Opozita shqiptare ka apeluar sot për një zgjidhje nëpërmjet negociatave, të situatës së krijuar pas debateve për Memorialin e Dëshmorëve shqiptar të UÇMPB-së në Luginën e Preshevës, si dhe ka kërkuar ndërhyrjen e Qeverisë shqiptare në mbështetje të familjeve shqiptare që po ndalohen në kufirin më Greqinë për shkak të pasaportave të tyre.
Sekretari i PS për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj në një deklaratë për shtyp të mbajtur sot paradite, ka denoncuar atë që ai e quajti heshtje dhe indiferentizëm të qeverisë shqiptare ndaj situatës së krijuar në Preshevë.
“Në situatën ku ndodhemi sot pas ultimatumeve të përsëritura kemi pasur një reagim totalisht indiferent të qeverisë shqiptare. Gjëja e parë që ne kërkojmë sot është që qeveria shqiptare, si një qeveri e cila është një shtet anëtar i NATO-s, i OKB edhe i Këshillit të Europës të reagojë në të gjitha këto forume si shtet amë për pakicat shqiptare që jetojnë në territorin e Ballkanit. Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar që qeveria serbe po e trajton çështjen e monumentit në Preshevë si një çështje e një ndërtimi pa leje, duke banalizuar të gjithë ndjesitë që lidhen me të kaluarën e atij rajoni”, është shprehur Veliaj.
Sekretari i PS për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj ka komentuar sot edhe situatën më të fundit të krijuar në kufirin shqiptaro-grek si rrjedhim ndalimit të emigrantëve shqiptarë për të hyrë në Qreqi për shkak të pasaportave të tyre. “Duam gjithashtu që t’i kërkojmë qeverisë shqiptare që përtej retorikës nacionaliste të veprojë në mënyrë konkrete dhe me incidentet që kanë ndodhur në ditët e fundit në kufirin shqiptar. Është e patolerueshme që familje shqiptare ndahen në kufi duke qenë se regjistrimi i toponimeve në gjuhën greke dhe në gjuhën shqiptare nuk përkon me kërkesat që ka vënë pala greke. Sot ne jemi një shtet sovran dhe është detyra e shtetit amë që të reagojë edhe për shqiptarët në Preshevë, edhe për shqiptarët në Greqi dhe për shqiptarët kudo që janë”, ka theksuar Erion Veliaj.