Vendimi: 40 milionë lekë shkojnë për lobim fushate

anazapta

Qeveria shqiptare po bën të gjithë përpjekjet e saj për të lobuar në fushatën zgjedhore për një mandat tjetër qeverisës pas 23 qershorit. Por e gjithë kjo shkon në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Vendimi më i fundit i ekzekutivit është për një pagesë 40 milion lekësh për kompaninë lobuese që do të kurojë imazhin e saj, apo do të lobojë në qarqet ndërkombëtare. Burime për gazetën bëjnë të ditur se është miratuar vendimi për këtë shumë, vendim i cili nuk pritet të zbardhet për publikun, pasi ai do të mbetet një vendim qarkullues për përdorim të brendshëm. Në vendim cilësohet se fondi i parave do të merret nga ai i emergjencës. Por duke qenë se dhe ky fond si i gjithë buxheti i shtetit, është në kufinjtë më të ulët, pjesa tjetër e parave sipas këtyre burimeve do të sigurohet nga fondi i partive politike. Dhe fondi i emergjencës është 20 milion lekë që jo vetëm do të boshatiset për ti shkuar kompanisë lobuese, por gjysma tjetër e parave do të merret nga fondi i subjekteve politike që janë gjithashtu pjesë e fushatës zgjedhore. Në vendim nuk zbardhet se kush do të jetë kompania lobuese që do të përfitojë nga shumat e taksapaguesve shqiptarë për të bërë fushatën e partisë në pushtet, por më herët është zbuluar se cila do të jetë kompania që do të lobojë për këtë parti për të rritur imazhin e saj, e për të lëvizur në qarqet ndërkombëtare. Madje kontrata e saj është bërë që në dhjetor të vitit të kaluar më shumë se gjashtë muaj para zgjedhjeve, thjesht duke e rinovuar atë ekzistuesen. Dhe bëhet fjalë për kompaninë amerikane “Patton Boggs”, marrëdhënie kontraktuale që qeveria shqiptare e ka nisur prej vitit 2008, kur u privatizua Armo.  Angazhimi kontraktual i ”Patton Boggs” e con anë në angazhimin e saj që në vititn 2013 të lobojë në sallonet e politikës amerikane për qeverinë shqiptare, të sigurojë intervista pozitive të zyrtarëve shqiptarë në mediat amerikane, t’i trajnojë ata për këto intervista, ndërhyrje në media përpara se ato të publikojnë lajme kritike për qeverinë, si edhe të sigurojë studime pozitive për arritjet e qeverisë nga universitetet dhe institutet më në zë. Por kjo marrëveshje kontraktuale po “shpërblehet” nga fondi i emergjencës së qeverisë dhe qytetarët shqiptarë duhet ti luten perëndisë të mos ketë më përmbytje që në këtë sezon janë të përjashtuara, apo të mos digjet vendi si cdo verë të kaluar, pasi emergjenca shqiptare nuk do të ketë mundësi tu vijë në ndihmë as në minimalen e saj. ”Patton Boggs” është emër i dëgjuar për audiencën shqiptare. Kjo kompani i ka marrë buxhetit të shtetit shuma të majme parash, duke shërbyer në të gjitha privatizimet e rëndësishme të vendit tonë si konsulente ligjore. Dy më kryesorët janë ai i “Armo”-s dhe kompanisë “Albpetrol”, dy privatizime të dështuara, por që për “Patton Bogs” nuk ka rëndësi, pasi kompania i ka siguruara të ardhurat e saj si konsulente. Tashmë sipas kontratës së bërë më partinë në pushtet, po menaxhon dhe fushatën zgjedhore dhe një pjesë e parave që kompania do të marrë, sipas vendimit kofidencial do të jetë nga fondi i emergjencës dhe ai i partive politike, duke cuar në një skandal të ri qeveritar të financave publike.

 

Share This Article
1 Comment
  • mjer ai qe do marri pushtetin me kete arke jo vetem bosh, por si nje vrime e zeze qe perpin gjithcka….nuk eshte per tju gezuar fitores….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *