Pranvera Kola
Do të vijojnë edhe përgjatë javës së ardhëshme testimet për punësimin e mësuesve në shkollat e arsimit parauniversitar për vitin e ri shkollor 2021-2022. Provimit të informatizuar kësaj here do t’i nënshtrohen mësuesit e arsimit fillor. Për këtë profil provimet do të vijojnë për pesë ditë me radhë, përkatësisht në datat 23-27 gusht, kjo për shkak të numrit të madh të kandidatëve që janë në garë për vendet e lira të punës si mësues i arsimit fillor në institucionet shkollore publike. Qendra e Shërbimeve të Arsimit bën me dije se janë 977 kandidatët e këtij profili që do të japin provimin gjatë javës së ardhëshme, ndërkohë që rregullat do të vijojnë të jenë të njëjtat sikundër ka ndodhur edhe me profilet e tjera lëndore të mësuesisë. Datat dhe oraret e testimit i gjeni të detajuara në listën bashkangjitur shkrimit. Kush nuk paraqitet në orarin e përcaktuar e humbet të drejtën e konkurimit për këtë vit.
Për të shmangur penalizimet, gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në testim, kandidati: duhet patjetër të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para orarit të përcaktuar për zhvillimin e testit, teksa duhet të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike. Po ashtu, duhet të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër nga kandidatët e tjerë. Me vete duhet të keni vetëm dokumentet e kërkuara Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumentin origjinal dhe kopje të tyre, si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DRAP. Në ditën e provimit duhe të keni me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit. Nuk lejohen celularët, çantat dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e testimit. Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente apo mjete, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar.
Në tetsimin e informatizuar mësuesit do të vlerësohen për njohjen e dokumentacionit zyrtar që lidhet me profesionin e mësuesit dhe që shërben si rregullator në punën e përditshme të mësuesit për çdo institucion arsimor, njohjen e dokumentacionit kurrikular të programit lëndor, njohuritë rreth aspekteve të pedagogjisë, metodologjisë dhe përdorimit të TIK-ut në mësimdhënie, njohuritë rreth aspekteve të etikës dhe të komunikimit, dijet rreth drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si dhe njohuritë rreth përmbajtjes shkencore të lëndës që zhvillon mësim.
Renditja përfundimtare për të gjithë kandidatët që garojnë në këtë profil, do të sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2021”. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë.
Sipas udhëzimit të miratuar më herët nga MASR, kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati.
