Vëllai i dy viktimave në Shkodër rrëfen tragjedinë

Saimir Lleshi

Gjykata e Shkodrës dha dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Aleksandër (Esat) Dushaj, të dyshuar për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Skënder dhe Abdullah Shkambi, ngjarje e ndodhur më 2 janar në fshatin Drishtë të Postribës.

Prokuroria tha se në vendngjarje u gjetën 5 gëzhoja automatiku dhe një fishek. Dëshmitar i krimit të dyfishtë ka qenë vëllai i tretë i viktimave, për të cilin autori ka dëshmuar se do ta vriste po të kishte pasur mundësinë. Rexhep Guri (Shkambi), deklaroi se së bashku me familjen e tij jeton në Angli prej rreth 15 vitesh. Gjithashtu dhe vëllai i tij, Skënderi jeton në Angli me familjen.

Më 20 dhjetor kanë ardhur për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri tek nëna dhe vëllezërit e tjerë që jetojnë në Shqipëri dhe do ktheheshin në Angli më 3 janar.

Por më 3 janar, rreth orës 09:30, kanë shkuar tek djali i dajës për kafe së bashku pasi martonte vajzën. Bashkë me Skënderin dhe Abdullahun janë kthyer për në shtëpi, por viktimat kanë qëndruar për të marrë disa pako që B.D., do ua jepte për djalin e tij në Angli. Për këtë shkak Rexhepi ka ecur në këmbë deri te shtëpia, duke i lënë vëllezërit pas. Kur ata janë vonuar ka telefonuar Skënderin dhe ky i ka thënë se po bisedonin me Esat (Aleksandër) Dushajn, ndërsa e kanë ftuar edhe Rexhepin të shkonte atje.

“Por sapo dola nga shtëpia dëgjova 7-8 krisma arme njëra pas tjetrës dhe pashë Esat Dushajn që po largohej me shpejtësi dhe me automatik në dorë. Më tej gjeta dy vëllezërit të shtrirë përtokë dhe të vdekur”, ka dëshmuar Rexhepi.

Dhëndër i padëshiruar

Rexhepi ka dëshmuar gjithashtu se kishin një konflikt me të dyshuarin pasi prej një viti ai kërkonte të fejohej me vajzën e Skënderit, e cila është e moshës 19 vjeçe dhe aktualisht jeton në Angli prej 17 vitesh. Në vitin 2006, pasi janë pajisur me pasaportë angleze, vinin një herë në vit në Shqipëri.

Dushaj kishte dërguar edhe xhaxhanë e tij për të kërkuar vajzën e Skënderit, por ata e kishin refuzuar, duke thënë se “nuk do e jepnin vajzën për nuse”. Esati e ka takuar disa herë vetë Skënderin, të cilit i ka thënë se “përse nuk ia jepte vajzën për nuse, pasi ai kishte biseduar vetë me vajzën dhe ajo ishte dakord”.

Sipas rrëfimit, më pas Esati i kishte kërkuar në muajin tetor falje Abdullait që kishte kërkuar dorën e mbesës për nuse. Por më 2 janar ndodhi edhe krimi i dyfishtë.

Esat Dushaj ka rrëfyer se ai ishte ndarë nga gruaja e tij në Greqi ku jetonte si emigrant vetëm që të martohej me vajzën e Skënder Shkambit, të cilën e donte. I dyshuari ka treguar se edhe në rrjetin social Facebook kishin komunikime normale me vajzën prej kohësh dhe pëlqeheshin. Por familja e saj i ka dalë kundër pa asnjë shkak dhe sherri përfundoi në krim.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *