Legjendat më tragjike të dashurisë që jetojnë në kohë të kohërave në Elbasan kanë lidhje me bektashizmin. Kjo për faktin se shumë nga vendet e mira që janë shoqërohen nga këto legjenda, janë vende të faljes së besimit bektashian. Edhe pse drejtuesit fetar të sektit bektashian nuk i pranojnë këto legjenda duke i cilësuar gojëdhëna pa ndonjë bazë dokumentare, sërish besimtarët në pjesën më të madhe që i falen këtyre vendeve dhe kërkojnë mirësi, janë të besimit bektashian.
Ervin Sanja
Historitë e dashurisë që u bënë legjenda
Histori dashurie janë bërë legjenda e madje janë kthyer në vende pelegrinazhi për njerëzit që kërkojnë fatin, të rikuperojnë dashurinë e humbur apo të luftojnë nëpërmjet lutjes shërimin. Legjenda dashurie kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë e zonave të ndryshme madje kanë mbetur edhe toponime duke ardhur deri sot, si: Mali i Vashës dhe Tyrbja e Gocës në Griqan të Labinot-Fushë dhe në dalje të Elbasanit në anë të lumit Shkumbin.
Mali i Vashës
“Ndoshta ishte e shkruar nga Zoti që një bujk, i biri i një fshatari të varfër nga Griqani i Labinotit Fushë të binte në dashuri me vajzën e beut të kësaj ane. Fjala kishte marrë dhenë, se djali i pashëm i bujkut të varfër ishte dashuruar me vajzën e bukur e të pasur të një beu të madh të një ane tjetër po në Labinot-Fushë, ku edhe është zhvilluar kjo ngjarje. Zilija bënte punën e vet dhe gojë pas goje një ditë fjala arriti në veshin e beut. I turfulluar dhe me inat në kokë beu i xhindosur kërkonte të bënte gjëmën. Dërgoi sejmenë dhe shërbëtorë që t`ia sillnin djalin, të dashurin e vajzës së tij para sysh. Ndërkohë që vajzës ia kishte zhuritur shpirtin me fjalët se nuk do ta lejonte kurrë një martesë që do ta turpëronte për jetë. Dha e mori, por nuk e nënshtroi vajzën e tij. Ajo me krenari rinore u betua para Zotit dhe para të atit të saj se nuk donte njeri tjetër në këtë jetë, veç djalit që i kishte fituar zemrën.
Fshati i tërë fliste për këtë dashuri të pazakontë, por të bukur, të padëgjuar, por të veçantë, që djali i një bujku të varfër të arrinte të donte vajzën vetme e të pasur të beut të madh. Dhe ndodhi një çudi. Krenar dhe i mbushur me dinjitet djaloshar, biri i një familjeje të thjeshtë, por të pasur në dinjitet e në shpirt, u paraqit pa iu dridhur syri beut në fjalë. Njerëzit e morën vesh, se haberi kishte marrë dhenë. Edhe pse me inat të sojit të tij, beu pranoi t`ia jepte vajzën këtij djali, por duke i kërkuar një kusht, që ai me vajzën në krah t`i ngjitej malit përpjetë deri në majë. Ishte një mal me një të përpjetë të madhe, por që djali e kishte ngjitur me dhjetëra herë dhe s’ia bënte syri tërr. Gjithçka u pranua dhe ashtu u bë. Të dy te dashuruarit u përqafuan dhe, duke e marrë në krah, djali i mirë nisi betejën e kërkuar, duke marrë në krah vajzën që donte. Rruga nuk ishte e gjatë, por e thyera e malit ishte e hidhur. Dihatja e frymëmarrjes së vështirë nga pesha nuk e shqetësonte djaloshin që si me magji kishte realizuar ëndrrën ë tij. Po ashtu dhe vajza e këndshme ia përkëdhelte dihatjen me fjalët e ëmbla që i fliste herë pas here. Kështu ngjitja për në majë po realizohej, siç dëshironte.
