Profesionistët e rinj të shëndetit që kanë konkuruar në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, për të siguruar një vend të lirë pune në strukturat mjekësore publike në vend, tashmë mund të verifikojnë listat nëse janë shpallur fitues, apo do të qëndrojnë në listat e pritjes për t’u punësuar në aplikimet e fazave të ardhëshme.
Me përfundimin e fazës së dytë të konkurimit (testimi i informatizuar i zhvilluar në muajin Mars), Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka shpallur tashmë listën e infermierëve që punësohen në spitalet dhe qendrat shëndetësore publike të Rajonit të Tiranës, Elbasanit, Shkodrës, si dhe të Vlorës. Listën e detajuar për të punësuarit e rinj në strukturat mjekësore të secilit rajon e gjeni bashkangjitur shkrimit. Për secilin prej tyre jepen pikët totale të siguruara në dy fazat e konkurimit (aplikimi me dosje dhe testi i informatizuar), si dhe pozicioni i punës nëse janë të pranuar provizorisht, apo të emëruar.
Ndërkohë që të gjithë kandidatët e tjerë që iu nënshtruan testimit “Infermierë për Shqipërinë”, por që nuk janë pjesë e listës së shpallur të fituesve, kalojnë në listën e pritjes për punësim, përkatësisht në profilet: infermieri, fizioterapi, teknik imazherie dhe teknik laboratori, si dhe mami. Këta kandidatë do të jenë prioritet për vendet e lira të punës që do të shpallen gjatë javëve në vijim nga qendrat shëndetësore dhe spitalet e secilit rajon. “Fituesit që janë aktualisht në listëpritje do të vazhdojnë të punësohen sipas radhës deri në daljen e fituesve nga konkurimi i radhës. Kandidatët që do të mbeten në listëpritje do të ripozicionohen sipas pikëve që kanë. Ata gjithashtu mund të futen në konkurim gjatë aplikimeve të ardhëshme, kjo me qëllim për të ndryshuar pikë e tyre, dhe në fund të konkurimit do t’ju njihen pikët që do kenë nga procesi që do të zhvillohet në fazën tjetër të konkurimit”, sqarojnë autoritetet e shëndetit për kandidatët që ndodhen në listën e pritjes. Në portalin “Infermier për Shqipërinë”, gjendet e plotë edhe lista e qindra kandidatëve që ndodhen në listën e pritjes për secilin rajon.
Konkurimi për vendet e lira të punës në profilet e shkencave mjekësore teknike është zhvilluar nëpërmjet platformës online “Infermierë për Shqipërinë”, ku në fazën e parë të aplikimit çdo kandidat ka dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara, teksa pas mbylljes së aplikimeve kandidatët që kanë rezultuar të rregullt në dosjen e dokumenteve i janë nënshtruar edhe tetsimit të informtaizuar të zhvilluar në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Vlerësimi i çdo kandidati është përcaktuar nga pikët e fituara në dy fazat e konkurimit. Në fazën e parë që përfshinte vlerësimin e dosjes së dokumenteve të përcaktuara, e cila konsistonte në vlerësimin e arsimimit, të përvojës së punës dhe të trajnimeve të kryera në lidhje me profilin përkatës kandidatët kanë siguruar deri në 30 pikë. Ndërsa në fazë e dytë “Testimi i informatizuar”, ku morën pjesë vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses aplikimin me dosje, kandidatët kanë siguruar deri në 70 pikë.
