Nëse përmend fjalën turizëm në Shqipëri, rëndom mendja të shkon në bregdet. Edhe pse vitet e fundit në planet e pushimeve tona janë futur emra si Thethi apo Lugina e Valbonës, sërish turizmi malor në Shqipëri mbetet i pa eksploruar.
Për shqiptarët, destinacionet ndërkombëtare janë më joshëse, por kohët e fundit gjendja ka ndryshuar. Hyzmeti nga mediat e huaja po na bëhet, duke na sugjeruar shpesh si një ndër vendet që duhet vizituar, po ne vetë çfarë po bëjmë?
Dëbora, shëtitjet në mal, si dhe gatimet tradicionale pranë një sobe me dru, e më pak skitë, mund të jenë një zgjidhje për pushimet e dimrit, por zgjedhja e destinacioneve jashtë Shqipërisë nuk është më shumë çështje buxheti, por një joshje nga infrastruktura e ngritur prej dekadash, çmimet konkurruese, kushtet, e akoma më tepër ato të cilat për shkak të krizës ekonomike globale bëhet “një luftë edhe më e ashpër konkurruese, duke sjellë oferta të ulëta”. Për më tepër, nuk dihet numri i vizitorëve që shfrytëzojnë destinacionet turistike gjatë periudhës së dimrit në Shqipëri, por ndërkohë alternativat argëtuese nuk mungojnë. Mësuam se në Tropojë, një person kalon natën në një dhomë alpine me 15 euro, ngrohje me dru dhe ushqim bio. Nga kërkimet tona, mësuam gjithashtu se në Pukë, me çmim deri në 2500 lekë ofrohet ushqimi e fjetja, si dhe shëtitjet brenda kësaj kostoje.
Nga ana tjetër, institucionet promovuese të turizmit thonë se, janë bërë disa përmirësime në infrastrukturën e zonave malore, ndërkohë që me ligj atyre u garantohen lehtësi fiskale, si përjashtimi nga taksat për tetë vite, për çdo investim që kryhet për këtë qëllim.
Jemi në fund të tetorit dhe e pamë të udhës të bënim një bisedë me Drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Turizmit për të kuptuar çfarë ka ndodhur verën që sapo lamë pas dhe si do e menaxhojmë vendin nga pikëpamja e turizmit, këtë vjeshtë-dimër. Julinda Dhame, tashmë një vit në krye të kësaj drejtorie e quan veten me fat që është pjesë e një ekipi mjaft punëtor dhe kreativ ose siç quan ajo ndryshe, “qeveria Rama”. “Një vit në drejtimin e AKT-se përveçse një eksperiencë më shumë, është përgjegjësi e dyfishtë. Mjaft njerëz mendojnë se të punosh për turizmin është thjesht argëtim dhe relaks, por me besoni, gabohen totalisht” – na tregon Julinda, pas Konferencës Ndërkombëtare për “Menaxhimin e Sezonalitetit në Turizëm” dy ditë më parë, e cila mblodhi në Tiranë, ministra dhe përfaqësues të nivelit të lartë nga disa vende të Europës, me të cilët ndanë përvojat më të mira për të minimizuar efektet e sezonalitetit në këtë fushë.
“Ne gjetëm një industri të rrënuar turistike pa historik të së djeshmes dhe pa axhendë të së nesërmes. Gjetëm një turizëm spontan në mëshirë të fatit, të natyrës dhe të shkatërruar prej mizorisë dhe makutërisë së përfitimeve. Imazhi i vendit ishin ato rrugë e ato ndërtime pa leje buzë detit apo majë malit. Ishin kartolinat apo guidat turistike, libra ku më tepër gënjehej e fshihej realiteti. Me gjithë stafin tim, një përzierje moshash dhe profesionesh përqëndruam forcat për përmirësimin e imazhit dhe ndërthurjen institucionale të punëve. Turizmi nuk është ekskluzivitet vetëm i Ministrisë së Zhvillimit Urban apo Agjencisë Kombëtare që unë drejtoj. Turizmi është bashkërendim edhe i ministrive apo enteve publike të ekonomisë, sigurisë, transporteve, shëndetësisë, bujqësisë, arsimit, kulturës. Turizmi është kënaqësi dhe argëtim mbarëkombëtar, ndaj duhet të punojmë të gjithë që të relaksohemi të gjithë” – rrëfen Dhame në një bashkëbisedim me Dita-n, përpjekjet e deritanishme, që në fakt nuk kanë përfunduar… Por, çfarë do të ndodh tani që vera përfundoi dhe kemi përpara vjeshtën dhe dimrin. A do të mund ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion turistik në 365 ditë të vitit?!
