Krimet kompjuterike u rritën me 8.8 % në 2015

Elton Tafaruci

Me sofistikimin e teknologjisë, “përparojnë” dhe metodat e vjedhjeve e mashtrimeve. Tashmë nuk duhet të ruash vetëm kuletën, apo sende të tjera me vlerë, por edhe të jesh i kujdesshëm me përdorimin e kartave bankave, apo fjalëkalimeve. Mashtrimi, falsifikimi, apo ndërhyrja kompjuterike rezulton se janë shtuar vitin e kaluar.

Nga të dhënat statistikore të deklaruara, rezulton se në vitin 2015 ka një rritje prej 8,8 % të numrit të procedimeve të regjistruara për vepra penale të krimit kompjuterik në krahasim me vitin 2014 ndërsa numri i procedimeve të dërguara për gjykim është në të njëjtin nivel.

Pesha specifike që ky grup veprash penale zë për vitin 2015 është 0,4 % ndërsa për vitin 2014 ky grup veprash përbënte 0,37 % të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi. Pra vihet re një rritje e këtij treguesi për vitin 2015 në krahasim me vitin 2014.

Treguesit për të pandehurit gjatë vitit 2015 rezultojnë me ulje dhe përkatësisht, kemi ulje prej 71 % të numrit së të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2014, ulje e numrit të të pandehurve të cilët i janë dërguar gjyqit prej 76 % në krahasim me vitin 2014.

Të dhënat socio-demografike të të pandehurve të regjistruar për këtë grup veprash penale, si gjinia, mosha, arsimi, gjendja shoqërore, vendbanimi e gjendja gjyqësore, paraqiten në mënyrë të detajuar në vijim:

Nga të pandehurit e regjistruar për këtë grupveprash penale, rezultojnë të rritur (mbi 18 vjeç) 11 % femra dhe 89 % meshkuj. Ndër to, vetëm një i pandehur i mitur mashkull dhe në vitin 2015, është regjistruar 1 i pandehur i huaj.

Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 37,5 % e të pandehurve janë me arsim deri 9- vjeçar, 37,5 % me arsim të mesëm dhe 25 % të pandehur me arsim të lartë. Rezulton se të gjithë të pandehurit kanë vendbanimin në qytet. Pra, tendenca është e tillë që ka një prani të këtij fenomeni në qytet. Në lidhje me gjendjen gjyqësore të të pandehurve, theksojmë se pjesa më e madhe e të pandehurve janë të padënuar më parë.

Llojet e veprave penale që janë konstatuar:

a. Mashtrimi kompjuterik
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Kundër krimit kompjuterik” për vitin 2015 është 44 %, ndërsa për vitin 2014 ka qenë 40,8 %.Nga të dhënat statistikore vërehet tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal “Mashtrimi komputerik” në vitin 2015, prej 17,6 % në krahasim me vitin 2014.

b. Falsifikimi kompjuterik
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Kundër krimit kompjuterik” është 13 % për vitin 2015, ndërkohë që në vitin 2014 ka qenë 21,6 %.

c. Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Kundër krimit kompjuterik” është 34 % për vitin 2015, ndërkohë që në vitin 2014 ka qenë 23 %./MONITOR

 

krimi-kibernetik

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *