojtjes sociale për këtë popullsi në vitet që vijnë.

Brabo ministrit per perpjekjet maksiomale per te aarritur ne nje konkluzion dhe per pesionet e emigranteve.
Fantastike, perpjekeje maksimale e Veliajt dhe per pensionet e emigranteve ne itali.
Bravooo mnister njeshhh