Veliaj: Vota për Edi Ramën dhe për PS, garanci që puna të vijojë në Tiranë

Dita

Blloku “Misto Mame” në Kombinat, në të cilin nuk ishte vënë dorë prej vitesh, do të shndërrohet shumë shpejt në një nga lagjet më të mira të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Saimir Tahiri, inspektoi fillimin e  punimeve në sipërfaqen prej 35 hektarësh.

Veliaj theksoi se pavarësisht fushatës zgjedhore apo stinës së verës, Bashkia e Tiranës vijon me të njëjtin ritëm punën e saj për të përmirësuar jetën e qytetarëve. “Ka qenë një kërkesë prej dy vitesh e Sajmirit që të përfundonim një projekt, i cili transformon 35 hektarë të një lagjeje që është ndërtuar me djersë gjatë gjithë viteve ‘90-2000. Do të punojmë gjatë gjithë verës, ka apo s’ka fushatë, ka apo s’ka pushime, në mënyrë që deri në fund të vitit të sigurohemi që, ashtu si lagja “Shushica” te Njësia 5 apo lagja “Besa” te Bregu i Lumit dhe shumë hapësira që ku ka vënë dorë bashkia, të kemi mundësi që të sjellim urbanizim edhe zonën e Kombinatit”, theksoi kryebashkiaku i Tiranës.

Sipas tij, procesi i ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për urbanizimin e këtyre zonave, ka rritur disa herë vlerën e pronës`. “Duke filluar nga Pazari i Ri e deri te Bregu i Lumit dhe Bulevardi i Ri, urbanizimi ua ka rritur vlerën pronës deri në 2-3 herë. Ajo që presim është që kur ky investim të ketë mbaruar, edhe këtu vlera e pronës të rritet 2-3 herë dhe secili qytetar t’i shohë dukun investimit të djersës dhe gjithë punës së tij ndër vite”, u shpreh ai, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për punimet që po kryhen me ritëm të shpejtë.

Kreu i Bashkisë ftoi të gjithë qytetarët që të mbështesin masivisht Edi Ramën për një mandat të dytë qeverisës, si një mundësi për të siguruar vijimin e investimeve në kryeqytet. Veliaj deklaroi se 25 qershori është edhe një “referendum” për punët që janë kryer nga ana e Bashkisë gjatë kësaj periudhe. “Dua t’i ftoj qytetarët të kuptojnë një gjë: në datën 25 qershor, tani që kemi mbushur dy vjet nga Bashkia e Tiranës, votohet edhe për Bashkinë e Tiranës. Presim që njerëzit të na japin një notë. Nëse duam që puna në Tiranë të vazhdojë, siç u bë sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Parku Olimpik, Bulevardi i Ri dhe siç po ndryshojnë 50 lagje të tilla në të gjithë Tiranën, duam që njerëzit të na japim një vlerësim. Nëse vlerësimi është pozitiv atëherë u kërkojmë të votojnë për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste, si garanci që puna të vlojë në Tiranë dhe siç kemi punuar këto dy vite të vazhdojmë edhe dy vitet e tjera”, tha ai.

Kryebashkiaku siguroi qytetarët se investimet që e presin Tiranën në dy vitet në vazhdim do të jenë shumë herë më të mëdha. “Po të kemi Sajmirin këtu në Kombinat, Edi Ramën në qeveri, kolegët e tjerë në të gjitha njësitë që përveshin mëngët dhe i shtrohen punës, ajo që kemi bërë në Tiranë nuk është asgjë me çfarë do të bëjmë në dy vitet e tjera. Ndaj mesazhi është i qartë: kush do që Tirana të vazhdojë me punën, të vazhdojë me progresin dhe të vazhdojë me investimet ja ku e ka Sajmirin, Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, theksoi ai.

Share This Article
1 Comment
  • Yzberishi tek KMY-ja eshte zone e banuar me heret se Misto Mame dhe me populolsi mbi 50 mije banore,do apo nuk do Tahiri dhe lal Eri,por qe nuk keni ngulur asnje gozhde ketu!
    Asnje fjale nuk thoni per Yzberishin dhe vini me paturpesine me te madhe e na kerkoni votat!
    HARROJINI VOTAT NGA YZBERISHI!
    Na keni mashtruar gjithmone dhe tani doni prap votat!
    Jeni njelloj mashtruesa si PD edhe PS!
    Jetojme si ne geto,pa rruge,pa shkolle,pa asnje kopesht e cerdhe shteterore,pa poste apo komisariat policie,rruge te pa shtruara ku te mbyt pluhuri veres dhe balta ne dimer!
    Uji na e shisni per te PIJSHEM,por qe nuk eshte as per te lare wc-te!
    Edhe nga nje rryp trotuari qe kemi neper pallate na e keni grabitur se ua keni dhene kafeneve me qera,ndersa femijet tane nuk kane ku kalojne apo lozin!
    Mbi 50 mije banore nuk ka asnje kend lojrash se ju punoni sa per te bere show mediatik!
    Harroji votat e Yzberishit Saimir Tahiri!
    Edhe nje rruge te vetme nuk na e keni shtruar dot,ndersa plehrat dhe qente rrugace bejne ligjin tek ne!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *