Skandalet e pedofilisë që kanë përfshirë vendin kohët e fundit, vazhdojnë të nxjerrin probtematika shqetësuese dhe alarmuese për qytetarët. Pas evidentimit të ndëshkimit të butë ligjor ndaj pedofilit Ardian Përrenjasi që shihet edhe si përgjegjës për vrasjen pas abuzimi seksual të një djali rreth 10-vjeçar, zbulohet një tjetër rast tolerance gjykate ndaj një pedofili.
Agjencia NOA.al ka siguruar dosjen e plotë me vendimin e marrë nga një gjykatë në Elbasan, që pasi e gjen fajtor për kryerje veprash të turpshme me të mitur, e dënon një burrë 56-vjeçar me 160 orë punë publike. Më poshtë publikojmë pjesë nga vendimi duke censuruar disa të dhëna për shkak të etikës.
Vendimi që ka siguruar noa.al është marrë më 24 maj 2012 nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan.
I akuzuar dhe nën proces gjyqësor ka qenë shtetasi Bektash Sula, banues në qytetin Elbasan. Kurse padia ndaj të pandehurit Bektash Sula, është bërë nga shtetasja F.K, duke denoncuar vepra të turpshme nga Sula me të bijën 12 vjeçe.
Gjithçka ka nisur kur drejtoria e Policisë së Elbasanit më datë 20 dhjetor të vitit 2010 ka filluar procedimin penal dhe pas përfundimit të hetimeve ka sjellë për gjykim të pandehurin Bektash Sula për kryerjen e veprës penale të “veprave të turpshme” ndaj të miturës 12 vjeçe.
Më datë 20 dhjetor të vitit 2010 në komisariatin e Elbasanit është paraqitur e mitura 12 vjeçe I.K, e shoqëruar nga nëna e saj F., e cila ka depozituar kallëzimin penal ndaj shtetasit Bektash Sula.
Mbi bazën e këtij kallëzimi është kryer arrestimi në flagrancë i Sulës dhe është filluar procedimi penal. Sipas dëshmisë së vajzës dhe nënës së saj, e mitura ditën që kreu kallëzimin, rreth orës 14:45 pasi ka dalë nga shkolla ka qenë duke kërkuar në lagje vëllanë e saj.
Në ato momente, në rrugë ka takuar Bektash Sulën të cilin e kishte parë në lagjen e saj edhe herë të tjera. Bektashi i ka kërkuar asaj që të shkonte në shtëpinë e tij për t’i thënë disa fjalë dhe ajo ka pranuar duke e ndjekur nga pas.
Sula e ka futur vajzën në një banesë private të vjetër që ka qenë lokal dhe më pas ka mbyllur derën kryesore të lokalit me çelës. Ai i ka bërë shumë pyetje rreth vetes dhe në një moment i ka bërë disa fotografi.
Më tej i është afruar vajzës e cila ndodhej tek njëri cep i dhomës duke iu drejtuar me fjalët: “Pse rri me ata çunat, ti duhet të rrish me ndonjë si puna ime që të çojë nëpër lokale, ti je kinge”.
Kjo thënie hasi në kundërshtimin e vajzës, e cila i pohoi se rri me moshatarët e saj.
Në këtë pikë Sula i ka premtuar lekë duke thënë se ishte i pasur dhe më pas e ka prekur në vende intime dhe e ka puthur në buzë.
Vajza ka kërkuar të largohet menjëherë, ndërsa nisi të qante, gjë e cila ka detyruar Sulën të hapë derën duke i thënë në fund që të shtirej sikur nuk njiheshin bashkë.
Sapo ka shkuar në shtëpi është përballur me nënën e saj, së cilës fillimisht nuk i tregoi asgjë. E mitura konstatoi nga dritarja se Sula ndodhej pranë banesës së saj, pra, ai e kishte ndjekur atë. Në këto kushte ajo i tregoi nënës, e cila kreu menjëherë kallëzim. Policia ndaloi Bektash Sulën, i cili ka pranuar se ishin futur në objektin e sipërpërmendur, por ka mohuar se e ka fotografuar dhe kryer vepra të turpshme me këtë fëmijë.
Gjykata tha se vlerësoi në rrjedhim të fakteve e provave se akuza në ngarkim të Bektash Sulës rezulton tërësisht e provuar. Megjithatë, gjykata çmoi se i pandehuri ka rrezikshmëri të pakët shoqërore duke vendosur aplikimin e pezullimit të ekzekutimit të dënimit me burgim e duke kërkuar i pandehuri të përmbushë një punë në interes publik. Gjykata vendosi që Sula të kryejë punën në interesin publik pa shpërblim, 160 orë në komunën Shushisë të Elbasanit.
(Marrë nga noa.al)