Pas daljes në opozitë, Partia Demokratike do të zhvendoset në një seli të re. Në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Ministrave është miratuar një vendim që godina e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë t’i kalojë në pronësi Partisë Demokratike. Por pavarësisht se është marrë një vendim i tillë, ai nuk është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Siç shkruan sot “Panorama”, në dijeni të këtij vendimi është edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila me një vendim të 21 janarit 1999 ka në pronësi Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Pas miratimit të vendimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave do të pritet botimi i aktit në Fletoren Zyrtare dhe pas 15 ditësh ai hyn zyrtarisht në fuqi. Ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të nisin punimet për shndërrimin e ambienteve të brendshme të kësaj godine në zyra pune për zyrtarët e Partisë Demokratike.
Shtëpia Qendrore e Ushtrisë ka hapësirë shumë më të madhe se selia aktuale e Partisë Demokratike, prej të cilës e ndajnë vetëm pak metra. Ndërtesa ndodhet pranë godinës së Parlamentit. Një tjetër objekt që do të jetë afër selisë së re të Partisë Demokratike është edhe Xhamia e Namazgjasë, punimet për të cilën sapo kanë nisur. Ndërkohë që qeveria ka miratuar vendimin për godinën e re të PD-së, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me godinën aktuale të kësaj force politike, në të cilën demokratët janë të akomoduar që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 22 marsit 1992.
Leave a comment