Vendimi, Koçi Xoxe refuzon paraqitjen në gjykatë, 4 të tjerët kërkojnë lehtësi në dënim

anazapta

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes e 4 bashkëpunëtorëve të akuzuar si armiq e trockistë. Seanca e XII-të, leximi i vendimit. Fjala e fundit e të pandehurve para dhe debati mes Prokurorit Bedri Spahiu dhe avokatëve të të pandehurve.

 

I pandehuri Nuri Huta: Këtu në gjyq u thanë gjëra që të ngjethin mishin. Dhe duke u bazuar në këto them se kërkimi i Prokurorit është shumë i lehtë. Me këtë mënyrë mua më jepet mundësia që të punoj dhe të laj fajet që kam bërë!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Në seancën e XIII-të të gjyqit, Trupi Gjykues u kërkon të pandehurve që të thonë fjalën e tyre të fundit para dhënies së vendimit. Katër të pandehurit kërkojnë dënim të lehtë, ndërsa në emër të të pandehurit Koçi Xoxe që refuzoi paraqitjen duke kundërshtuar Prokurorin e Trupin Gjykues, avokati Spiro Stringa, u përfshi në një debat të ashpër me Prokurorin Bedri Spahiu…

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Sot më datë 4 qershor 1949, në vazhdim të seancës së XIII-të të gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij, u kërkoj të pandehurve që të thonë fjalën e fundit.

 

Pandi Kristo(I pandehur): -Trupi Gjykues le t’i çmojë fajet që kam bërë dhe dëmet që i kam sjellë popullit e Pushtetit dhe në bazë të tyre të japë vendimin.

 

Vaskë Koleci(I pandehur): -Nuk kam të shtoj asgjë dhe kam besim në Drejtësinë e Popullit.

 

Vango Mitrojorgji(I pandehur): -(Mbrojtjen e tij të fundit, e paraqiti me shkrim, të shkruar me dorën e tij. Në atë, mbrojtjen me shkrim, thotë se nuk ka pasur qëllim duke bërë ato vepra për të cilat akuzohet, nuk është pjesëtar i atij grupi, ka ditur se ka vepruar në vijën e Partisë, nuk i ka qenë bërë asnjë observacion se ishte duke vazhduar në vijën e shtrembër. Kjo mbrojtje e fundit e të pandehurit Vango Mitrojorgji bëhet pjesë e këtij procesi)

 

Nuri Huta(I pandehur): -Unë jam burgosur para rezolucionit të Inform-Byrosë. Këtu në gjyq u thanë gjëra që të ngjethin mishin dhe këto unë vetëm këtu i mësova. Dhe duke u bazuar në këto them se kërkimi i Prokurorit është shumë i lehtë. Me këtë mënyrë mua më jepet mundësia që të punoj dhe të laj fajet që kam bërë. Unë mund të them vetëm se e siguroj Trupin Gjykues dhe nëpërmjet tij Partinë, Komitetin Central dhe Shtetin, se nuk kam pasur dijeni dhe nuk kam punuar me qëllim si agjent jugosllav.

Akuza që më bëhet si agjent, me kontratë ose pa kontratë, fillon dhe mbaron me vajtjen time në gazetën ‘Borba’ për të marrë eksperiencë. Në sajë të kuptimit që i kam dhënë dhe në sajë të analogjisë së vijës, kështu e dija dhe kështu veprova. Një ditë, kur të zhduket udhëheqja trockiste jugosllave do të dalë në shesh e drejta ime që nuk kam qenë agjent në shërbim të tyre.

Unë kam qenë fajtor dhe kam dëmtuar Partinë dhe popullin dhe bile jam fajtor më shumë se sa ka kërkuar Prokuroria. Por të më besoni se kam vepruar me mirëbesim duke kujtuar se zbatoja vijën e Partisë. Megjithëse, unë duhet ta kisha kuptuar se shokët në Komisionin e Agjit-Prop-it, pranë Komitetit Central dhe shoku Nako Spiro me forcë m’i kanë ngritur gjërat që bënin jugosllavët në vendin tonë. Por unë, në vend që të pranoja këshillat e tyre, kam ngulur këmbë dhe u kam kundërshtuar atyre shokëve. Këtë nuk e them për mbrojtjen time, por për turpin tim.

Trupi Gjykues duhet ta ketë parasysh se unë nuk e kam ditur që Koçi Xoxe lozte me letra të mbyllura. Nuk kam ditur mbi divergjencat dhe fërkimet në Komitetin Central. Nuk e dija se shoku Enver Hoxha ishte mishërimi i Partisë tonë. Kur Nako Spiro më njoftonte me hollësi veprat që bënin jugosllavët nuk i pranoja, por përkundrazi thosha që “ti Nako ke ndryshuar, po gabon”. Ky është një faj imi aq i madh, sa 100 kokë nuk i lajnë.

Unë dënoj veprimtarinë trockiste të Beogradit dhe në është se ata kërkojnë ta shfrytëzojnë zhvillimin e këtij gjyqi në dobi të tyre, e them me plot gojën para Trupit Gjykues se ata qëndrojnë në vijën tradhtare trockiste dhe se unë ndodhem para gjyqit për të paguar punën time të poshtër trockiste. Unë përshëndes vijën e drejtë të partisë tonë, vendimet e Plenumit të XI-të, vendimet e Kongresit të Parë të Partisë, përshëndes udhëheqjen e vërtetë të Partisë tonë dhe Sekretarin e Përgjithshëm Enver Hoxha.

Unë jap fjalën se duke vuajtur dënimin që do të më caktohet do të mundohem me thonj e me dhëmbë për të fituar edhe një herë të drejtën, të paktën, t’i afrohem edhe një herë gjirit të dashur të Partisë.

Duke përfunduar, kam për t’i bërë Trupit Gjykues, të cilin e falënderoj për qëndrimin jashtëzakonisht të drejtë që kanë mbajtur ndaj nesh, dy lutje: Unë jam sakat nga një dorë dhe prandaj të ketë mirësinë mos të më caktoj si detyrim punën e rëndë të detyrueshme. Si dhe të ketë parasysh se unë nuk kam asnjë pasuri tjetër përveçse një jorgan dhe një dyshek të cilat do të më shërbejnë në burg. Prandaj të mos merret ndonjë masë konfiskimi për sendet që ka familja.

 

U këndua shkresa e Prokurorisë dt 1.VI.1949 në të cilën thuhet: Komisioni i Posaçëm hetimor, në konformitet me nenin 2 të ligjit Nr 621 datë 31.V.1948 “Mbi konfiskimin e pasurisë dhe zbatimin e  konfiskimit”, konstaton se të pandehurit e sjellë për gjykim (të pestë) nuk disponojnë pasuri të luajtshme dhe të pa luajtshme në përdorim në sasi për t’u konfiskuar. Prandaj në bazë të paragrafit të fundit të nenit të mësipërm, ju sjell në dijeni këtë për ta pasur para sysh me rastin e vendimit.

 

Prokurori: -Kërkoj një afat, të lihet gjyqi për nesër, për të sqaruar disa pika të mbrojtjes.

 

VENDIM

Për të bërë Prokurori replikën e tij në lidhje me mbrojtjen, shtyhet audienca për nesër më datë 4.VI.1949, ora 5 pas dreke.

Tiranë, më 3.VI. 1949.

(Firmosin Kryetari, dy anëtarët dhe Sekretari)

+                   +              +

Kryetari(Frederik Nosi: -Sot më datë 4.VI.1949, ora 5 e pas drekës, çelim seancën e XIII të gjyqit kundër grupit trockist dhe armiqve të popullit të kryesuar nga i pandehuri Koçi Xoxe. Trupi gjykues është në formimin e mëparshëm. Gjithashtu edhe akuza publike. Gati janë dhe të pandehurit, duke pasur pranë mbrojtësit e tyre.

Nga të pandehurit gati: Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji dhe Nuri Huta. Gati dhe avokatët mbrojtës, bashkë me ta, edhe avokat A. Stringa, mbrojtës i të pandehurit Koçi Xoxe.

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Në lidhje me mbrojtjen e avokatit S. Stringa, unë replikoj dhe kam disa kundërshtime që po i rendis këtu. Avokat Spiro Stringa tha se i pandehuri Koçi Xoxe mund të ketë pasur një mirëbesim në gjithë punën e tij. Sa për sqarim, do të them se është e vërtetë se ka pasur një mirëbesim të përgjithshëm kundrejt Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Por nga ana tjetër, ka pasur në vendin tonë njerëz, siç është i pandehuri Koçi Xoxe që kanë ndihmuar me çdo mjet grupin trockist, kriminal jugosllav dhe kanë luftuar me tërbim, brenda dhe jashtë rreshtave të Partisë kundër atyre që i rezistonin presionit trockist jugosllav. Pastaj Zoti Stringa tha ndër të tjera, se Koçi Xoxe nuk ka pasur cilësitë e një politikani. Duhet ditur dhe kjo u vërtetua plotësisht, se banditi Koçi Xoxe ka pasur të gjitha aftësitë dhe zgjuarsi të mjaftueshme por kjo aftësi dhe zgjuarsi e tij ka qenë për të zezën e vendit dhe të popullit tonë.

Për sa i përket shembullit që solli Avokati Stringa se komandanti (Enver Hoxha) në Kongresin e Partisë ka thënë se “Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo janë larg për të kuptuar letrat e V.K.P(b)”, kjo nuk do të thotë se ata nuk i kishin kuptuar këto letra, por se nuk donin të pranonin përmbajtjen e atyre letrave.

(Gjithashtu, Prokurori në replikën e tij, ju përgjigj edhe apologjisë së të pandehurit Vango Mitrojorgji dhe kjo replikë ndodhet e shkruar dhe është pjesë e këtij procesi bashkë me atë të të pandehurit Koçi Xoxe.

Prokurori, gjithashtu bëri një replikë të shkruar mbi fjalën e fundit të të pandehurit Vango Mitrojorgji. Dhe kjo bën pjesë në këtë proces gjyqësor).