Këtë çudi po e vështronin me kureshtje dhe ankth shumë banorë të fshatit Labinot Fushë, duke pritur se çfarë do të ndodhte. Vetëm kur ata të ishin në krye te malit që tashmë, sot e kësaj dite, mban emrin “Mali i Vashës”, do të kurorëzohej tërësisht një dashuri, edhe pse me diferenca shoqërore.
Por rruga drejt majës po bëhej e vështirë. Tashmë lodhja po bënte punën e vet. Zemra e djalit rrihte e rrihte pa pushim, si një maratonomak. “Edhe pak, edhe pak”, i fliste vajza në vesh dhe djali e dëgjonte sikur t`i flisnin zanat e malit të Çermenikës, të cilat djali i ëndërronte tek vajza që dashuronte. Vajza ia dëgjonte edhe rrahjet e zemrës, ajo e ndjente edhe gjakun që i vërshonte, ashtu siç edhe shikonte engjëllin e saj që lumturohej me të në krah.
Fundi erdhi. Djali e arriti majën, gëzimi për të u bë i pa mat. Pikërisht në këtë kohë ndodhi edhe tragjedia. Ai u shemb përdhe, sepse zemra i plasi duke vulosur një tragjedi. Ndërkohë vajza kujtonte se ai u shtri prej gëzimit, por shpejt kuptoi se një dashuri e bukur dhe e dëshiruar pafundësisht kishte marrë fund. Hidhërimi përshkoi tërë qenien e saj. Një britmë e madhe oshëtiu në të gjithë luginën, duke çarë malet tejpërtej. Atë e dëgjuan të gjithë ata që për disa orë po ndiqnin me sy një nga ngjarjet e rralla të kësaj ane. Dhe vajza me zemer të thyer, me shpirt të përvëluar, me mendje të vrarë, hipën mbi shkëmb dhe si një zog i bukur mali hidhet që andej, vrik e përposhtë për të vdekur dhe ajo bashkë me të dashurin e saj.
Ishte një tragjedi dashurie, një Romeo e Zhuljetë shqiptare. Të gjithë panë fundin e një dashurie të pakurorëzuar. Edhe beu i egër derdhi lot, jo vetëm për vajzën e tij, ndaj dhe kërkoi që të dy, si vajza dhe djali të varroseshin bashkë nën hijen e një rrapi, pikërisht atje në rrëzën e malit që tashmë mban emrin “Mali i Vashës”. Sa herë që udhëtarët kalojnë përgjatë rrugës që shikohet me Malin e Vashës, të gjithë flasin dhe kërkojnë të dinë përse e ka emrin të tillë, por pa ditur se është historia e dy të dashuruarve përjetësisht.
Tyrbja e Gocës
Djali ortodoks nga Shelcani me një shikim zemre ka fituar dashurinë e vajzës myslimane nga Shushica në trevën e Elbasanit, por dashuria e tyre nuk do të pritej mirë nga familja e vajzës. Prindërit e vajzës i ranë shkurt dhe kërkuan e gjetën një burrë për bijën e tyre. Askush nuk kishte forcë të ndalte këtë vendim kanunor, edhe pse askush nuk mund t’i ndalte ndjenjat që ushqente djali i Shelcanit për vajzën e Shushicës. Por çdo gjë kishte marrë udhën e tragjedisë. Ditën e dasmës mbi një kalë dhe shoqëruar nga krushq dhe dasmorë, vajzës iu prenë në mes ëndrrat dhe zemra iu bë katërqind copash. Fshehurazi, djali e ndoqi kalin e bardhë të vajzës së zemrës, deri sa e kaloi edhe lumin Shkumbin. E dashura e tij e kaloi lumin, ndërsa ai vetë ndjeu për herë të parë një ligështi të madhe në anën tjetër të bregut.
Ndërkohë që kali kishte prekur bregun e përtej lumit për në Elbasan, vajza kthen kokën dhe shikon për të fundit herë bregun e përtejmë, ku qëndronte i zhytur në ngashërime djali i zemrës së saj. Ai qëndroi dhe pak në këmbë dhe u shemb përtokë duke plasur në vend. Si nëpër në një rrymë elektrike hidhërimi kaloi në anën tjetër të lumit dhe ndodhi ajo që nuk ishte parë dhe as dëgjuar asaj ane. Vajza ndjeu se zemra i pushoi dhe bie në tokë, e cila edhe ajo vetë ndjeu se ky engjëll i bukur ishte shuar përgjithmonë. Krushq e dasmorë panë njëri-tjetrin në sy dhe kuptuan se kishin dashur të shuanin një dashuri, por në fakt kishin vrarë dy njerëz që u deshën deri në fund të jetës së tyre.
Që nga ajo kohë e deri sot ky vend do të quhej i shenjtë dhe emri “Tyrbja e Gocës” do të bëhej i njohur për të gjithë ata që dashuronin, për të gjetur ilaçin e bashkimit të zemrave. Aty ndizen qirinj prej shumë kohësh, sikur digjen zemrat e dy të rinjve, djalit ortodoks nga Shelcani dhe vajzës myslimane nga Shushica. Ndërsa shumë të tjerë duke shkuar në Tyrben e Gocës, kërkojnë të shpëtojnë dashuritë e tyre të zemrës duke shpresuar të marrin nga dashuria e madhe e dy të rinjve që nuk mundën të jetojnë pa njëri-tjetrin.
Vendi i mirë në Krastë
Vendet e mira duket se janë të lidhura ngushtë me legjenda të tilla që vijnë nga thellësia e shekujve deri në ditët e tona. Në Krastë, në periferi të Elbasanit ndodhet “Vendi i Mirë”. Me qindra njerëz shkojnë çdo javë, ndezin qirinj dhe luten për familjarët e të afërmit e tyre për t’i shëruar nga sëmundjet dhe për fat. Historia e fatit duket se ka lidhje me një legjendë që lidhet me këtë vend shkëmbor. Haxhiri dhe Haxhireja janë dy personazhe që lidhen me këtë vend.
Dikush thotë se kanë qenë vëlla e motër, dikush tjetër të dashuruar, por ajo që i bashkon të gjithë, është fakti se ata janë vrarë në këtë vend disa metra larg njëri-tjetrit. Dy shkëmbinjtë ku mendohet të jenë vrarë dy eprsonazhet e lashtë të dashurisë janë edhe vendet ku ata ndezin qirinj dhe luten. Sipas kujdestarit të Vendit të Mirë, kryesisht në këtë vend vijnë vajza që nuk i ka dalë ende fati, bashkëshorte që janë grindur apo ndarë me burrat. Sipas tij, ato kthehen prapë dhe dëshmojnë se gjërat pasi janë lutur me shpirt këtu, i kanë rregulluar.
Sipas tij vendin e mirë e ka rregulluar një njeri nga Vlora, i cili është martuar dhe është bërë me fëmijë pasi ka ardhur këtu. Nëse pyet qytetarë që shkojnë tek Vendi i Mirë, të thonë se për të ndezur qirinj në këtë vend, duhet besuar, pasi në të kundërt nuk ndodh asgjë.
Vajzat e reja thonë se dalja e fatit është gjëja më e rëndësishme dhe kanë ndjekur këshillat e njëra-tjetrës për të mbërritur deri këtu.
Kjo pjesë shkëmbore ka lidhje edhe me një tjetër histori. Në një nga zgavrat e shëmbit del një tunel që vjen nga brenda Kalasë së qytetit. Në kohën e luftrave ushtarët dhe banorët e kalasë hynin në këtë tunel e dilnin në Krastë duke i shpëtuar përndjekjes.
Po kështu, ky vend ka edhe një histori në kohën e komunizmit. Sipas kujdestarit, një oficer i ushtrisë bashkë me disa ushtarë i kanë vënë dinamit për ta shkatërruar, por vendi nuk ka shpërthyer. Po kështu në këtë vend ka qenë një pemë fiku që ky oficer e ka prerë. Këto veprime kanë sjellë edhe vdekjen e tij, sipas kujdestarit që tregon se ky vend është vend i shenjtë e nuk preket.
