Pranvera Kola
Maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që nuk kanë fituar ende një të drejtë studimi në universitetet publike të vendit, kanë nisur tashmë garën e raundit të dytë për të fituar një nga kuotat e lira. Të parët që po regjistrohen në sistemin online të përzgjedhjes së 10 preferencave të reja janë maturantët e Tiranës. Po gjatë mbrëmjes së djeshme, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka zbardhur udhëzimin teknik, me hapat se si do të veprohet për aplikimet e fazës së dytë, duke detajuar edhe mundësitë konkrete të pranimeve për çdo fakultetet. Me zbardhjen e kuotave të lira për çdo program studimi, si dhe me verifikimin e pikëve të fituesit të fundit të pranuar në çdo degë, mund të rendisni më mirë 10 preferencat e reja ku mund të vijoni studimet e larta. “Me hapjen e faqes online https://klasifikimi.ualbania.rash.al, çdo kandidat mund të konsultohet me rezultatet e arritura në raundin e parë, duke dhënë specifikimet përkatëse mbi pikët e fituesit të fundit të pranuar në çdo program studimi të fazës së parë. Nëpërmjet këtyre të dhënave mund të vlerësoni realisht, si dhe llogarisni më mirë mundësitë për degët që ju bëjnë fitues në raundin e dytë”, bëjnë me dije burime zyrtare pranë dikasterit të arsimit.
Udhëzimi me hapat e aplikimit
Çdo kandidat që kërkon të vazhdojë studimet e larta gjatë vitit të ri akademik 2016-2017, detyrimisht duhet të plotësojë formularin e aplikimit online në çdo mjedis ku ka akses interneti. Të drejtën për të aplikuar me formularin e ri të preferencave e kanë: “Të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1 apo A1Z dhe që nuk kanë detyrime për provimet e maturës shtetërore, si dhe ata që rezultojnë kalues në provimet e maturës shtetërore në sesionin e vjeshtës. Dhjetë preferencat e reja, kanë të drejtë t’i listojnë edhe kandidatët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z, që rezultojnë kalues në provimet e maturës të sezonit të qershorit, por që nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë për arsye të ndryshme. Mund të aplikojnë edhe ata që kanë konkurruar në raundin e parë, por nuk janë shpallur fitues në asnjërën prej preferencave të përzgjedhura, si dhe ata që anë shpallur fitues në njërën nga preferencat e përzgjedhura, por nuk janë regjistruar”. Duhet të bëni kujdes gjatë ndjekjes së procedurës së regjistrimit, pasi nëse ndonjë kandidat fitues i fazës së parë, ka kryer procesin e regjistrimit, dhe përpiqet të aplikojë për përzgjedhjen e preferencave në raundin e dytë, sistemi nuk e lejon ta bëjë një gjë të tillë, duke i dhënë mesazhin përkatës që konfirmon degën ku është pranuar.
Ndërsa maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të zgjedhin për herë të parë preferenca në këtë raund, duhet që më parë të shlyejnë tarifën prej 2000 lekësh pranë Postës, apo bankave të nivelit të dytë. Më pas, mandat pagesën e kryer të tarifës duhet ta dorëzojnë në drejtorinë e shkollës ku kanë kryer aplikimin me formularin A1/A1Z, që shkolla t’i hedhë në Portalin e Maturës online, mesataren sipas kushteve të përcaktuara në vendim e qeverisë. Ndërsa, kandidatët që kanë aplikuar në raundin e parë dhe do të konkurrojnë sërish nuk kanë asnjë pagesë për të kryer.
Detajet mbi notën mesatare
Nëse nota mesatare e hedhur në sistem është më e madhe, ose e barabartë me 6, këtij maturanti i shfaqet online lista me të gjitha programet e studimit të universiteteve publike dhe atyre private që kanë kuota të lira për pranimet e reja të fazës së dytë. Sistemi informatik nuk lejon që të përzgjidhen më shumë se 10 preferenca, por lejon që të fshihet ndonjëra prej tyre, si dhe të rirenditen ato. Nëse nota mesatare e hedhur në sistem është më e vogël se 6, këtij maturanti do t’i shfaqen në sistem si mundësi përzgjedhjeje vetëm programet e studimit dy vjeçar, që janë me karakter profesional, si në institucionet e arsimit të lartë publik, ashtu dhe në ato private. Kjo kategori maturantësh duhet të plotësojë formularin vetëm me këto programe studimi dy vjeçare. Ndërsa për maturantët që dëshirojnë të aplikojnë pranë Universitetit të Mjekësisë Tiranë, nota mesatare për programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike , që kanë kuota bosh në dispozicion për këtë raund, duhet të jetë më e madhe, ose e barabartë me 8. Më tej sqarohet se për programet, Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji nota mesatare duhet të jetë më e madhe se 8.5.
Datat e aplikimeve
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka detajuar edhe kalendarin e aplikimeve që do të zbatohet për garën e raundit të dytë. Maturantët e Tiranës vijojnë të parët renditjen e preferencave. Si shkak i fluksit të lartë të maturantëve të përqendruar në kryeqytet, edhe afati i lënë në dispozicion të tyre është më i gjatë. Pas tre ditësh do të nisë aplikimi edhe për kandidatët e rretheve. Në tabelën bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar edhe datat e aplikimeve që duhet të zbatohen në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit. Sistemi i përzgjedhjes së preferencave mbyllet me 1 tetor, datë pas të cilës fakultetet do të shpallin edhe listën e fituesve të raundit të dytë.
Kuotat e lira të raundit të dytë
Ndonëse juanë më të kërkuarat, fakultetet e Universitetit të Tiranës rezultojnë të kenë numrin më të lartë të kuotave bosh që do të jenë në dispozicion të aplikuesve të raundit të dytë. Konkretisht bëhet fjalë për 4048 kuota të lira. Në Universitetin e Durrësit janë të lira 1695 vende pranimi që do të plotësohen në fazën e dytë. Vetëm 29 është numri i kuotave të lira të raportuara nga Universiteti i Sporteve. Më pas në Universitetin e Gjirokastrës janë të lira 839 kuota, në Universitetin Politeknik janë të lira 1412 kuota pranimi, në Universitetin e Korçës janë të lira 1012 kuota, në Universitetin e Vlorës gjenden 1544 kuota të lira, Në Universitetin Bujqësor të Tiranës janë 1214 kuota të lira, në Universitetin e Shkodrës janë 1617 kuota, në Universitetin e Mjekësisë janë 553 vende të lira, në Universitetin e Arteve janë vetëm 50 vende të lira, ndërsa në Universitetin e Elbasanit 2321 kuota të lira.