Juli, tashmë një vit në drejtimin e AKT-së, cila ka qenë sfida juaj gjatë këtij viti?
Të kesh vetëm një sfidë, është sikur të gënjesh veten më 1 prill. Sfidat janë pa fund sepse turizmi është aq argëtues, por edhe i komplikuar. Ne të turizmit jemi imazhi, fytyra, shpirti dhe mikpritja e këtij vendi. Punojmë fort të riparojmë imazhin sepse nxisim edhe punët në infrastrukturë, arsim, trashëgimi, kulinari, shërbime. Po nuk u lodhëm ne, nuk merr kënaqësinë maksimale pushuesi vendas dhe i huaj. E mos harrojmë se kënaqësia e pushuesve përkthehet në harxhim parash, rritje ekonomie, investime. Pra, me një fjalë Shqipëri më e bukur, më e fortë.

Sapo ka përfunduar një sezon veror, për të cilin kishte shumë pritshmëri; në syrin tuaj, si është mbyllur ky sezon?
Fatmirësisht moti i mirë tregon se sezoni veror nuk është mbyllur. Ka ende pushues gjatë fundjavave buzë detit. Piku i këtij sezoni tregoi më tepër përgjegjësi për ne. Për herë të parë nga Velipoja deri në Ksamil për javë të tëra, një task force e ngritur mes AKT-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve u tha STOP abuzimeve me çmimet e kripura dhe sistemoi korrektësinë e shërbimeve ndaj pushuesit, por edhe ndaj detyrimeve fiskale. Pastrimi i bregdetit në bashkëpunim edhe me ente të tjera publike rikthehu normalitetin dhe njëkohësisht trajnimet e ndryshme për përmirësim të cilësisë së shërbimeve hodhën themelet për një turizëm veror më të përgjegjshëm.
“Lufta” juaj është për një turizëm 365 ditor në Shqipëri, tani jemi në vjeshtë, e keni menduar se si do i joshni turistët që të vizitojnë vendin tonë edhe në dimër?
Nuk i joshim ne turistët të vizitojnë këtë vend 365 ditë. I josh natyra me bekimin e perëndisë me këto male e lugina, me katër stinë funksionale, i josh koordinimi i punës tonë dhe dakortësia me vetë natyrën dhe mbrojtja që duhet t’i bëjmë asaj. Alpet e Shqipërisë janë atje me hijeshinë e tyre. Investimet në infrastrukturë që po bën qeveria, shtimi i kapaciteteve hoteliere nga vetë banorët, trashëgimia shpirtërore dhe kulturore e pa tjetërsuar, pra të gjitha këto të thërrasin të mos rrish brenda në shtëpi, por eja eksploro Tropojën dhe Voskopojën, Razmën dhe Përmetin, Tushemishtin dhe Gjinarin.

Sa kanë ndikuar publikimet e mediave të huaja dhe sugjerimet që ata kanë bërë për Shqipërinë në rritjen e numrit të turistëve?
Ndryshe nga herët e tjera, taktika e punës tonë nuk u përqendrua në një reklamë zyrtare për turizmin dhe publikimi i saj në mediat ndërkombëtare prestigjioze. Nuk u dembelosëm këtë vit, por me kontaktet e shumta, me partneritetet e miqve tanë po sjellim si vizitorë në Shqipëri gazetarë të huaj nga të gjitha kontinentet për të parë nga afër realitetin. I shëtisim në çdo qoshe të vendit dhe pasi u kemi treguar Shqipërinë e vërtetë në mirëbesimin e tyre presim rezultatet. Artikujt, kronikat, klasifikimet kanë qenë pa fund veçanërisht nga mediume autoritative. Më pak shpenzime kemi rifituar dhjetëra promovime të dobishme dhe realiste.
Cilat janë projektet tuaja për këtë vjeshtë-dimër dhe cilat janë destinacionet që mund të vizitohen?
Panairi i dimrit që AKT organizon është në edicionin e dytë të tij këtë vit. Veç panairit të Tiranës këtë vjeshtë-dimër Shqipëria shkon edhe në dy prej panaireve më të mëdha respektive. Evropa me panairin e Londrës dhe Azia me panairin e Singaporit. Për destinacionet, këshilla ime është e thjeshtë. “Braktis” Tiranën në fundjavë dhe nuk ka shumë rëndësi se ku shkon. Natyra e këtij vendi është magjike gjithandej, por sikur ta respektonim pak më shumë natyrën atëherë nuk do të na konkurronte askush. Ka më bekim fatlum siç është ky vend ku nuk mungon as deti, as mali, as liqeni, as lumi, as bora, as dielli, as shiu, as era, as dallga, as gjelbërimi, as peshqit, as sorkadhet, as lulet, as frutat, as fushat, as kështjellat, as kisha, as folklori, as xhamia, as muzika, as teqeja, as letërsia, as kulinaria, as rakia, as mosha e re e popullatës, as bulmeti, as vitaliteti i racës, as energjia…Ja pra të gjitha këto kur rakordohen e menaxhohen mirë, formojnë atë që ne e quajmë turizëm!
Destinacionet
Por si mund t’i përjetoni këto aventura?
Për ata që duan dhe pëlqejnë turizmin e aventurës, destinacionet në këtë periudhë janë të ndryshme duke filluar nga veriu me Kelmendin, Thethin, Valbonën dhe duke zbritur në jug në Karaburun, Gjirin e Gramës, Tomor, Çajup etj. Preferencat janë të ndryshme, por më shumë pëlqehen aktivitetet njëditore për arsye kohe, si dhe për më pak shpenzime… Mjafton që t’i hidhni një sy rrjeteve sociale për të gjetur atje grupe të rinjsh dhe jo vetëm, që kanë filluar ta bëjnë tashmë traditë, ngjitjen dhe eksplorimin e majave të maleve kryq e tërthor vendit, duke i kthyer thjesht në sfida për udhëtimin e radhës. Shqipëria ka shumë male, e për rrjedhojë ato kanë mjaft shpate të thepisura, të cilat, të mbushura me dëborë, kthehen në pista të mrekullueshme ku secili prej jush mund të shijojë aventurën. Thethi, Valbona, Nikaj Mërturi, Korabi, Bukaniku, Valamara, Këndrevica, Çika qorre, Tomori, janë vetëm disa prej majave që mund të dëshironi përgjatë udhëtimeve tuaja.
Korabi, si mali më i lartë i Shqipërisë, është një sfidë e vërtetë për të gjithë adhuruesit e sporteve ekstreme. Jezerca, një nga malet më të vështirë në Europë, ofron cirqet e saj të mrekullueshme ku mund të provoni aftësitë. Valbona e Thethi, ndoshta nuk janë të arritshëm për të gjithë, prej infrastrukturës së vështirë e rrugëve të bllokuara, por nëse keni shpirtin e aventurës, mund të tentoni. Dajti, nuk është vetëm një qendër e madhe resortesh tashmë, por edhe një vend sfidash për ata që duan të tentojnë. Drejt malësive të Elbasanit, Gramshit e Librazhdit, Skraparit, mund të udhëtoni edhe për të eksploruar Valamarën, Tomorin, Bukanikun, kanionet e shpellat e shumta të kësaj zone dhe jo vetëm, duke i mbushur pushimet tuaja plot ritëm e adrenalinë. Për një turizëm në periudhën e vjeshtës dhe dimëror ndoshta jo ideal, por të bukur e plot aventura, ia vlen ta rezervosh fundjavën tënde duke zgjedhur Shqipërinë…

