Qeveria e Venezuelës ka urdhëruar tregtarët e naftës që të konvertojnë kontratat e tyre të naftës së papërpunuar me euro dhe të mos paguajnë ose të paguhen me dollarë amerikanë, sipas WSJ.
Masa synon të anashkalojë sanksionet amerikane kundër vendit.
Kompania shtetërore e naftës PDVSA njoftohet se kërkoi partnerë të përbashkët për të hapur llogari në euro dhe për të kryer transaksionet ekzistuese në monedhën evropiane.
Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë i vuri sanksione të reja Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të vendit, pas zgjedhjeve fiktive të zhvilluara në vend dhe zgjedhjen e një organi të ri legjislativ për të rishkruar Kushtetutën e vendit. Opozita nuk mori pjesë në votime.
Karakasi e mori hapin e radhës si një përpjekje për t’i rezistuar embargos amerikane, ndërsa vendi ndodhet në krizë të thellë ekonomike.
“Për të luftuar kundër bllokadës ekonomike do të ketë një shportë valutash për të na çliruar nga dollari,” tha nënkryetari i vendit Tareck El Aissami, cituar nga mediat.
SHBA është partneri më i madh tregtar i Venezuelës me 95 për qind të të ardhurave të shtetit që vijnë nga eksportet e naftës. Por, kalimi i monedhës dominuese mund të çojë në rritjen e kostove të transaksioneve, sipas analistëve.