 

Kryetari: -Para se të mbyllet definitivisht procedimi, konform procedurës, ua jap për herë të fundit fjalën të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës.

 

Avokati S. Stringa: -Nuk kam ndonjë gjë për të shtuar.

 

Avokati V. Bidoshi: -Dhe unë nuk kam gjë për të thënë.

 

Avokati Fuat Fico: -Dakord jam dhe unë. Nuk kam gjë për të thënë.

 

Avokat Dhimitër Shkurti: -Nuk kam për të shtuar.

 

Avokat Kol Dhimitri: -Nuk kam gjë tjetër për të shtuar në këtë proces.

 

Kryetari: -Po të pandehurit, kanë ndonjë gjë?

 

Pandi Kristo: -Nuk kam gjë, vetëm të përsëris ato që kam thënë.

 

Vaskë Koleci: (Nuk tha gjë të re. Përsëriti ato që ka thënë edhe më parë)

 

Vango Mitrojorgji: -Përsëris të parat, ato që thashë dhe shtoj se unë kam dashur të them dje se i pandehuri Koçi Xoxe duhej të bënte objeksione se nuk isha në vijë të drejtë dhe jo Partia ose tjetër kush ta bënte këtë gjë. Kam thënë dhe e përsëris se kam plotësisht përgjegjësi dhe fakti se nuk më ka thënë gjë Koçi Xoxe, nuk më shkarkon nga përgjegjësia që kam. Përsëris edhe një herë këtu se kërkimi i akuzës është shumë i lehtë në krahasim me veprat e mia. Unë them se dënimin e meritoj se të rënda dhe të poshtra kanë qenë edhe metodat e punës sonë dhe se për këto vepra nuk mjaftojnë as shtatë kokë e jo një.

 

Nuri Huta: -Unë e ndjej fajësinë time dhe kam besim të plotë tek Trupi Gjykues. Vendimi i Gjykatës do të jetë pagim i fajeve të mia dhe një forcim për partinë dhe Pushtetin.

 

VENDIM 1

Pasi nuk mbeti gjë tjetër, për deklarim të vendimit, shtyhet audienca për në datën 8.VI.1949, ora katër e gjysmë pas drekës.

Tiranë, më 4.VI.1949

(Firmosin Kryetari i Gjykatës, dy zëvendësit dhe sekretari).

 

VENDIMI 2

Sekretari i Trupit Gjykues, lexon vendimin: Pasi trupi gjykues ishte i okupuar me shumë punë, nuk qe e mundur që të shqyrtohet vendimi në audiencën e caktuar. Prandaj audienca shtyhet për në datën 10.06.1949, ditën e premte, ora 6 e pas drekës, duke u lajmëruar për këtë qëllim mbrojtja dhe akuza.

Tiranë, 08.06.1949

Kryetari

Frederik Nosi

(Firma)

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Seanca e XIII-të e gjyqit, datë 10.06.1949, vendimi i Trupit Gjykues për të pandehurit Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vango Mitrojorgji, Vaskë Koleci dhe Nuri Huta.

-Fajësia e të pandehurve lidhur me bashkëpunimin me të dërguarit e Titos dhe zbuluesit jugosllavë gjatë luftës Nacional-Çlirimtare dhe në vitet e para të çlirimit të vendit.

-Si u bë rekrutimi i bashkëpunëtorit Pandi Kristo nga Koçi Xoxe dhe bashkërendimi i punës për shtimin e radhëve të grupit me të besuar të tjerë dhe vendosja e tyre në funksione të larta të Partisë e Shtetit.

Share This Article
2 Comments
  • Paska qene shum i duruar nga provokimet e Islamikut Bedri Spahiut se te kisha qen une, do tja idhja quret mu ne surat,e Do kisha bertitur qe te degjonin qe te gjithe,se Enver Hoxha ishte nje Bythqir dhe bytha e qire nuk riparohet!
    A mundet te konsiderohesh fajtor,Agjent, e ku ta di une se cfar ju paska punuar truri Islamikve te etur per pushtet,kur njeriu ne politike mundet te behet edhe mik me Armikun,se ashtu e don puna,edhe i poshter me njerzit e tu,se vertet e kerkon momenti per njefar kohe,se vetm keshtu luhet politika!
    Kurva dhe politika jane nje!
    Mjer Koci ke ka besuar,e mjer ne, me ke kemi pasur te bejme,me njerez qe te vrasin naten e te qajne diten!Te beheshim me mir se ish Jugosllavia,do ti jepja plotesish te drejte Hoxhes!
    Po ku ishim ne, e ku shkoj Jugosllavia te rim shtrember e te flasim drejt,ne Shqiptaret na mbiu fasulja ne bark,e jo per nje kohe te shkurter, por gjith jeten!!!

    • Ti me nofkën beni, me siguri qenke i ngjizur nga fara jugosllave, ti me siguri je ndonjë shqipfolës nga ata vrrakalinjët e lidhur me shoqatën Moraça.
      Ke bërë mirë që je shpaluar vet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *