Gjyqi ndaj Kadri Hazbiut. Seanca 28
Aranit Çela: Po për akuzën e tradhtisë ndaj Atdheut, 25 vjet heqje lirie për Mihallaq Ziçishtin, 10 vjet për Gani Kodrën dhe 25 vjet për Ali Çenon!
(Vijon nga numri i kaluar)
Pas dokumentimit të provave të fajësisë për “Tradhti ndaj Atdheut”, në seancën e 28 dhe të fundit të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij, Aranit Çela komunikon vendimin e dënimit me vdekje për Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin. Ndërsa për tre të tjerët, Mihallaq Ziçishtin, Ali Çenon e Gani Kodrën, jepen gjithsej 60 vite burg…
Seanca e 28-të
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Gjykata E Lartë
“Kolegji Ushtarak”
VENDIM
NË EMËR TË POPULLIT
Kolegji ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, me trup gjykues të kryesuar prej:
-Aranit Çela, Kryetar i Gjykatës së Lartë, kryetar
-Muharrem Mulgeci, ndihmësgjyqtar në këtë gjykatë, anëtar
-Fardi Haxhiu, ndihmësgjyqtar në këtë gjykatë, anëtar
-Selim Fili, ndihmësgjyqtar në këtë gjykatë, anëtar
-Luftar Jahja, ndihmësgjyqtar në këtë gjykatë, anëtar,
dhe me sekretarë Aishe Shima e Majlinda Gjini, me pjesëmarrjen e Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino, prej datës 22 gusht deri më datën 1 shtator 1983 gjykoi në shkallë të parë në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura çështjen penale nr. 8 aktin, që u përket të pandehurve:
1-KADRI HAZBIU, i biri i Hazbiut dhe i Xheves, lindur në vitin 1922 në katundin Mavrovë të Vlorës dhe banues në qytetin e Tiranës, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatar i pasur dhe me gjendje shoqërore nëpunës(ish-ministër i Mbrojtjes Popullore), i martuar, ka 4 fëmijë, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, me arsim të mesëm, nuk mban tituj e dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar më datë 15 tetor 1982.
2-FEÇOR SHEHU, i biri i Refatit dhe Merushes, lindur në vitin 1922 në katundin Hekal të Fierit dhe banues në qytetin e Tiranës, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatar i pasur dhe me gjendje shoqërore nëpunës(ish-ministër i Mbrojtjes), i martuar, ka 2 fëmijë, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, me arsim të lartë, nuk mban tituj e dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar më datë 24 mars 1982.
3-MIHALLAQ ZIÇISHTI, i biri i Petros dhe i Judisë, lindur në vitin 1921 në katundin Ziçisht të Korçës dhe banues në qytetin e Durrësit, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore zanatçi individual dhe me gjendje shoqërore nëpunës(ish-sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Durrësit), i martuar, ka 3 fëmijë, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, me arsim të lartë, nuk mban tituj e dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar më datë 10 gusht 1982.
4-LLAMBI PEÇINI, i biri i Vasilit dhe Vanthisë, lindur në vitin 1925 në qytetin e Elbasanit dhe banues në qytetin e Elbasanit, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore punëtor dhe me gjendje shoqërore nëpunës(ish-kryetar i Degës së Brendëshme Vlorë), i martuar, ka 2 fëmijë, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, me arsim të lartë të pambaruar, nuk mban disa dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar më datë 15 maj 1982.
5-GANI KODRA, i biri i Beqirit dhe i Fatimes, lindur në vitin 1922 në qytetin e Tiranës dhe banues në qytetin e Tiranës, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore punëtor dhe me gjendje shoqërore nëpunës(ish-oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme), i martuar, ka 3 fëmijë, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, me arsim të lartë të pa mbaruar, nuk mban tituj e dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar më datë 20 qershor 1982.
6-ALI ÇENO, i biri i Shemshedinit dhe i Qamiles, lindur në vitin 1943 në qytetin e Tiranës dhe banues në qytetin e Tiranës, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore punëtor dhe me gjendje shoqërore nëpunës(ish-oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme), i martuar, ka 2 fëmijë, i përjashtuar nga Partia e Punës së Shqipërisë, me arsim të lartë, nuk mban tituj e dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar më datë 1 tetor 1982.
7-XHAVIT ISMAILAGA, i biri i Faikut dhe i Merjemes, lindur në vitin 1920 në qytetin e Tiranës dhe banues në qytetin e Tiranës, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore punëtor dhe me gjendje shoqërore punëtor(ish-berber në hotel ‘Dajti’), i martuar, ka 3 fëmijë, i pa organizuar në Partinë e Punës së Shqipërisë, me arsim fillor, nuk mban tituj e dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar më datë 14 prill të vitit 1982. TË AKUZUAR SE:
I)-Kanë tradhtuar Atdheun, duke u vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, duke kryer detyrat e ngarkuara prej tyre, nën drejtimin e poliagjentit Mehmet Shehu, kanë marrë pjesë në përgatitjen e një puçi ushtarak për përmbysjen e diktaturës së proletariatit në Shqipëri.
II)- Kanë marrë pjesë aktive në organizatën kundër revolucionare komplotiste e puçiste.
III)-Kanë kryer veprime përgatitore për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë(Enver Hoxhës).
IV)-Kanë sabotuar zbatimin e vijës politike të Partisë në fusha të ndryshme dhe në ekonomi, duke i sjellë shtetit në dëm pasuror në vlerën 1.219.764 lekë.
V)-Kanë zhvilluar agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e shtetit të diktaturës së proletariatit, krime këto që parashikohen përkatësisht nga nenet 47 germat ‘e’ dhe ‘g’, 57, 50 paragrafi i parë e 11 paragrafi i parë i Kodit penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
VI)- Të pandehurit Kadri Hazbiu dhe Ali Çeno akuzohen dhe se kanë kryer vepra terroriste kundër 6 shtetasve shqiptarë që ishin në mbrojtje të Atdheut socialist.
VII)-I pandehuri Kadri Hazbiu, në bashkëpunim me padronët e tij jugosllavë ka organizuar futjen në Shqipëri të një bande të armatosur për likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë(Enver Hoxhës) kurse i pandehuri Ali Çeno, ka qenë pjesëtar i kësaj bande. Këto krime parashikohen nga nenet 50 paragrafi i parë dhe ai 51 i Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
VII)-I pandehuri Ali Çeno akuzohet se edhe, në veçanti nga të pandehurit e tjerë, ka kryer kontrabandë në shumën 22.355 lekë, krim që parashikohet nga paragrafi i dytë i nenit 72 të këtij Kodi.
Gjatë gjykimit të çështjes, trupi gjykues dëgjoi shpjegimet e secilit të pandehur, thëniet e mjaft dëshmitarëve, shqyrtoi drejt për drejt akt-ekspertimet, dokumentet dhe provat e ndryshme materiale e shkresore, si dhe dëgjoi bisedimet e fundit, gjatë të cilave:
Prokurori kërkoi të deklarohen fajtorë të gjithë të pandehurit për krimet që akuzohen, në bazë të dispozitave ligjore që parashihen këto krime, përfundimisht të dënohen:
-I pandehuri Kadri Hazbiu, me vdekje
-I pandehuri Feçor Shehu, me vdekje
-I pandehuri Llambi Peçini, me vdekje
-I pandehuri Mihallaq Ziçishti, me 25 vjet heqje lirie
-I pandehuri Gani Kodra, me 10 vjet heqje lirie
-I pandehuri Ali Çeno, me 25 vjet heqje lirie
-I pandehuri Xhavit Ismailaga, me 25 vjet heqje lirie
Në fjalën e tyre të mbrojtjes dhe në fjalën e fundit pas leximit të akuzës, Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Ali Çeno dhe Xhavit Ismailaga, duke njohur veten tërësisht fajtorë dhe thellësisht të penduar, kërkuan dënime të buta, ndërsa të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu e Llambi Peçini, kërkuan pafajësi.
Trupi gjykues, i bazuar në rrethanat e faktet e çështjes, VËREN:
Nga Zhvillimi i gjyqit rezultoi plotësisht e provuar aktakuza në ngarkim të të pandehurve Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, anëtarët të organizatës kundër revolucionare, të kryesura nga poliagjenti Mehmet Shehu.
Të pandehurit e lartpërmendur, në mënyrë të organizuar e të vazhdueshme, kanë zhvilluar veprimtari kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, duke synuar, të likuidonin përfundimisht diktaturën e proletariatit e socializmin dhe të vendosnin diktaturën fashiste, borgjezo-revizioniste si dhe të restauronin një rend kapitalist në Shqipëri.
Të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu e Mihallaq Ziçishti, në bashkëpunim me të pandehurit dhe armiqtë e tjerë, nën drejtimin e tradhtarit, terroristit e sabotatorit Mehmet Shehu, duke shfrytëzuar dhe postet shtetërore që kishin, kanë vepruar për të minuar sigurimin e jashtëm të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, kanë zhvilluar veprimtari terrori, kanë sabotuar në fushat të ndryshme të veprimtarisë shtetërore, kanë propaganduar kundër Partisë e shtetit shqiptar.
Veprimtaria armiqësore e gjithë këtyre tradhtarëve të drejtuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, është e lidhur ngushtë dhe në fakt përbëjnë një të tërë me gjithë veprimtarinë antiparti të zhvilluar në vendin tonë duke filluar nga Nako Spiro, Liri Gega etj, deri tek grupet armiqësore të kryesuar nga Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Fadil Paçrami, etj… Siç doli e vërtetuar nga shqyrtimi i çështjes për një kohë të gjatë, armiku Mehmet Shehu, ka qenë frymëzuesi kryesor i veprimtarisë së kryer nga grupet e komplotistëve, puçistëve dhe sabotatorëve.
Aktiviteti armiqësor i të gjithë këtyre të pandehurve dhe i bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre, të drejtuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, paraqet në vetvete një veprimtari plotësisht të organizuar, me karakter të qëndrueshëm, e cila udhëhiqet nga pikëpamje të caktuara dhe është zhvilluar në bazë të një plani të përbashkët. Nga dokumentet dhe dëshmitë e pa kontestueshme që u administruan gjatë këtij procesi gjyqësor, vërtetohet se të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga dhe bashkëpunëtorët e tyre, të drejtuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, për të arritur qëllimin kriminal të përmbysjes së pushtetit popullor në Shqipëri, e kanë realizuar veprimtarinë e tyre në disa drejtime.
Gjykata, duke administruar të gjitha provat e administruara në hetuesi e në gjyq, arriti në përfundim se masat në ngarkim të të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Gani Ismailaga, janë të drejta, të bazuara.
Veprimtaria e kësaj organizate kundërrevolucionare, me kryetarë dhe anëtarë kryesorë elementë me pozita të larta në Parti e shtet, ka përbërë një rrezik të madh për socializmin në Shqipëri dhe ka dëmtuar rëndë Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë në fushën politike, ideologjike, ushtarake dhe ekonomike.
Qëllimet shumë të mprehta armiqësore, koha e gjatë dhe format e ndryshme ndërmjet të cilave është realizuar kjo veprimtari, së bashku me pasojat e rënda që ka sjellë e që mund të sillte po të vazhdonte, tregojnë shkallën e rrezikshmërisë shoqërore tepër të theksuar të veprimtarisë së kësaj organizate dhe të të pandehurve, pjesëtarë të saj…
Në caktimin e dënimeve, përveç rrezikshmërisë shoqërore shumë të madhe të veprave, gjykata ka parasysh edhe rolin, aktivitetin dhe shkallën e fajësisë të secilit të pandehur. I pandehuri Kadri Hazbiu ka qenë ndihmësi më i afërt dhe më i vjetër i poliagjentit Mehmet Shehu, që për 40 vjet me radhë, ka zhvilluar një aktivitet të gjerë e intensiv armiqësor, duke shfrytëzuar detyra shumë të rëndësishme që i besoi Partia si ministër i Punëve të Brendshme dhe i Mbrojtjes Popullore.
I pandehuri Feçor Shehu ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i poliagjentit për një kohë të gjatë dhe një nga ndërlidhësit kryesor të tij me agjenturat e huaja, si punonjës me përgjegjësi dhe kohët e fundit ministër i Punëve të Brendshme. Gjithashtu, i pandehuri Llambi Peçini ka zhvilluar një veprimtari të gjerë, sidomos në drejtim të spiunazhit dhe të aktit të terrorit. Qëndrimi mohues i këtyre tre të pandehurve në hetuesi e në gjyq, është një dëshmi e konsekuencës së tyre deri në fund në armiqësinë e thellë ndaj Partisë, popullit e Atdheut socialist, gjë që tregon për një shkallë shumë të lartë të rrezikshmërisë shoqërore të tyre.
Gjykata konstaton se edhe i pandehuri Mihallaq Ziçishti, si bashkëpunëtor i poliagjentit Mehmet Shehu, ka zhvilluar për një kohë të gjatë një veprimtari të dendur agjenturore e sabotuese në sektorë të rëndësishëm të organeve të punëve të brendshme që drejtonte ai dhe në rrethet Korçë e Durrës, ku qe ngarkuar me detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë të Rrethit, çka tregon shkallën e madhe të rrezikshmërisë së tij shoqërore.
Ndërsa për të pandehurit Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, gjykata vlerëson se veprimtaria armiqësore e tyre, për nga madhësia dhe intensiteti, është e një shkalle më të ulët se e të pandehurve të tjerë. Gjykata, në caktimin e masës së dënimit, ka parasyshë qëndrimin pendues të të pandehurve Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga në hetim e gjykim.
PËR KËTO ARSYE
Trupi gjykues, në mbështetje të neneve 140 e 150 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë
VENDOSI:
1-Të deklarojë fajtorë të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, për krimet e tradhëtisë ndaj Atdheut, pjesëmarrjen aktive në organizatat kundër revolucionare, veprën terroriste të ngelur në fazën e përgatitjes, sabotimit e agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit. Të pandehurit Kadri Hazbiu e Ali Çeno, fajtorë edhe për veprën terroriste kundër 6 shtetasve shqiptarë që ishin në mbrojtje të Atdheut tonë socialist. Të pandehurin Kadri Hazbiu edhe për organizimin dhe futjen në Shqipëri të një bande të armatosur nga revizionistët jugosllavë, të pandehurin Ali Çeno fajtor sepse si anëtar i organizatës ka qenë në veprim në ardhjen e kësaj bande si dhe për kryerjen e krimit të kontrabandës në përpjestime të mëdha dhe i dënon:
1.KADRI HAZBIUN:
a)-Në bazë të shkronjave ‘e’ dhe ‘g’ të nenit 47, në lidhje me nenin 25, me vdekje dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
b)-Në bazë të nenit 57 të Kodit penal, me 25 vjet heqje të lirisë.
c)-Në bazë të nenit 50 të Kodit penal, me vdekje.
Ç)-Në bazë të nenit 51 të Kodit Penal, me 25 vjet të heqjes së lirisë.
d)-Në bazë të nenit 53 të Kodit Penal, me vdekje.
dh)-Në bazë të paragrafit I të nenit 55 të Kodit penal, me 5 vjet të heqjes së lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e dënimeve sipas nenit 35 të Kodit Penal, e dënon të pandehurin Kadri Hazbiu me vdekje dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
2.FEÇOR SHEHU:
a)-Në bazë të shkronjave ‘e’ dhe ‘g’ të nenit 47, në lidhje me nenin 25, me vdekje dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
b)-Në bazë të nenit 57 të Kodit Penal, me 20 vjet heqje të lirisë.
c)-Në bazë të nenit 50, në lidhje me paragrafin I të nenit 11 të Kodit Penal, me vdekje
Ç)-Në bazë të nenit 53 të Kodit Penal, me vdekje.
d)-Në bazë të paragrafit I të nenit 55 të Kodit penal, me 5 vjet të heqjes së lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e dënimeve sipas nenit 35 të Kodit Penal, e dënon të pandehurin Feçor Shehu me vdekje dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
3.MIHALLAQ ZIÇISHTI:
a)-Në bazë të shkronjave ‘e’ dhe ‘g’ të nenit 47, në lidhje me nenin 25, me 25 vjet të heqjes së lirisë dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
b)-Në bazë të nenit 57 të Kodit Penal, me 20 vjet heqje të lirisë.
c)-Në bazë të nenit 50, në lidhje me paragrafin I të nenit 11 të Kodit Penal, me 20 vjet heqje të lirisë.
Ç)-Në bazë të nenit 53 të Kodit Penal, me 25 vjet të heqjes së lirisë.
d)-Në bazë të paragrafit I të nenit 55 të Kodit penal, me 5 vjet të heqjes së lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e dënimeve sipas nenit 35 të Kodit Penal, e dënon të pandehurin Mihallaq Ziçishti 25 vjet të heqjes së lirisë dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
4.LLAMBI PEÇINI:
a)-Në bazë të shkronjave ‘e’ dhe ‘g’ të nenit 47, në lidhje me nenin 23 e 25 të Kodit penal, me vdekje, me heqjen e dekoratave dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
b)-Në bazë të nenit 57 të Kodit Penal, me 15 vjet heqje të lirisë.
c)-Në bazë të nenit 50 në lidhje me paragrafin I të nenit 11 të Kodit penal, me vdekje.
ç)-Në bazë të nenit 53 të Kodit Penal, me 15 vjet të heqjes së lirisë.
d)-Në bazë të paragrafit I të nenit 55 të Kodit penal, me 5 vjet të heqjes së lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e dënimeve sipas nenit 35 të Kodit Penal, e dënon të pandehurin Llambi Peçini me vdekje, me heqjen e dekoratave, dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
5.GANI KODRËN:
a)-Në bazë të shkronjave ‘e’ dhe ‘g’ të nenit 47, në lidhje me nenin 23 e 25 të Kodit penal, me 10 vjet të heqjes së lirisë, me heqjen e dekoratave dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
b)-Në bazë të nenit 57 të Kodit Penal, me 10 vjet heqje të lirisë.
c)-Në bazë të nenit 50 në lidhje me paragrafin I të nenit 11 të Kodit penal, 10 vjet të heqjes së lirisë.
ç)-Në bazë të nenit 53 të Kodit Penal, me 10 vjet të heqjes së lirisë.
d)-Në bazë të paragrafit I të nenit 55 të Kodit penal, me 4 vjet të heqjes së lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e dënimeve sipas nenit 35 të Kodit Penal, e dënon të pandehurin Gani Kodra me 10 vjet të heqjes së lirisë, me heqjen e dekoratave, dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
6.ALI ÇENON:
a)-Në bazë të shkronjave ‘e’ dhe ‘g’ të nenit 47, në lidhje me nenin 23 e 25 të Kodit penal, me 10 vjet të heqjes së lirisë, me heqjen e dekoratave dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
b)-Në bazë të nenit 57 të Kodit Penal, me 10 vjet heqje të lirisë.
c)-Në bazë të nenit 50 në lidhje me paragrafin I të nenit 11 të Kodit penal, 10 vjet të heqjes së lirisë.
Ç)-Në bazë të nenit 53 të Kodit Penal, me 10 vjet të heqjes së lirisë.
d)-Në bazë të paragrafit I të nenit 55 të Kodit penal, me 3 vjet të heqjes së lirisë.
E)-Në bazë të paragrafit II të nenit 72 të kodit Penal me 5 vjet të heqjes së lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e dënimeve sipas nenit 35 të Kodit Penal, e dënon të pandehurin Ali Çeno me 10 vjet të heqjes së lirisë, me heqjen e dekoratave dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
7.XHAVIT ISMAILAGA:
a)-Në bazë të shkronjave ‘e’ dhe ‘g’ të nenit 47, në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal, me 10 vjet të heqjes së lirisë, dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
b)-Në bazë të nenit 57 të Kodit Penal, me 10 vjet heqje të lirisë.
c)-Në bazë të nenit 50 në lidhje me paragrafin I të nenit 11 të Kodit penal, 10 vjet të heqjes së lirisë.
Ç)-Në bazë të nenit 53 të Kodit Penal, me 10 vjet të heqjes së lirisë.
d)-Në bazë të paragrafit I të nenit 55 të Kodit Penal, me 3 vjet të heqjes së lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e dënimeve sipas nenit 35 të Kodit Penal, e dënon të pandehurin Xhavit Ismailaga me 10 vjet të heqjes së lirisë, me heqjen e dekoratave, dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet.
(Vijon nesër)
TABELË
DËNIMET E KOLEGJIT USHTARAK TË GJYKATËS SË LARTË
-I pandehuri Kadri Hazbiu, me vdekje
-I pandehuri Feçor Shehu, me vdekje
-I pandehuri Llambi Peçini, me vdekje
-I pandehuri Mihallaq Ziçishti, me 25 vjet heqje lirie
-I pandehuri Gani Kodra, me 10 vjet heqje lirie
-I pandehuri Ali Çeno, me 25 vjet heqje lirie
-I pandehuri Xhavit Ismailaga, me 25 vjet heqje lirie
SOM
Gjykata deklaron fajtorë të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, për krimet e tradhëtisë ndaj Atdheut, pjesëmarrjen aktive në organizatat kundër revolucionare, veprën terroriste të ngelur në fazën e përgatitjes, sabotimit e agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit. Kadri Hazbiu e Ali Çeno, fajtorë edhe për veprën terroriste kundër 6 shtetasve shqiptarë që ishin në mbrojtje të Atdheut tonë socialist. Kadri Hazbiu edhe fajtor për organizimin dhe futjen në Shqipëri të një bande të armatosur nga revizionistët jugosllavë, të pandehurin Ali Çeno fajtor sepse si anëtar i organizatës ka qenë në veprim në ardhjen e kësaj bande si dhe për kryerjen e krimit të kontrabandës në përpjestime të mëdha”
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Vazhdimin e vendimit të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë për dënimin e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Peçinit, Gani Kodrës, Ali Çenos e Xhavit Ismailagës.
-Cilat janë vendimet administrative përveç dënimeve penale për të akuzuarit si ‘Anëtarë të bandës kundër revolucionare, vënë në shërbim të agjenturave të huaja”
-Kërkesa e të dënuarve me vdekje Kadri Hazbiu, Feçor Shehu e Llambi Peçini për faljen e jetës. Refuzimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe vendimi për pushkatimin e tyre.
Kjo eshte e verteta e shqiperis te tjerat jane prralla. http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww
Populli e di mire qe keta bij vromash e njollosen sistemin komunist dhe emrin e enverit … keta e lane shqiperine pa buke , keta qe jepnin deponime te huajve , vrane njerez te pafajshem , mbyllen ne spac mijera te pafajshem… per nje llaf goje … keta e keqinterpretuan sistemin komunist , duke e kthyer ne nje regjim ushtarak …dhe sot na kane shpikur ca video , shkruajne ca libra duke akuzuar Enver Hoxhen si shkaktare te te gjithave ngjarieve , per te manipuluar mendiet e njerzve , per te fshehur maskaralleqet e shokeve te tyre …te gjitha ata plera qe punuan per rrezimin e sistemit socialist sot jane shperblyer , kush eshte bere deputet , kush biznesmen , kush me pune jashtvendit … i shperbleu CIA , per punen qe kryen … Por ja qe populli e di te verteten , dhe nuk ja hedhe dot kurre kush … Shqipetaret gjithmone ne anen e drejte …sepse jemi popull inteligjent , race superiore … as arianse apo indoeuropiane …por ilire , Nanderatlet e vertet te Europes.