Pranvera Kola-DITA
Dy janë fazat e konkurimit që do të zbatohen për plotësimin e vendeve vakante në shkollat e arsimit parauniversitar. Përzgjedhja e mësuesve edhe për këtë vit shkollor do të zhvillohet nëpërmjet aplikimit me dosje, si dhe testimit profesional nga aplikimi në portalin online “Mësues për Shqipërinë 2017”.
Kështu, nga dita e nesërme nis zyrtarisht gara për punësimet e reja të mësuesve në shkollat e arsimit 9-vjeçar, si dhe gjimnazeve. Mësuesit që do marrin pikët më të larta në konkurrimin me dosje dhe provimin e janarit do zgjedhin të parët shkollat se ku duan të punësohen. Mësuesi fiton emërimin nëse në mbyllje të kontratës 1-vjeçare të punës merr vlerësim pozitiv nga drejtori, nxënësit dhe prindërit.
Gara e këtij viti do të zhvillohet për vendet e lira të punës në profilet e: “arsimit fillor, arsimit special, arsimit parashkollor, biologji, edukimit figurativ, edukimit fizik dhe sporteve, fizikës, gjuhës së huaj, gjeografisë, gjuhës shqipe dhe letërsisë, historisë, kimisë, matematikës, edukimit muzikor, shkencave shoqërore filozofi, psikologji, sociologji, ekonomi, profilet e shkollave artiske në specialitetet art figurativ, koreografi, muzikë, si dhe teknologji informacioni dhe komunikimi”.
Afatet e konkurimit me dosje
Sikundër u theksua edhe më lart, faza e parë e konkurrimit përfshin aplikimin me dosje, sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimin e posaçëm të Ministrisë së Arsimit. Sipas afateve të caktuara, konkurimi me dosje zhvillohet në periudhën 1-22 dhjetor, çka do të thotë se brenda këtij afati të përcaktuar, të gjithë arsimtarët duhet që të dorëzojnë dokumentet e përcaktuara.
Dorëzimi i dosjes lejohet të bëhet vetëm nëpërmjet Postës Shqiptare, teksa duhet të ketë në përmbajtje listën e dokumenteve që e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Kandidatët kanë të drejtë të aplikojnë me dosje në më shumë se një njësi arsimore vendore, duke dërguar dosjen në çdo drejtori që duan të aplikojnë. Pavarësisht se mund të konkurohet në disa njësi, testimi kryhet vetëm në një drejtori dhe pikët e fituara përllogariten në të gjitha drejtoritë ku kandidati ka aplikuar me dosje.
Vlerësimi i pikëve të fituara nga dosja
Shqyrtimi i dosjeve nga komisioni i vlerësimit apo grupet teknike do të bëhet në periudhën 25-29 dhjetor 2017. Po sipas shkresës së dërguar në drejtoritë e arsimit, bëhet me dije se shpallja e pikëve të dosjeve për çdo kandidat do të bëhet publike në faqet online të këtyre drejtorive, përkatësisht në datat 4-8 janar 2018, teksa më pas do të zhvillohet edhe testimi profesional.
Të përjashtuarit nga konkurimin me dosje
Në konkurimin me dosje nuk kanë të drejtë që të marrin pjesë mësuesit që janë të emëruar, mësuesit që janë në punë me kontratë pa afat (definitiv) dhe dëshirojnë të ndryshojnë qendrën e punës për një vend pune më të mirë. Po ashtu, nuk duhet të aplikojnë as mësuesit që janë në punë me kontratë pa afat (definitiv), por që parashikojnë se për vitin e ardhshëm shkollor mund t’u reduktohet vendi i punës.
Nga dorëzimi i dosjes shpëtojnë edhe kandidatët që kanë marrë pjesë në testimet e mëparshme të portalit “Mësues për Shqipërinë” dhe dëshirojnë të përmirësojnë rezultatet e tyre në testim, si dhe kandidatët që kanë marrë pjesë në testimet paraardhëse, që duan që të përditësojnë të dhënat e dosjes së tyre duke ruajtur pikët e testimit të fundit që ka kryer.
Testimi profesional i janarit
Gjatë ditëve në vijim, dikasteri i arsimit pritet të zbardhë edhe afatet e aplikimit në portalin online dhe datën e saktë të testimit. Në testim mund të marrin pjesë kandidatët që kanë marrë pjesë në testime paraardhëse “Mësues për Shqipërinë” dhe që dëshirojnë të përmirësojnë rezultatin e tyre, mësuesit që kanë konkurruar me dosje dhe kanë tërhequr formularin e aplikimit në DAR/ZA, si dhe janë regjistruar online në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Mësuesit do të testohen sipas profilit lëndor në të cilin janë diplomuar, si dhe për njohjen e legjislacionit që vepron në fushën e arsimit dhe rregullat e drejtshkrimit.
Si do bëhet emërimi i mësuesve
Komisionet e vlerësimit pas marrjes së rezultateve zyrtare nga IZHA (Instituti i Zhvillimit të Arsimit) bëjnë renditjen paraprak dhe përfundimtare për çdo profil dhe lëndë mësimore ku është konkurruar. Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2017”. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës.
Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë.
Në rastet kur vlerësimi i këshillit të prindërve, apo i komisionit të shërbimit psiko-social nuk është pozitiv për cilësinë e shërbimit arsimor të ofruar nga mësuesi gjatë periudhës një vjeçare të provës, arsimtari e humbet vendin e punës që fitoi nëpërmjet testimit dhe konkurrimit me dosje.
Penalizimet
Sipas përcaktimeve të detajuara në udhëzim, kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati. Udhëzimi i dikasterit të arsimit dikton më tej se për një vend të lirë pune me ngarkesë të plotë mësimore dhe të përhershme, komisioni është i detyruar që në përzgjedhje të ftojë të parët kandidatët për mësues që janë të punësuar në një vend pune me ngarkesë të pjesshme, apo të përkohshme.
