Jemi të gjithë dakort se kjo verë po “sillet” çuditshëm! Shiu dhe furtunat po shoqërojnë muajt që duhet të jenë më të nxehtë të vitit, duke lënë shije të keqe për të gjithë ata që pasi kanë pritur gjithë vitin, do të duhet të kalojnë ditë gri e me çadra nëpër duar. Një nga shqetësimet mbetet dhe ajo e garderobës dhe për këtë duhet vepruar me alternativa të reja. Ja cilat janë disa nga këshillat që ekspertët e modës japin për këto ditë mes diellit që djeg dhe shiut që të bën qull!
Këshilla e parë janë xhinset. Përherë të pranishme në garderobë dhe ideale në rastet e ndryshimit të klimës. Preferohen ato llastik, mundësisht të konsumura me ndonjë të grisur aty këtu që mbeten gjithmonë në modë. Shumllojshëria e tyre, herë sportive, të qëndisura, në formë tub dhe kauboj, të shkurtra deri tek gjunjët apo në forme streçe, cilësohen hidrofobike, duke mbajtur kështu në ekuilibër temperaturën e trupit me atë të ambjentit. Xhinset njëkohësisht ju lehtësojnë edhe kombinimin me “T-shirt” të stampuara, këmisha të lehta në ngjyra të hapura, qoftë për një “look” sportiv apo elegant.
Moda po vlerëson gjithnjë e më shumë xhupat e lehtë të papërshkueshëm nga uji. Të thjeshtë për tu mbajtur me vehte pasi palosen shumë kollaj dhe nuk zënë vend në çantën tuaj. Të paisur me një kapuç, i cili “fshihet” lehtësisht nën zinxhir, ju ndihmojnë të mbroheni nga shiu i papritur. Të rejat nga teknologjia kanë bërë të mundur edhe një rezistencë ideale ndaj grisjes apo çarjeve, falë copës së re të krijuar “nylon ripstop”, ndërkohë që mbeten ende në krye materialet e përdorura edhe në sportet e ujit.
Po aq të rëndësishme janë cilësuar edhe këmbët, për të cilat firmat më të njohura, kanë ndërthurur stile të ndryshme si, gotik, urban, pop, etj. Ka për të gjithë! Kyesisht ngjyrat e hapura janë cilësuar ideale për të përfaqësuar lumturinë, dashurinë dhe kulturën urbane ndërkohë që, ngjyra e zezë është krijuar kryesisht për forzën, tipat perfeksionistë dhe elegantë. /A.V