Bektashizmi
Bektashizmi është urdhër fetar islam me doktrinë të veçantë. E mori këtë emër nga themeluesi i doktrinës, haxhi Bektash Veliu. Qendra e këtij sekti në Shqipëri u bë Elbasani. Në këtë kohë nga Elbasani dalin mjaft figura të shquara që i shërbyen me devotshmëri kësaj doktrine, figura që u evidentuan si para, ashtu edhe gjatë Rilindjes Kombëtare. Udhëheqësit shpirtërorë të bektashinjve mbështetën luftën për liri, Pavarësinë dhe gjuhën amtare. Ndër figurat e shquara të bektashinjve nga Elbasani përmendim Mustafa Fatih Babai dhe Ibrahim Furugi babai që kanë jetuar në shekullin XVIII. Më pas u identifikuan emrat e baba Ali Karait, baba Mustafa Balzës, baba Mustafa Dedei, baba Selim Balza, baba Qazim Dedei etj.
Nga 5 falje që bëjnë myslimanët në ditë, bektashinjtë praktikojnë 2 të tilla, dhe nga një muaj që është Ramazani, bektashinjtë e kanë reduktuar në 10 ditë agjërimin. Fryma liberele dhe ngjashmëria me disa festa pagane e të krishtera, bënë që Bektashizmi të përhapet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Misionar kryesor i Bektashizmit ishte Sari Salltëku. Sipas legjendës shqiptare, Sari Salltëku vrau kuçedrën që kishte bllokuar ujin. Kishte fuqi të hidhte hapin nga Kruja deri në Korfuz ku janë hasur dhe gjurmë të tij. Hierarkia ka një organizim të tillë që fillon me kryegjyshin, gjyshët, baballarët dhe simpatizantët. Në Elbasan ekziston një numër i madh teqesh. Më të famshmet prej tyre janë Teqja e Baba Xhemalit dhe Teqja e Madhe.
“Bektashizmi ka norma: Nuk ndalon, por s’e tepron”
Haxhi Baba Faik Selmani, babai që kujdeset për Teqen e Baba Xhemalit, ndërsa zhvillon pritjen e besimtarëve në ambjentet e kësaj teqeje, ka aftësinë të testojë besimin sapo e takon dhe i thua emrin. Duke qenë se Teqja e Baba Xhemalit është e vetmja teqe që ka ambjentet pritëse, të gjitha ceremonitë bëhen aty dhe për të mësuar më shumë për bektashizmin, nuk kish vend tjetër më të mirë sesa ky objekt i shenjtë.
Në një intervistë për gazetën “Dita” Baba Faik Selmani sjell shtyllat e bektashizmit dhe si u zhvillua në Shqipëri e veçanërisht në Elbasan.
Çfarë janë tyrbet?
Tyrbja është vendi ku varrosen kur ndërrojnë jetë baballarët e Teqes. Ata nuk varrosen në varreza normale, por kalojnë në një vend të veçantë pranë teqes dhe ky vend i veçantë quhet Tyrbe. Sipas ligjeve të statutit të bektashizmit, eshtrat varrosen në tyrbe aty ku kanë shërbyer baballarët.
Tyrbja konsiderohet vend i shenjtë dhe besimtarët shkojnë dhe ndezin nga një qiri në kujtim të këtyre baballarëve edhe për të marrë mirësi. Teqja ka dy vende që respektohen: godina e pritjes dhe tyrbja.
Në Elbasan ka disa vende të mira. Ai njihni ju si besim bektashian si pjesë tuajën këto vende pelegrinazhi?
Sigurisht që i njohim vendet e mira. Ato janë të tilla pasi aty kanë ndodhur mirësi dhe kanë mbetur të tilla në shekuj. Sigurisht që ato kanë legjenda të ndryshme të cilat janë gojëdhëna që kanë mbetur brez pas brezi në popull. Një gjë është e sigurtë, nga këto vende njerëzit kanë gjetur mirë dhe për këtë arsye vazhdojnë të jenë të shenjta e do të mbeten të tilla përgjithmonë.
Teqja e madhe është teqja e parë e ndërtuar në Elbasan apo jo. Pse ritet fetare i kryeni tek teqja e Baba Xhemalit dhe jo tek kjo teqe?
Është e vërtetë që ajo është ndërtuar më herët dhe ka qenë më e madhja. Ka një histori më vete dhe pasi është prishur e ndërtuar disa herë me lejimin e fesë ne donim ta ringrinim. Ritet nuk kryhen atje pasi aktualisht tek Teqja e Madhe kanë mbetur vetëm tyrbet. Pjesa tjetër e godinave të teqjes janë zënë nga banorët e zbritur në Elbasan. Ata kanë ndërtuar mbi këto themele dhe ne nuk kemi pasur mundësi të ndërtojmë Teqen e madhe. E vetmja shpresë e jona është dalja e një ligji që do të kompensojë ata banorë dhe të kthejë teqjen e madhe në themelet e saj.
A i janë kthyer pronat komunitetit bektashian?
Pas viteve ‘90 u lejua besimi dhe kjo është një gjë e madhe, por nuk iu kthyen të gjitha pronat komunitetit tonë. Elbasani ka pasur tre teqe në qytet, dy prej të cilave janë zënë dhe madje në njërën ka filluar ndërtimi i një pallati. Një qytetar ka shkulur eshtrat e baballarëve dhe në kundërshtim të plotë me gjithçka, ka ndërtuar. Ne kërkojmë që e drejta jonë të vihet në vend dhe eshtrat e baballarëve të kthehen atje ku kanë qenë. Nuk mund të ndërtohet në objekte që kanë qenë teqe. Ato nuk mund të ndryshojnë kurrë destinacion. Edhe këtu ku jemi teqja është ndërtuar mbi themelet e vjetra. Zoti vonon, por nuk harron dhe ata njerëz që kanë zënë edhe pasi janë njohur me faktin se ato janë pronë e bektashinjve, do të përgjigjen para Zotit.
Pse familjet elbasanase e përqafuan në masë fenë bektashiane?
Bektashizmi ka pasur një zhvillim të madh sidomos në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të. Familje të vjetra elbasanase e kanë përqafuar këtë fe dhe kryenin ritet në të tri teqet e qytetit. Mendoj se ata e përqafuan bektashizmin pasi kjo fe kryen ritet fetare qoftë të përgjithshme të myslimanzimit por ka rregullat dhe normat e brendëshme të saj. Kështu myslimanizmi e kryen faljen jashtë, ndërsa një bektashian e kryen ritin e faljes në një vend të fshehtë larg vëmendjes së njerëzve. Të gjithë e dinë që feja bektashiane është më e moderuar dhe nuk kërkon shumë sakrificë.
Është folur Isuf Myzyri ishte baba nderi në Teqjen e Madhe. Është e vërtetë?
Po, Isuf Myzyri kryente ritet bektashiane dhe i qëndronte afër besimit. Thuhet se ka kontribuar dhe për këtë arsye e kanë shpallur baba nderi tek Teqja e Madhe të cilën e frekuentonte më shumë.
Thuhet se besimi bektashian e lejon pijen. A mos ishte edhe kjo një arsye pse u preferua më shumë se myslimanizmi nga elbasanasit?
Një besimtar bektashian është me norma, dhe kjo ndodh edhe me pijen. Ne e lejojmë, por nuk e teprojmë. Për bektashianët ka norma për të ngrënën, të folurën dhe për pijen. Gjithçka konsumohet në sasi të kontrolluar. Pra, ne ushqehemi me kufij, flasim me kufij dhe sigurisht pimë me kufinj.
Bektashizmi në Elbasan ka më shumë besimtarë apo më pak?
Qysh pas lejimit të besimit, njerëzit që frekuentojnë teqenë, janë shtuar. Sistemi i kaluar e pezulloi, por tashmë besimtarët janë të lirë.
Teqja e Baba Xhemalit
Ndodhet në anën jugore të qytetit në afërsi të Tyrbës së Gocës. U rindërtua në vitin 1929 mbi themelet e teqes së Ali Horosanit, i cili u vra në Elbasan në vitin 1862.
Baba Xhemali ishte dijetar dhe vjershëtar i shquar dhe emrin e vërtetë e ka pasur Selman, por meqë ka pasur një pamjet tepër të hijshme, është quajtur Baba Xhemal. Ishte i vendosur në teqën e Musa Qazimit në Bagdat e mbas mbarimit të luftës është kthyer në Stamboll në teqenë e vet. Kur republika turke mbylli të gjitha institucionet fetare, ai u kthye në shqipëri ku ka qëndruar për një kohë të gjatë në shtëpinë e Hashim Hakanit dhe Beqir Plangaricës.
Kur është informuar nga drejtori i vakëfeve, Mehmet Bejtja në regjistrat e vjetra të vakëfit figuron e regjistruar një truall me emrin Teqja e baba Ali Horosanit në anë të Lumit Shkumbin pranë Tyrbes së Gocës. Ai është intresuar dhe e ka blerë këtë truall me 800 franga ari. Është ndër më të vjetrat në Elbasan.
Teqja e Madhe
U ndërtua në vitin 1803 nga dy shenjtorët Fakri dhe Xhefai Babai. Baballarët që drejtuan këtë teqe kanë qenë nga familje të famshme të Elbasanit, si: familjet Dedei, Ekmekciu, Balza etj. Teqja është drejtuar nga 5 pjesëtarë të familjes Dedei, të cilët e rindërtuan disa herë atë mes viteve 1874-1962. Teqja është e vendosur në një kodër të bukur në lindje të Elbasanit, në të majtë të rrugës nacionale Elbasan-Pogradec.
Deri në vitin 1967 ajo është drejtuar nga 12 baballarë. Si themelues i saj njihet Fakri Mustafa babai më 1803, i cili thirri për bashkëpunim Xhefrai babanë. Në vitin 1826 Teqja prishet nga autoritetet osmane. Në këtë kohë baba Fakri strehohet në Luz të Kavajës në shtëpinë e Ibrahim Xhanit. Ndërsa Xhefai babai shkoi në Frashër ku qëndroi deri në vitin 1829. Pastaj kthehet në Elbasan dhe varroset në Teqen e Madhe.
Pastaj në këtë Teqe kanë shërbyer Haxhi Daut babai 1862-1870. Në vitet 1870-1874 teqen e drejtoi Hazbi Hysen babai. Dijetari Ali baba Dedei e drejtoi këtë teqe për 23 vjet 1874-1897. Duke qenë njeri me kulturë të gjerë ai fitoi respektin e myslimanëve, ortotoksëve dhe të krishterëve në Elbasan. Njihte disa gjuhë dhe kishte kulturë të gjerë. Fitoi mjaft popullaritet dhe fuqizoi bektashizmin në Elbasan e më gjerë. Populli e quante “Hylki”, sepse kishte gjykim e arsyetim të thellë. Nga viti 1950 deri në vitin 1962 teqja u drejtua nga Musa Qazim baba Dedei. Vdes në vitin 1963. Pas kësaj periudhe Teqja e Madhe në Elbasan drejtohet nga baba Sherif Cami me origjinë nga Tepelena. Edhe pse në vitin 1967 u mbyllën të gjitha institucionet fetare, për shkak të vlerave të rralla historike dhe kulturore Teqja e Madhe në Elbasan u shpall Monument Kulture nga regjimi komunist. Me ndryshimet demokratike teqja u rihap më 14.6.1993. Ajo frekuentohet nga dhjetra besimtarë bektashinj të Elbasanit, madje edhe nga deputetë të këtij qyteti.
Historia e dashurese qe i ka dhene emrin mali i vashes malit me te larte ne fshatin Labinot-Fushe eshte mjaft e bukur dhe interesante.
Une nuk kuptoj se pse i thone vetes musliman bektashit a me ndihmo njeri??????
Feja bektashi e ka themeluar haxhi bektashi i cili vjen nga familja profetike ishte nipi i profetit muhamed dhe me sa di une bektashizmin e ka krijuar me testament Imam aliu dhe profeti muhamed kurse haxhi bektashi e rilindi